Udhëzues i Mësimdhënies për Përgatitjen e Misionarëve
Mirë se vini në programin për përgatitjen e misionarëve! Ky kurs mund të luajë një rol të rëndësishëm në jetën e rinisë dhe të rinjve e të rejave në moshë madhore që po përgatiten për shërbimin misionar. Ai mund të bekojë edhe të rinjtë që nuk po planifikojnë për të shërbyer në mision, por dëshirojnë ta përmirësojnë aftësinë e tyre për të shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit.
Qëllimi i misionarëve është t’i “ftoj[në] të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ta pranojnë ungjillin e rivendosur me anë të besimit te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, me anë të pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund” (Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 1). Ky qëllim është mënyra se si e mbledhim Izraelin dhe është përgjegjësi e çdo anëtari të Kishës.
Si mund ta bekojë kjo lëndë mësimore rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore?
Gjithçka në këtë kurs ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta forcojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Me kthimin në besim vjen një dëshirë dhe zotësi më e madhe për ta shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit tek të tjerët. Për të krijuar kushte që e kultivojnë kthimin në besim, anëtarët e klasës do të ftohen që:
-
Të zhyten në manualin Predikoni Ungjillin Tim në mënyrë që të mund të përjetojnë fuqinë dhe rëndësinë e këtij manuali. Ata do të njihen gjithashtu me broshurën Adjusting to Missionary Life [Përshtatja me Jetën si Misionar] (2013).
-
Të mësojnë qëllimin e misionarëve (shihni te Predikoni Ungjillin Tim, f. 1) dhe të shohin se si ai mund t’i udhërrëfejë si në jetën e tyre sot, edhe në të gjitha aspektet e punës misionare.
-
Të bëjnë zotime që do t’i ndihmojnë ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, të përgatiten për shërbimin si misionar dhe ta shpërndajnë ungjillin e Shpëtimtarit te familjarët dhe miqtë.
-
T’i mësojnë të vërtetat që gjenden te kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim dhe ta ushtrojnë mësimdhënien e tyre.
-
Të ushtrojnë zotësi që mund t’i ndihmojnë të bëhen mësues më të mirë të ungjillit dhe më të fortë nga ana shpirtërore.
Si janë organizuar materialet e kursit?
Ky manual përfshin dy lloje përvojash të të mësuarit: mësimet bazë dhe praktikat e zotësive.
Mësimet Bazë
Mësimet bazë janë burimi kryesor për këtë kurs. Ato përqendrohen te kapitujt 1–6 dhe kapitulli 11 i manualit Predikoni Ungjillin Tim. Këta kapituj janë më të rëndësishmit për rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që nuk po shërbejnë aktualisht në një mision.
Sa vijon është një listë e mësimeve bazë:
-
Mësimi 1: Ne i Ftojmë të Tjerët të Vijnë te Krishti
-
Mësimi 2: Hyrje te Manuali Predikoni Ungjillin Tim
-
Mësimi 3: Përmbusheni Qëllimin Tuaj si Misionar/e (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 1)
-
Mësimi 4: Hulumtojini Shkrimet e Shenjta dhe Vishni Armatimin e Perëndisë (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 2)
-
Mësimi 5: Studiojeni dhe Jepeni Mësim Ungjillin e Jezu Krishtit (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 3)
-
Mësimi 6: Ushtrojeni Mësimdhënien (Ndihmat për Dhënien e Mësimeve nga kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim)
-
Mësimi 7: Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 3)
-
Mësimi 8: Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 4)
-
Mësimi 9: Përdoreni Fuqinë e Librit të Mormonit (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 5)
-
Mësimi 10: Kërkoni Cilësi si të Krishtit (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 6)
-
Mësimi 11: Ndihmojini Njerëzit të Bëjnë dhe Mbajnë Zotime (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 11)
-
Mësimi 12: Përshtatja me Jetën si Misionar
-
Mësimi 13: Shkoni Përpara me Besim
Rëndësia e Kapitullit 3
Tre nga mësimet bazë përqendrohen te kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim. Ky kapitull përmban katër mësime që i japin misionarët, si edhe një pjesë rreth ftesës për t’u pagëzuar dhe konfirmuar. Bëjeni studimin e kapitullit 3 përparësi të lartë.
Mësimi 6: “Ushtrojeni Mësimdhënien” i ndihmon anëtarët e klasës t’i mësojnë dhe t’i japin mësimet te kapitulli 3. Këtij mësimi mund t’i kushtoni më shumë se një orë mësimore. Gjithashtu idetë nga mësimi 6 mund t’i përdorni tek orët e tjera mësimore. Bërja e kësaj do t’u japë anëtarëve të klasës mundësi të vazhdueshme për t’i studiuar, mësuar, dhënë mësim dhe jetuar parimet nga kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim.
Organizimi i Mësimeve Bazë
Mësimet bazë i ftojnë pjesëmarrësit të mësojnë me anë të besimit, në mënyrë që të mund ta forcojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti. Për të mësuar me anë të besimit, duhet përpjekje dhe veprim. Merreni parasysh se si elementet në vijim të planeve mësimore mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj që të mësojnë me anë të besimit dhe t’i afrohen më shumë Shpëtimtarit.
Rishiko dhe Ndiq Ecurinë
Në fillim të çdo mësimi, nxënësit reflektojnë mbi zotimet që kanë bërë në orët e mëparshme mësimore. Përdoreni këtë si një mundësi për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta dallojnë rritjen e tyre shpirtërore.
Mundësitë për Veprimtaritë e të Mësuarit
Shumica e mësimeve bazë përfshijnë mundësi të shumta për veprimtaritë e të mësuarit. Vlerësojini nevojat e anëtarëve të klasës suaj dhe kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa përzgjidhni veprimtaritë e të mësuarit që do të përdorni. Mund të pyesni edhe anëtarët e klasës se cilat mësime dhe veprimtari të të mësuarit do t’u sillnin më shumë dobi.
Nuk ju duhet t’i përdorni të gjitha mundësitë për veprimtaritë e të mësuarit të një mësimi brenda një seance ore mësimore. Përqendrohuni te kthimi në besim, jo trajtimi tërësor i materialit. Nëse jua lejon planifikimi i ritmit mësimor, mund të shfrytëzoni më shumë se një orë mësimore për çdo mësim që të përqendroheni te veprimtaritë e ndryshme të të mësuarit.
Çdo veprimtari e të mësuarit ka këto pjesë:
-
Studio. Ide për t’i angazhuar nxënësit në një studim që nxit veprime të frymëzuara nga besimi, të tilla si: leximi, hulumtimi, theksimi me ngjyra, përsiatja, mbajtja e shënimeve, diskutimi dhe dëshmimi.
-
Ushtrohu. Sugjerime për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta vënë në praktikë atë që kanë mësuar. Kjo zakonisht përfshin të përmbledhurit, të shpjeguarit dhe dhënien mësim.
-
Vendos një synim. Kohë e kushtuar që anëtarët e klasës të vlerësojnë atë çfarë kanë mësuar dhe se çfarë zotimesh mund të bëjnë për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për t’u përmirësuar. Mund t’i ftoni nxënësit të sjellin një ditar vetjak studimi për të mbajtur shënim synimet e tyre gjatë gjithë kursit.
Udhëzime brenda mësimeve për mësuesit apo udhëheqësit e diskutimeve
Veprimtaritë e të mësuarit, më së shpeshti, do të udhëhiqen nga një mësues. Megjithatë, mund të ketë rrethana në të cilat një veprimtari e të mësuarit përdoret nga një udhëheqës i Kishës, një prind, një i ri apo e re në moshë madhore ose një i ri apo e re. Për t’i pasqyruar këto mundësi, mësimet përfshijnë kuti me udhëzime të emërtuara “udhëheqësi i diskutimeve”.
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar.
Këto udhëzime mund t’i udhërrëfejnë mësuesit ose udhëheqësit e diskutimeve në përgatitjen dhe mësimdhënien e tyre.
Praktikat e Zotësive
Ky kurs përfshin 10 praktika të zotësive në fund të manualit. Praktikat e zotësive kanë synim t’i ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë zotësi për mësimdhënie të efektshme dhe për ripërtëritje emocionale.
Sa vijon është një listë e praktikave të zotësive:
-
Praktika e Zotësisë 1: Njihini Njerëzit me Librin e Mormonit
-
Praktika e Zotësisë 2: Përdorini Shkrimet e Shenjta në Mësimdhënien Tuaj
-
Praktika e Zotësisë 3: Mësojini Njerëzit se si të Luten
-
Praktika e Zotësisë 4: Bëni Pyetje të Frymëzuara
-
Praktika e Zotësisë 5: Përpiquni të Mësoni Përmendsh Shkrime të Shenjta
-
Praktika e Zotësisë 6: Bisedoni me Çdokënd
-
Praktika e Zotësisë 7: Reagoni ndaj Ndjenjave të Pamjaftueshmërisë
-
Praktika e Zotësisë 8: Frymëmarrja e Qëllimshme
-
Praktika e Zotësisë 9: Përdoreni siç Duhet Teknologjinë
-
Praktika e Zotësisë 10: Zhvilloni Modele të Shëndetshme të të Menduarit
Praktikat e zotësive mund të jepen mësim gjatë po të njëjtës orë mësimore sikurse mësimi bazë. Disa mësime bazë japin sugjerime për praktikat e zotësive që u përshtaten.
Praktikat e zotësive janë planifikuar të zgjatin rreth 15 deri në 20 minuta, por ju mund t’i përshtatni për të qenë më të gjata ose më të shkurtra. Nuk ka pse t’i jepni mësim të gjitha praktikat e zotësive dhe mund t’i jepni mësim sipas një rendi çfarëdo. Ndonëse praktikat e zotësive janë të rëndësishme, pjesa më e madhe e kohës së mësimdhënies suaj gjatë gjithë kursit duhet të përdoret për mësimet bazë.
Mbajini Shënim Mendimet Tuaja
Hidhini një sy listës me praktikat e zotësive. Theksojini me ngjyrë ato që mendoni se mund t’i bekojnë njerëzit, të cilëve do t’u jepni mësim.
Kush mund të ketë dobi nga frekuentimi i këtij kursi?
Ndërsa shumë prej nxënësve që e frekuentojnë këtë lëndë, do të jenë duke u përgatitur për një mision mësimdhënieje, disa nxënës mund të jenë duke u përgatitur për një mision shërbimi. Të tjerë mund të mos kenë plane për të shërbyer në një mision kohëplotë, por kanë dëshirë që të mësojnë se si ta shpërndajnë ungjillin në mënyrë më të efektshme dhe të ndihmojnë në mbledhjen e Izraelit. Jini të ndjeshëm ndaj nevojave të të gjithë pjesëmarrësve, jo vetëm të atyre që përgatiten për një mision mësimdhënieje. Kërkoni mundësi për t’i ndihmuar të gjithë nxënësit që t’i shohin bekimet dhe dobitë e këtij kursi. Për shembull, mund të shpenzoni ca kohë gjatë kursit për të shqyrtuar mundësitë dhe bekimet prej një misioni shërbimi (për më shumë informacion, shihni faqen ChurchofJesusChrist.org/service-missionary).
A mund të marrin anëtarët e klasës kredite instituti për këtë kurs?
Për informacion rreth mënyrës se si të merrni kredite për diplomimin në institut ose kredite që mund të transferohen për në shkollat e Kishës, shihni faqen InstituteCredit.ChurchofJesusChrist.org.
Si mund ta organizoj në mënyrën më të mirë këtë kurs për njerëzit që e frekuentojnë klasën time?
Ky kurs ka elasticitet. Ai mund të përdoret nga degët, lagjet, kunjet dhe institutet. Mund të përdoret për një lëndë që zgjat vetëm për disa javë ose për një lëndë që zgjat për disa muaj. Ai mund të përshtatet edhe për përdorim në shtëpi.
Tabela vijuese tregon se si mund të organizohet një orë mësimore 50‑minutëshe:
|
Orë Mësimore 50‑Minutëshe |
Orë Mësimore 50‑Minutëshe |
Orë Mësimore 50‑Minutëshe | ||||||
|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Orë Mësimore 50‑Minutëshe Rishiko dhe Ndiq Ecurinë 5 minuta | Orë Mësimore 50‑Minutëshe Një Veprimtari e të Mësuarit 30 minuta | Orë Mësimore 50‑Minutëshe Praktika e Zotësisë 15 minuta | ||||||
Klasat që do të mblidhen për disa muaj, mund të përdorin më shumë se një orë mësimore për një mësim të caktuar.
|
Orë Mësimore 90‑Minutëshe |
Orë Mësimore 90‑Minutëshe |
Orë Mësimore 90‑Minutëshe | ||||||
|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Orë Mësimore 90‑Minutëshe Rishiko dhe Ndiq Ecurinë 5 minuta | Orë Mësimore 90‑Minutëshe Një Veprimtari e të Mësuarit 60 minuta | Orë Mësimore 90‑Minutëshe Praktika e Zotësisë 25 minuta | ||||||
Shembujt vijues ilustrojnë qasjet e ndryshme ndaj dhënies mësim të përmbajtjes në këtë kurs.
Shembulli 1: Klasë në Nivel Kunji (20 seanca; 60 minuta për çdo orë mësimore)
Vëllai Louall po përgatitet të japë mësim një kurs për përgatitjen e misionarëve për kunjin e tij në Akra të Ganës. Ora e tij mësimore do të zhvillohet një herë në javë. Vëllai Louall bën këtë plan:
-
Të japë një mësim bazë të dielat e para dhe të treta të muajit.
-
Meqenëse orën mësimore e frekuentojnë shumë anëtarë të rinj të Kishës dhe disa që nuk janë anëtarë të Kishës, vëllai Louall vendos që t’i vërë më tepër theks mësimit bazë 6. Ai vendos që të bëjë një veprimtari të të mësuarit nga mësimi bazë 6 të dielat e dyta dhe të katërta të çdo muaji. Kjo do t’i japë klasës së tij mundësi të shumta për të studiuar dhe dhënë mësim doktrinën thelbësore nga kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim.
-
Ai përcakton edhe katër praktika të zotësive që dëshiron t’i përdorë në orën e tij mësimore. Ai vendos që praktikën e zotësisë do ta bëjë një herë në dy javë. Njëra zotësi është aq e rëndësishme për orën e tij mësimore sa ai vendos që do ta përdorë atë në dy seanca të ndryshme orësh mësimore.
Shembulli 2: Klasë në Nivel Kunji (7 seanca; 60 minuta për çdo orë mësimore)
Vëllai dhe motra Grin po përgatiten të japin mësimet mbi përgatitjen e misionarëve për kunjin e tyre në Provo të Jutës. Ora e tyre mësimore do të zhvillohet një herë në dy javë.
-
Pasi këshillohen me presidentin e tyre të kunjit, ata vendosin të japin mësimet bazë 1, 3, 6, 9 dhe 12. Ata do të përdorin tri seanca orësh mësimore për t’u përqendruar te mësimi bazë 6. Bërja e kësaj do t’i japë klasës mundësi të shumta për ta mësuar, kuptuar dhe ushtruar mësimdhënien e të vërtetave thelbësore nga kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim.
-
Bazuar në këshillën e presidentit të tyre të kunjit, çifti Grin gjithashtu do të gjejë kohë gjatë kursit për praktikat e zotësive “Zhvilloni Modele të Shëndetshme të të Menduarit” dhe “Bisedoni me Çdokënd”.
Shembulli 3: Klasë Instituti (14 seanca; 90 minuta për çdo orë mësimore)
Motra Silva po përgatitet të japë mësim një klasë për përgatitjen e misionarëve për institutin e saj në Manaus të Brazilit. Ora e saj mësimore do të zhvillohet çdo javë për 90 minuta. Motra Silva vendos të bëjë sa vijon:
-
Gjatë 11 javëve të para, ajo do të përdorë nga 50 minuta për mësime të ndryshme bazë. Duke e ditur se disa prej anëtarëve të klasës së saj kanë pyetje rreth Frymës së Shenjtë, ajo vendos të përdorë të paktën dy orë mësimore për mësimin bazë 8: “Kërkojeni Shpirtin dhe Mbështetuni tek Ai”.
-
Motra Silva dëshiron t’i ndihmojë anëtarët e klasës së saj që ta rritin vetëbesimin e tyre për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët. Ajo vendos që në 11 javët e para, 6 prej orëve mësimore do të përfshijnë nga 30 minuta duke përdorur mësimin bazë 6 për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta mësojnë dhe japin mësim doktrinën te kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim. Ajo gjithashtu vendos që në javën e 12-të dhe të 13-të, ata do t’ia kushtojnë të gjithë orën mësimore përgatitjes dhe mësimdhënies së mësimeve të shkurtra për njëri-tjetrin.
-
Motra Silva ka përcaktuar disa zotësi që anëtarët e klasës së saj do të bekoheshin t’i ushtronin. Ajo vendos që ato praktika të zotësive t’i bëjë gjatë 11 javëve të para, në ato ditë kur nuk e kanë në program të japin mësim nga kapitulli 3.
-
Ditën e fundit, ajo planifikon ta mbyllë kursin me mësimin bazë 13: “Shkoni Përpara me Besim”.
Mbajini Shënim Mendimet Tuaja
Duke përdorur pyetjet vijuese, filloni të planifikoni se si do t’i përdorni burimet në këtë kurs:
-
Sa orë mësimore do të zhvilloni? Sa do të zgjatë secila orë mësimore?
-
Si do t’i zbatoni mësimet bazë në kursin tuaj?
-
Sa shpesh do ta vini klasën tuaj të përdorë Mësimin 6: “Ushtrojeni Mësimdhënien”?
-
Cilat praktika të zotësive do të jenë më të vlefshmet për klasën tuaj? Kur do t’i përdorni ato?
Krijoni një plan që përshtatet për klasën tuaj. Ndërsa bëni plane për programin tuaj mësimor, nëse dëshironi, mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës mendime për temat që do të ishin me interes më të madh dhe më të përshtatshme për ta.
Mbajeni mend, qëllimi themelor është kthimi në besim te Jezu Krishti, jo trajtimi tërësor i materialit. Mos i mbingarkoni orët tuaja mësimore me programin mësimor. Rritja shpirtërore nuk mund të arrihet me ngut apo forcë. Mos u shqetësoni për atë që mund të arrini në një mënyrë kuptimplotë gjatë kohës që keni.