Kurset për Ungjillin
Mësimi 8: Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai


Mësimi 8

Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai

Predikoni Ungjillin Tim, Kapitulli 4

Liahona

“Dhurata e Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të mëdha që Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 97). Shpirti dëshmon për Jezu Krishtin dhe për vërtetësinë e ungjillit. Njerëzit kthehen në besim te Krishti nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Ndërsa misionarët e kërkojnë dhe mbështeten te Fryma e Shenjtë, ata mund të ndihmojnë për ta sjellë ndikimin e Tij në jetën e atyre të cilëve u japin mësim.

Rishiko dhe Ndiq Ecurinë

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth përpjekjeve të tyre të kohëve të fundit për t’i zbatuar ato që po mësojnë në këtë klasë. Mund t’i ftoni t’ia tregojnë disa nga përpjekjet e tyre një partneri ose së bashku klasës.

Mundësitë për Veprimtaritë e të Mësuarit

Udhëheqësi i diskutimeve: Përzgjidhni me lutje mundësinë/të e të mësuarit që do të ishte/in më dobiprurëse për klasën tuaj. Sigurohuni që të lini mjaft kohë për praktikën dhe zbatimin.

Mundësia A: Çfarë roli luan Fryma e Shenjtë në punën misionare?

Studio

Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh ta filloni këtë veprimtari të të mësuarit duke diskutuar për thënien në vijim nga Profeti Jozef Smith.

Profeti Jozef Smith

“Të gjithë duhet ta predikojnë Ungjillin, me anë të fuqisë dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë; dhe asnjë njeri nuk mund ta predikojë Ungjillin pa Frymën e Shenjtë.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 355)

  • Si mendon, përse Fryma e Shenjtë luan një rol kaq të rëndësishëm në predikimin e ungjillit të Jezu Krishtit?

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të gjejnë kapitullin 4 të manualit Predikoni Ungjillin Tim. Shpjegoni se ky kapitull përshkruan mënyrat se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë si në punën misionare dhe në jetën tonë vetjake. Jepini udhëzimet vijuese për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të fillojnë studimin e tyre të këtij kapitulli.

  1. Studio paragrafët nën titujt “Kërkoni Udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë” dhe “Fuqia e Shpirtit për Kthimin në Besim” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 97; 99–100).

  2. Studio të paktën dy prej fragmenteve të renditura te kutia “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” nën titullin “Fuqia e Shpirtit për Kthimin në Besim” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 100).

  3. Bazuar tek ato që mëson, përgatitu të japësh përgjigjet e tua për pyetjet vijuese:

    • Si mund të më ndihmojë Fryma e Shenjtë ta predikoj ungjillin e Shpëtimtarit?

    • Çfarë roli luan Fryma e Shenjtë për t’i ndihmuar njerëzit të vijnë te Krishti?

    • Çfarë mund të bëj për ta ftuar Shpirtin kur e shpërndaj ungjillin e Jezu Krishtit?

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse e lejon koha, ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “The Role of the Holy Ghost in Conversion” [“Roli i Frymës së Shenjtë për Kthimin në Besim”] (ChurchofJesusChrist.org; shikojeni nga kodi kohor 0:00 deri në 4:05). Anëtarët e klasës mund të kërkojnë përgjigje të tjera për tri pyetjet.

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni pjesëmarrësve kohë t’i japin mësim një partneri apo grupi të vogël për ato që mësuan nga veprimtaria e mëparshme e studimit. Merrni parasysh t’i paraqitni udhëzimet vijuese që t’i udhërrëfeni për të treguar:

  1. Trego përgjigjet e tua për tri pyetjet nga veprimtaria e mëparshme e studimit:

    1. Si mund të më ndihmojë Fryma e Shenjtë ta predikoj ungjillin e Shpëtimtarit?

    2. Çfarë roli luan Fryma e Shenjtë për t’i ndihmuar njerëzit të vijnë te Krishti?

    3. Çfarë mund të bëj për ta ftuar Shpirtin kur e shpërndaj ungjillin e Jezu Krishtit?

  2. Trego një shkrim të shenjtë që gjete. Shpjego se si ky shkrim i shenjtë lidhet me njërën nga tri pyetjet e diskutuara më parë.

  3. Trego një përvojë vetjake ose jep dëshminë tënde rreth mënyrave se si mund të na ndihmojë Fryma e Shenjtë.

Vendos një synim

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:

Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për ide të tuat.

  • Duke përdorur mjete të studimit si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, studio më shumë për rolet e ndryshme të Frymës së Shenjtë. Merr parasysh se si Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë qoftë tani, qoftë si misionar/e.

  • Përcakto se çfarë përshtatjesh mund të bësh që do ta ftonin më rregullisht Frymën e Shenjtë në jetën tënde.

Synimi im
  • Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).

  • Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.

Mundësia B: Si mund t’i dalloj nxitjet e Shpirtit?

Studio

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini pjesëmarrësit të diskutojnë me një partner për skenarin në vijim.

Përfytyro sikur dikush të pyeti se si të kuptohet dallimi mes nxitjeve nga Fryma e Shenjtë dhe mendimeve e ndjenjave vetjake.

  • Si do t’i përgjigjeshe?

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se ndodh rëndom që njerëzit të kenë pyetje rreth mënyrës se si ndihet Fryma e Shenjtë. Mund t’i ftoni nxënësit të mendojnë rreth disa prej pyetjeve të tyre vetjake. Nxitini që, ndërsa studiojnë, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të dallojnë mënyrat se si Fryma e Shenjtë mund të komunikojë me ta.

Paraqitini udhëzimet vijuese për t’i udhërrëfyer nxënësit në studimin e tyre. Mund t’i caktoni gjysmës së klasës të studiojë mundësinë nr. 1 dhe gjysmës tjetër të studiojë mundësinë nr. 2.

Zgjidh një prej mundësive vijuese të studimit nga kapitulli 4 i manualit Predikoni Ungjillin Tim që ta thellosh kuptueshmërinë për dallimin e Frymës së Shenjtë:

  1. Studioje pjesën “Mësoni të Dalloni Nxitjet e Shpirtit” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 102–103).

  2. Lexo përshkrimet për Frymën e Shenjtë te kutia “Studimi Vetjak” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 103–104). Studio disa prej shkrimeve të shenjta të renditura të cilat të duken veçanërisht interesante.

Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi anëtarët e klasës të kenë pasur kohë për të studiuar, ftojini të diskutojnë me një partner për pyetjet vijuese. (Nëse nxënësit u caktuan të studionin njërën mundësi, sigurohuni që të vihen në dyshe me dikë që studioi mundësinë tjetër.)

  • Çfarë idesh të erdhën rreth mënyrave se si Perëndia komunikon me ne nëpërmjet Frymës së Shenjtë?

  • Cilët shembuj mendon se i përshkruajnë përvojat e tua vetjake me Frymën e Shenjtë?

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse e lejon koha, mund të shfaqni edhe materialin filmik “Elder and Sister Bednar—Recognizing the Spirit” [“Plaku dhe Motra Bednar – Dallimi i Shpirtit”] (ChurchofJesusChrist.org; shikojeni nga kodi kohor 0:38 deri në 3:11). Ftojini pjesëmarrësit të diskutojnë për idetë e tjera që u erdhën.

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se ka disa gjëra për të cilat duhet të jemi të kujdesshëm kur mësojmë se si të udhërrëfehemi nga Fryma e Shenjtë. Ftojini nxënësit të gjejnë pjesën “Disa Fjalë Paralajmërimi” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 105–106).

Paraqitini skenarët vijues ose shtypini në letër për anëtarët e klasës. Për çdo skenar, ftojini nxënësit të tregojnë paralajmërimet të cilat ndiejnë se do të ishin të dobishme për t’u marrë parasysh nga manuali Predikoni Ungjillin Tim. Kjo veprimtari mund të bëhet së bashku si klasë ose në grupe të vogla.

  1. Një person po kërkon udhërrëfim dhe drejtim për diçka që është e rëndësishme për të. Ai apo ajo lutet dhe i kërkon Atit Qiellor që t’i japë përgjigje brenda javës.

  2. Ti vë re që, kur të tjerët e ndiejnë Shpirtin, bëhen më emocionalë se ty. Pyet veten a mund të ketë diçka që nuk shkon me ty.

  3. Një person ndien se ka marrë udhërrëfim nga Shpirti për të bërë diçka që bie në kundërshtim me mësimet e profetëve dhe apostujve.

  4. Një ri dhe e re kanë dalë në takime serioze romantike. Një ditë, ai i thotë asaj: “Kam marrë frymëzim që duhet të martohesh me mua”.

  5. Një person është pranuar në dy universitete të ndryshme. Pavarësisht nga agjërimi dhe lutja, ai apo ajo nuk e ndien se Zoti po i tregon se cilën shkollë të frekuentojë.

Vendos një synim

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:

Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për ide të tuat.

  • Në ditët në vijim, kushtoju vëmendje të madhe mënyrave të ndryshme se si e ndien Frymën e Shenjtë të të udhërrëfejë ose se si i përjeton frytet e Shpirtit (shih te Galatasve 5:22–23). Mbaji shënim përvojat e tua.

  • Studioje secilin shkrim të shenjtë që renditet te kutia “Studimi Vetjak” në faqet 103–104 të manualit Predikoni Ungjillin Tim. Mbaji shënim idetë që të vijnë për mënyrën se si ta ndiesh dhe dallosh Shpirtin.

Synimi im
  • Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).

  • Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.

Mundësia C: Si mund të mbështetem më shumë te Shpirti?

Studio

Udhëheqësi i diskutimeve: Diskutoni për thënien në vijim nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe për pyetjen shoqëruese.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë. … Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë.” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96)

  • Përse mendon se është e rëndësishme të marrësh udhërrëfim dhe zbulesë në mënyrë të shpeshtë nga Fryma e Shenjtë?

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini anëtarët e klasës të mendojnë se sa shpesh ndihen të udhërrëfyer nga Fryma e Shenjtë. Nxitini që, ndërsa studiojnë, të kërkojnë mësime që mund t’i ndihmojnë ta marrin në mënyrë më të shpeshtë udhërrëfimin e Zotit nëpërmjet Shpirtit.

Ftojini nxënësit të gjejnë kapitullin 4 të manualit Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, jepni udhëzimet vijuese:

Lexoje pjesën e titulluar “Mbështetuni te Shpirti” te manuali Predikoni Ungjillin Tim (faqet 104–105). Kërko arsyet përse është e rëndësishme që të kesh shoqërimin e Shpirtit kur bën punën e Zotit.

  • Çfarë mësove rreth arsyeve përse është e rëndësishme të mbështetesh te Fryma e Shenjtë?

  • Çfarë mund ta pengojë mbështetjen në mënyrë të plotë te Shpirti?

  • Çfarë të ka ndihmuar ta ndiesh më shumë ndikimin e Shpirtit në jetën tënde?

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin shembuj të mënyrës se si Zoti mund t’i udhërrëfejë nëpërmjet Shpirtit kur e shpërndajnë ungjillin e Tij, ftojini që të gjejnë kutinë “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” në fund të pjesës “Mbështetuni te Shpirti” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 104–105). Diskutoni shkurtimisht mbi rëndësinë e katër pyetjeve te kutia. Më pas, ftojini nxënësit të bëjnë sa vijon:

Përfytyro sikur je një misionar/e i/e ri/e dhe të kanë ftuar të japësh një bisedë me temën “Si Mund të Mbështetemi më Shumë te Fryma e Shenjtë?” në mbledhjen e radhës të distriktit tënd. Duke përdorur kutinë “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” në fund të pjesës “Mbështetuni te Shpirti” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 104–105), përgatit një bisedë prej dy apo tri minutash që e trajton këtë pyetje. Mbaji shënim parimet dhe idetë që dëshiron t’i japësh në bisedën tënde.

Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi nxënësit të kenë mbaruar studimin, jepuni kohë që ta japin bisedën e tyre para një partneri.

Vendos një synim

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:

Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për ide të tuat.

  • Mëso përmendsh një shkrim të shenjtë rreth Frymës së Shenjtë, të tillë si një nga këto: 1 Nefi 4:6; 2 Nefi 32:5; Moroni 10:5 ose Doktrina e Besëlidhje 8:2.

  • Përcakto se çfarë mund të fillosh të bësh dhe çfarë mund të ndalosh së bëri për të të ndihmuar ta kesh më shpesh Frymën e Shenjtë me vete.

Synimi im
  • Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).

  • Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.

Herës Tjetër

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse planifikoni ta jepni herës tjetër mësimin 9, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të studiojnë kapitullin 5 të manualit Predikoni Ungjillin Tim si parapërgatitje. Nëse dëshironi, mund t’u dërgoni atyre një kujtues.