Kurset për Ungjillin
Mësimi 10: Kërkoni Cilësi si të Krishtit


Mësimi 10

Kërkoni Cilësi si të Krishtit

Predikoni Ungjillin Tim, Kapitulli 6

peshkatarë njerëzish

“Një mënyrë e rëndësishme se si ta kërkojmë Jezusin, është të bëjmë një përpjekje të zellshme për të mësuar rreth Tij dhe për t’u bërë më shumë si Ai” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 120). Kur kërkojmë të zhvillojmë cilësi si të Jezu Krishtit, kjo mund të na ndihmojë ta shpërndajmë ungjillin e Shpëtimtarit në mënyrë më të efektshme. Me ndihmën e Shpëtimtarit, gradualisht, mund të zhvillojmë cilësi që na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ai.

Rishiko dhe Ndiq Ecurinë

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth përpjekjeve të tyre të kohëve të fundit për t’i zbatuar ato që po mësojnë në këtë klasë. Mund t’i ftoni t’ia tregojnë disa nga përpjekjet e tyre një partneri ose së bashku klasës.

Veprimtaria e Sugjeruar e të Mësuarit

Si mund të bëhem më shumë si Shpëtimtari?

Studio

Udhëheqësi i diskutimeve: Paraqitni figura të Shpëtimtarit, si ato vijueset. Ftojini nxënësit të tregojnë cilësi si të Krishtit që i shohin te këto figura. Mund edhe të shikoni materialin filmik “Christlike Attributes” [“Cilësi si të Krishtit”] (2:53; ChurchofJesusChrist.org) për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të shohin shembuj të tjerë të cilësive të Shpëtimtarit.

shërbesa e Shpëtimtarit
shërbesa e Shpëtimtarit 2
shërbesa e Shpëtimtarit 3
  • Cilat janë disa nga cilësitë e Shpëtimtarit të cilat i admiron më shumë? Përse?

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se në këtë mësim, anëtarët e klasës do të kenë mundësi për të mësuar rreth rëndësisë së kërkimit të cilësive si të Krishtit në punën misionare. Ftojini të kërkojnë udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë që të dinë se cilat cilësi do të donte Zoti që ata të përpiqeshin fort t’i zhvillonin në jetën e tyre. Jepni udhëzimet vijuese:

Lexo pjesët “Parathënia” dhe “Kërkoni Këtë Jezus” te kapitulli 6 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 119–120). Theksoji me ngjyrë bekimet që lidhen me zhvillimin e cilësive si të Krishtit.

Udhëheqësi i diskutimeve: Ju gjithashtu mund të merrni parasysh t’i studioni së bashku vargjet te Doktrina e Besëlidhje 4, siç përshkruhen te kutia “Studimi Vetjak” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 119).

Ftojini anëtarët e klasës të diskutojnë për atë që u bëri përshtypje nga ajo që studiuan. Pyetjet vijuese mund të përdoren në këtë diskutim:

  • Si mund të të ndihmojë përpjekja për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti, që të bëhesh një misionar/e më i/e mirë?

  • Çfarë roli luan Shpëtimtari për të të ndihmuar që të bëhesh më shumë si Ai?

Udhëheqësi i diskutimeve: Ndërsa diskutoni për pyetjen e mëparshme, merrni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë pjesët “Dhuratat nga Perëndia” dhe “Një Proces i Përshkallëzuar” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 120). Ftojini të gjejnë fjalë ose fraza nga këto pjesë që mund t’i ndihmojnë ta kuptojnë më mirë nevojën e tyre për t’u mbështetur te Shpëtimtari për të zhvilluar cilësi si të Krishtit.

  • Çfarë të ka ndihmuar të bësh përparim për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari?

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Kjo pjesë e mësimit ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë se cilat cilësi të Shpëtimtarit dëshirojnë të zhvillojnë. Paraqitini udhëzimet vijuese.

  1. Plotësoje pjesën “Veprimtaria e Cilësive” në fund të kapitullit 6 të manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 132–134).

  2. Bazuar në përgjigjet e tua, përzgjidh një cilësi si të Krishtit që dëshiron ta kuptosh më mirë dhe ta zhvillosh.

  3. Gjeje dhe studioje pjesën për cilësinë që zgjodhe, te kapitulli 6 i manualit Predikoni Ungjillin Tim.

Udhëheqësi i diskutimeve: Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini anëtarët e klasës t’i tregojnë një partneri se cilën cilësi zgjodhën të studiojnë, së bashku me një përmbledhje të shkurtër të asaj që mësuan.

Vendos një synim

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:

Krijo një plan për mënyrën se si do të kërkosh që ta zhvillosh cilësinë si të Krishtit të cilën studiove. Mund të përdorësh sugjerimet nën titullin “Një Model për t’u Bërë më Shumë si Krishti” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 130) për të të ndihmuar. Mos u shqetëso nëse nuk je i/e përsosur në lidhje me këtë cilësi. Vazhdo të përpiqesh fort dhe Shpëtimtari do të të ndihmojë.

Synimi im
  • Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).

  • Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për zotimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.

Herës Tjetër

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse jeni gati që ta jepni herës tjetër mësimin 11, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të studiojnë kapitullin 11 të manualit Predikoni Ungjillin Tim si parapërgatitje. Nëse dëshironi, mund t’u dërgoni atyre një kujtues.