Praktika e Zotësisë 1
Njihini Njerëzit me Librin e Mormonit
Zoti na e ka dhënë Librin e Mormonit për të ndihmuar për kthimin në besim. Kjo veprimtari mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrohen për t’u dhënë të tjerëve një hyrje të shkurtër mbi Librin e Mormonit.
Udhëheqësi i diskutimeve: Përpiquni fort t’i bëni shkurt pjesët “Përcakto” dhe “Trego në Praktikë” që nxënësit të kenë mjaft kohë për praktikën.
Përcakto
Udhëheqësi i diskutimeve: Paraqiteni temën për këtë praktikë të zotësisë duke shpjeguar sa vijon:
“Libri i Mormonit, i ndërthurur me Shpirtin, është burimi juaj më i fuqishëm në procesin e kthimit në besim” (Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 109). Si misionar/e, do të kesh mundësi të shumta t’i njohësh njerëzit me Librin e Mormonit.
Përfytyro sikur ke një shok ose shoqe që të pyet: “Çfarë është Libri i Mormonit?”
-
Po të kesh vetëm një ose dy minuta kohë për t’u përgjigjur, cilat mund të jenë disa nga gjërat më të rëndësishme për t’u kuptuar prej tij ose saj?
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e nxënësve për pyetjen e mëparshme. Shpjegoni se, kur i njohim njerëzit me Librin e Mormonit, mund të jetë e dobishme të përqendrohemi tek ato që kanë më shumë rëndësi. Pika të thjeshta tek të cilat mund të përqendrohemi, mund të gjenden te kreu “Njohja e Njerëzve me Librin e Mormonit” te “Mësimi 1 – Mesazhi i Rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit” (Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 3, f. 41). Ftojini anëtarët e klasës ta gjejnë këtë krye. Më pas, jepni udhëzimet vijuese:
Lexoje pjesën “Njohja e Njerëzve me Librin e Mormonit” në kutinë “Ide për Mësimdhënie” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 41). Kërko pika të dobishme ku të përqendrohesh kur t’i njohësh njerëzit me Librin e Mormonit.
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit t’i tregojnë ato që gjetën. Nëse është e nevojshme, mund ta përditësoni listën që krijuat më herët në tabelë.
Trego në Praktikë
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepni modelin e një shembulli se si t’i njihni të tjerët me Librin e Mormonit. Mund ta bëni këtë duke e njohur klasën me Librin e Mormonit, ose mund të ftoni një anëtar të klasës të dalë përpara klasës që të mund ta interpretoni me role njohjen e tij me librin.
Një mundësi tjetër mund të jetë të shfaqni materialin filmik “Çfarë Është Libri i Mormonit? Një Përshkrim 60‑Sekondash” (1:08) ose “What is the Book of Mormon about?” [“Për Çfarë Flet Libri i Mormonit?”] (1:53). Të dyja materialet filmike janë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Anëtarët e klasës mund të kërkojnë ide që mund t’i përfshijnë në paraqitjet e tyre.
Ushtrohu
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepni udhëzimet vijuese. Jepuni nxënësve kohë për t’u përgatitur dhe ushtruar.
Përgatitu ta njohësh dikë me Librin e Mormonit duke bërë sa vijon:
-
Hidh në letër pika kyç që mund të thuash, përfshirë atë se për çfarë flet Libri i Mormonit dhe si ka ndikuar tek ti personalisht.
-
Me një partner, me radhë, kaloni nga 1–2 minuta kohë secili dhe njiheni njëri-tjetrin me Librin e Mormonit.
Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi anëtarët e klasës ta kenë mbaruar praktikën, mund t’i ftoni të përcaktojnë se çfarë përshtatjesh mund t’i bëjnë mënyrës se si e paraqitën Librin e Mormonit. Më pas, mund t’i caktoni të punojnë me një partner tjetër dhe t’i ftoni të ushtrohen sërish.
Zbato
Udhëheqësi i diskutimeve: Bëni një ftesë si ajo në vijim për t’i ndihmuar nxënësit ta vënë në zbatim këtë zotësi:
Kërko një mundësi për ta njohur dikë me Librin e Mormonit në dy a tri ditët në vijim. Ky mund të jetë dikush që nuk e njeh tani për tani librin, ose mund ta ushtrosh paraqitjen tënde me një mik ose pjesëtar të familjes.