Mësimi 3
Përmbusheni Qëllimin Tuaj si Misionar/e
Predikoni Ungjillin Tim, Kapitulli 1
Qëllimi i një misionari është t’i “ftoj[ë] të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ta pranojnë ungjillin e rivendosur me anë të besimit te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, me anë të pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund” (Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 1). Të kuptuarit dhe zbatuarit e këtij qëllimi në të gjitha aspektet e punës misionare mund ta lartësojë mënyrën se si të rinjtë mendojnë, përgatiten dhe shërbejnë në një mision.
Rishiko dhe Ndiq Ecurinë
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth përpjekjeve të tyre të kohëve të fundit për t’i zbatuar ato që po mësojnë në këtë klasë. Mund t’i ftoni t’ia tregojnë disa nga përpjekjet e tyre një partneri ose së bashku klasës.
Mundësitë për Veprimtaritë e të Mësuarit
Udhëheqësi i diskutimeve: Përzgjidhni me lutje mundësinë ose mundësitë e të mësuarit që do t’i sillnin më shumë dobi klasës suaj. Sigurohuni që të lini mjaft kohë për praktikën dhe zbatimin.
Mundësia A: Cili është qëllimi i një misionari?
Studio
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh të tregoni skenarin vijues për të nisur një diskutim rreth qëllimit të një misionari.
Përfytyro sikur ke një shok apo shoqe që nuk është anëtar/e i/e Kishës. Kur shoku apo shoqja të pyet se çfarë planesh ke për sot, ti përmend se do të frekuentosh një orë mësimore për përgatitjen e misionarëve. Shoku apo shoqja pastaj të pyet: “Çfarë bëjnë misionarët?”
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit ta mendojnë ose tregojnë atë çfarë do të thoshin. Shpjegoni se, ndonëse ka shumë mënyra për t’iu përgjigjur pyetjes, qëllimi kryesor i një misionari është përmbledhur në fillim të kapitullit 1 të manualit Predikoni Ungjillin Tim. Paraqitini udhëzimet vijuese. Jepuni kohë nxënësve të studiojnë dhe të diskutojnë me një partner ose në një grup të vogël.
Lexoje pjesën “Qëllimi Juaj” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 1) dhe thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson.
“Ju lutemi, mos e shpërfillni kapitullin 1 të manualit Predikoni Ungjillin Tim dhe pyetjen e tij: ‘Cili është qëllimi im si misionar?’ Përvetësojeni qëllimin për t’i sjellë njerëzit te Krishti nëpërmjet parimeve dhe ordinancave të ungjillit të rivendosur, dhe do ta kuptoni se shpërndarja e ungjillit nuk është një program; është një kauzë – kauza e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë.” (D. Todd Christofferson, “Why We Share the Gospel”, Ensign, gusht 2014, f. 36)
Diskutoni se si përvetësimi i këtij qëllimi mund të ndikojë te sa vijon:
-
Mënyra se si përgatitesh për një mision
-
Veprimet e tua si misionar/e
Udhëheqësi i diskutimeve: Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë më mirë qëllimin si misionar/e, paraqitni udhëzimet vijuese. Mund t’i caktoni gjysmës së klasës që të theksojë me ngjyrë pikën e parë dhe gjysmës tjetër pikën e dytë.
Lexoje pjesën “Mandati Juaj për ta Dhënë Mësim Ungjillin e Rivendosur të Jezu Krishtit” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 1–2). Ndërsa studion, thekso me ngjyrë:
-
Arsyet përse i ftojmë të tjerët të vijnë te Jezu Krishti.
-
Atë që mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Jezu Krishti.
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që zbuluan. Mund të diskutoni edhe për pyetjen vijuese:
-
Si ju ka sjellë ndjekja e Shpëtimtarit “lumturi, shpresë, paqe dhe qëllim më të madh” (faqe 2) juve ose njerëzve që njihni?
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh të tregoni vetë përgjigjen tuaj për pyetjen e mëparshme. Gjithashtu, mund të shfaqni materialin filmik “After Searching So Long for It, Hope Showed Up on Their Doorstep” [“Pasi e Kërkuan për Kaq Shumë Kohë, Shpresa iu Shfaq te Pragu i Derës”] (2:42; Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë mënyrat se si ungjilli i Jezu Krishtit e bekoi çiftin te materiali filmik.
Ushtrohu
Udhëheqësi i diskutimeve: Gjeni kohë për t’i ndihmuar nxënësit ta mësojnë përmendsh pjesën “Qëllimi Juaj” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 1). Mund ta përsëritni disa herë së bashku si klasë, më pas, ftojini nxënësit ta ushtrojnë duke e thënë përmendsh me një partner.
Ndërsa e jepni mësim këtë kurs, drejtojuni shpesh qëllimit si misionar/e. Ju mund të merrni parasysh ta thoni përmendsh së bashku në fillim të çdo ore mësimore.
Vendos një synim
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar sot, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:
Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për një ide tënden.
-
Vazhdo të ushtrohesh për ta mësuar përmendsh qëllimin si misionar/e. Thuaja përmendsh një pjesëtari të familjes ose shoku. Mendo për atë që tashmë e bën ose që mund të fillosh ta bësh, që është pjesë e qëllimit si misionar/e.
-
Vizito faqen “Shpërndarja e Ungjillit” në ChurchofJesusChrist.org. Kërko ide që mund të të ndihmojnë ta shpërndash ungjillin tek të tjerët.
-
Mendo plot lutje për dikë që dëshiron ta ndihmosh t’i afrohet më shumë Jezu Krishtit dhe të përjetojë bekimet e ungjillit të Tij. Përcakto se çfarë do të bësh për ta ndihmuar (për shembull, “Unë do të lutem për këtë person dhe do ta ftoj në Kishë këtë të diel”).
Synimi im
-
Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).
-
Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup me të cilin të flasin për synimet e tyre, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.
Mundësia B: Si ua ndryshon jetën njerëzve doktrina e Krishtit?
Studio
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh të shkruani frazën Doktrina e Krishtit në tabelë. Ftojeni dikë të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:
“Doktrina e kulluar e Krishtit është e fuqishme. Ajo e ndryshon jetën e kujtdo që e kupton atë dhe kërkon ta zbatojë në jetën e vet.” (“E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6–7)
-
Nëse dikush do të të pyeste se çfarë është doktrina e Krishtit, çfarë do të thoshe?
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit t’i krahasojnë përgjigjet e tyre ndaj pyetjes së mëparshme me shpjegimin në kapitullin 1 të manualit Predikoni Ungjillin Tim. Për t’i ndihmuar që ta bëjnë këtë, jepni udhëzimet vijuese:
Në kapitullin 1 të manualit Predikoni Ungjillin Tim, gjej pjesën e titulluar “Ungjilli i Krishtit dhe Doktrina e Krishtit”. Lexo tre paragrafët e parë dhe thënien nga Hajrëm Smithi (faqe 6). Kërko përgjigjet për këto dy pyetje:
-
Çfarë është doktrina e Krishtit?
-
Përse dikush që po përgatitet për një mision, duhet të përpiqet ta kuptojë dhe ta jetojë doktrinën e Krishtit?
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan nga manuali Predikoni Ungjillin Tim, që u jep përgjigje pyetjeve të mëparshme.
Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për aspekte të ndryshme të doktrinës së Krishtit. Nëse klasa juaj është mjaftueshëm e madhe, ndajeni në grupe me nga pesë veta. Çdo anëtar i grupit mund të studiojë një pjesë të ndryshme të doktrinës së Krishtit.
Mëso më shumë rreth doktrinës së Krishtit duke studiuar pjesët vijuese nga kapitulli 1 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 7–9):
-
“Pendimi”
-
“Pagëzimi”
-
“Durimi deri në Fund” (Studio edhe vargjet te 2 Nefi 31:19–20.)
Ndërsa studion, thekso me ngjyrë fjalë dhe fraza të rëndësishme. Merr parasysh t’i lexosh disa prej shkrimeve të shenjta që lidhen me këtë pjesë. Bëhu gati ta tregosh atë që mësove.
Ushtrohu
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini anëtarët e klasës t’ia shpjegojnë grupit të tyre ato që mësuan në veprimtarinë e mëparshme. Paraqitini udhëzimet vijuese:
Përmblidhe pjesën e doktrinës së Krishtit që studiove. Merr parasysh të përfshish pikat në vijim në përmbledhjen tënde:
-
Një përmbledhje të shkurtër të asaj që studiove
-
Mënyrën se si kjo pjesë e doktrinës i ndihmon njerëzit të vijnë te Krishti dhe të kenë të drejtë përdorimi të fuqisë së Tij shpëtuese
-
Mënyrën se si ti ose dikush që e njeh, është bekuar nga zbatimi i kësaj pjese të doktrinës së Krishtit
Vendos një synim
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:
Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për një ide tënden.
-
Studio te 2 Nefi 31, duke kërkuar mësimet e Nefit rreth doktrinës së Krishtit.
-
Përcakto një element të doktrinës së Krishtit që dëshiron ta përfshish më plotësisht në jetën tënde. Merr parasysh se si do ta bësh atë.
Synimi im
-
Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).
-
Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup me të cilin të flasin për synimet e tyre, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.
Mundësia C: Çfarë e bën një misionar të suksesshëm?
Studio
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh ta shkruani pyetjen vijuese në tabelë bashkë me përgjigjet e nxënësve:
-
Si mund ta dijë një person nëse është një misionar i suksesshëm?
Udhëheqësi i diskutimeve: Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë pjesëmarrësit ta kuptojnë më mirë se si të jenë misionarë të efektshëm:
-
Lexoji nëntë paragrafët e parë të pjesës “Një Misionar i Suksesshëm” në kapitullin 1 të manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqe 13–14). Theksoji me ngjyrë ose shenjoji karakteristikat e misionarëve të suksesshëm. Shenjoji në një mënyrë të ndryshme (të tillë si me një ngjyrë ose mënyrë tjetër nënvizimi) gjërat që janë të parëndësishme për arritjen e suksesit.
-
Hidhu një sy pikave nga kreu i faqes 14. Zgjidh dy ose më shumë referenca të shkrimeve të shenjta për t’i lexuar, duke kërkuar atë që na mësojnë rreth të qenit misionar i suksesshëm.
Ushtrohu
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini anëtarët e klasës të përdorin ato që mësuan në veprimtarinë e mëparshme, ndërsa përgjigjen për skenarin vijues. Merreni parasysh ta ndani klasën në dyshe dhe t’i ftoni të interpretojnë me role.
Përfytyro sikur merr një mesazh nga një shok ose shoqe që po shërben në një mision kohëplotë. Ai ose ajo ndien se po dështon si një misionar pasi asnjë person të cilit i ka dhënë mësim, nuk është pagëzuar dhe vetë kurrë nuk ka mbajtur një pozitë udhëheqjeje. Po fillon të ndiejë se po e harxhon kohën kot.
-
Bazuar në atë që mësove nga pjesa “Një Misionar i Suksesshëm” në kapitullin 1 të manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 13–14), ndihmoje shokun ose shoqen tënde të mendojë ndryshe rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh një misionar/e i/e suksesshëm/me.
-
Trego se si përqendrimi më shumë te Jezu Krishti mund ta ndryshojë mënyrën se si ndihet shoku ose shoqja jote rreth shërbimit të vet misionar.
Udhëheqësi i diskutimeve: Për një mënyrë tjetër se si t’i ndihmoni nxënësit të përcaktojnë dhe shpjegojnë karakteristikat e misionarëve të suksesshëm, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Missionaries of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints” [“Misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”] (4:56; ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët e klasës mund të diskutojnë se si i përshkruan apo i treguan në praktikë misionarët te materiali filmik parimet e shërbimit të suksesshëm misionar.
Vendos një synim
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar sot, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:
Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për një ide tënden.
-
Mendo për dikë që njeh, që po shërben në një mision. Shkruaji një mesazh me postë elektronike ose një letër që përmbledh ato që mësove sot rreth të qenit një misionar/e i/e suksesshëm/me. Gjithashtu, mund ta pyesësh misionarin/en se çfarë ka zbuluar që e bën atë të suksesshëm/me.
-
Mendo për atë që mund të bësh tani për t’u përgatitur që të jesh një misionar/e i/e suksesshëm/me në të ardhmen.
Synimi im
-
Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).
-
Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup me të cilin të flasin për synimet e tyre, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.
Herës Tjetër
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse jeni gati që ta jepni herës tjetër mësimin 4, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të studiojnë kapitullin 2 të manualit Predikoni Ungjillin Tim si parapërgatitje. Nëse dëshironi, mund edhe t’u dërgoni atyre një kujtues.