Kurset për Ungjillin
Praktika e Zotësisë 6: Bisedoni me Çdokënd


Praktika e Zotësisë 6

Bisedoni me Çdokënd

motra misionare duke dhënë mësim në rrugë

Kur të rinjtë ose të rejat flasin me njerëz që nuk i njohin, është e zakonshme që të ndihen në siklet ose ankth. Kjo veprimtari mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të ushtrojnë zhvillimin e bashkëbisedimeve me njerëz që sapo i kanë takuar.

Udhëheqësi i diskutimeve: Përpiquni fort t’i bëni shkurt pjesët “Përcakto” dhe “Trego në Praktikë” që nxënësit të kenë mjaft kohë për praktikën.

Përcakto

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se një pjesë e punës misionare përfshin të folurit përditë me njerëz që nuk i njihni.

  • Çfarë përvoje ke pasur së fundi kur i fole dikujt për herë të parë? Si shkoi?

Udhëheqësi i diskutimeve: Përpara se t’i paraqitni orientimet specifike që do të jenë pika e përqendrimit të kësaj praktike të zotësisë, merreni parasysh të lexoni së bashku pjesën “Bisedoni me Çdokënd” (Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 162–163). Mund t’i ftoni nxënësit të diskutojnë për sugjerimet që iu dukën më të dobishmet.

Shpjegoni se kjo praktikë e zotësisë do të përqendrohet në tri orientime të përmbledhura nga manuali Predikoni Ungjillin Tim (shihni faqet 162–163) dhe broshura Adjusting to Missionary Life [Përshtatja me Jetën si Misionar] (shihni faqet 35–36). Paraqitini këto orientime dhe ftoni disa anëtarë të klasës që t’i lexojnë me radhë me zë të lartë.

  • Gjej një mënyrë të thjeshtë për të nisur një bashkëbisedim. Ji i/e ngrohtë, i/e çiltër dhe miqësor/e. Përpiqu të përshëndetësh, të bësh një përgëzim, të ofrohesh që të ndihmosh për diçka ose të bësh një pyetje (shih pikën e radhës për shembuj).

  • Bëj pyetje. Merre parasysh t’u bësh njerëzve pyetje rreth gjërave që janë interesante ose të rëndësishme për ta. Kjo mund të përfshijë punën, veprimtaritë e tyre të kohës së lirë, interesat, familjen e tyre ose vendin ku frekuentojnë kishën ose shkollën. Ji gjithashtu i/e gatshëm/me për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre rreth teje.

  • Dëgjo me sinqeritet. Përqendrohu tek ajo që po thotë personi tjetër më shumë sesa tek ajo që do të thuash në vijim. Mbaje kontaktin me sy gjatë gjithë bashkëbisedimit. Trego se ke interes për personin me të cilin po flet dhe për atë që po thotë. Mund t’i bësh pyetje të tjera për të mësuar më shumë.

Trego në Praktikë

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepini klasës modelin për këto zotësi duke ftuar një pjesëmarrës të gatshëm të dalë përpara klasës. Bëni një bashkëbisedim duke ndjekur orientimet e renditura në pjesën e mëparshme. Kur të keni mbaruar, ftojeni klasën të tregojë se në ç’mënyra vuri re që u ndoqën orientimet.

Një mënyrë tjetër se si mund ta tregoni në praktikë këtë zotësi, është duke shfaqur materialin filmik “Talking with Everyone” [“Të Biseduarit me Çdokënd”] (ChurchofJesusChrist.org; shikojeni nga kodi kohor 4:00 deri në 6:08).

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Caktojini një partner çdo pjesëmarrësi. Më pas, jepni udhëzimet vijuese. Nëse jua lejon koha, jepuni nxënësve mundësi për ta përsëritur këtë praktikë me disa anëtarë të tjerë në klasë.

Me partnerin tënd me radhë nisni një bashkëbisedim duke përdorur tri orientimet për të cilat kemi diskutuar:

  1. Gjej një mënyrë të thjeshtë për të nisur një bashkëbisedim.

  2. Bëj pyetje.

  3. Dëgjo me sinqeritet.

Zbato

Udhëheqësi i diskutimeve: Bëni ftesën vijuese. Mund të merrni parasysh ta ndiqni ecurinë për sa i përket kësaj ftese në një orë të ardhshme mësimore.

Gjej mundësi gjatë javës së ardhshme për të nisur një bashkëbisedim me dikë që nuk e ke takuar kurrë ose që nuk e njeh mirë. Ushtrohu duke përdorur zotësitë që ke mësuar sot gjatë bashkëbisedimit tënd.