Kurset për Ungjillin
Praktika e Zotësisë 8: Frymëmarrja e Qëllimshme


Praktika e Zotësisë 8

Frymëmarrja e Qëllimshme

person duke marrë frymë

Gjatë shërbimit misionar dhe në jetën tonë të përditshme, është e zakonshme që të krijohen situata stresuese. Frymëmarrja e qëllimshme është një teknikë që mund ta përdorim për të pakësuar stresin dhe për të krijuar një ndjenjë mirëqenieje.

Udhëheqësi i diskutimeve: Përpiquni fort t’i bëni shkurt pjesët “Përcakto” dhe “Trego në Praktikë” që nxënësit të kenë mjaft kohë për praktikën.

Përcakto

Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të flasin rreth asaj se si stresi mund të ndikojë te ne, si në mënyra pozitive, ashtu edhe negative. Sipas nevojës, mund të shfaqni shpjegimin vijues:

Përjetimi i stresit mund të na japë mundësi për t’u tendosur, për t’u rritur dhe për t’u mbështetur te Perëndia për forcë. Megjithatë, çaste intensive stresi ose stresi i ndier vazhdimisht për periudha të gjata kohore, mund të çojnë në sfida fizike dhe emocionale.

Udhëheqësi i diskutimeve: Lexojeni dhe diskutojeni së bashku këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 101:16. Pyetini pjesëmarrësit se si ndiejnë se kjo këshillë gjen zbatim për situatat stresuese, përfshirë situatat me të cilat mund të përballen si misionarë. Mund të paraqitni zotësinë e frymëmarrjes së qëllimshme duke paraqitur sa vijon:

Një mënyrë pozitive, për t’i përballuar format negative të stresit, është nëpërmjet ushtrimeve të frymëmarrjes së qëllimshme. Kryerja e frymëmarrjes së qëllimshme mund të na ndihmojë ta qetësojmë mendjen dhe trupin. Ajo gjithashtu na lejon ta përmirësojmë përqendrimin, t’i kontrollojmë emocionet, ta përmirësojmë kujtesën dhe të bëhemi më të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit.

Trego në Praktikë

Udhëheqësi i diskutimeve: Në vijim janë dy lloje ushtrimesh me frymëmarrje të thellë që mund t’i tregoni në praktikë:

Mundësia 1: Frymëmarrja kutizë

Ulu në një karrige dhe rehatohu. Sigurohu që ta kesh të mbështetur shpinën dhe që këmbët t’i kesh ngulur në dysheme. Mund t’i mbash sytë hapur ose mbyllur.

  • Hapi 1: Merr frymë me hundë dhe numëro ngadalë deri në pesë, duke i mbushur mushkëritë me ajër.

  • Hapi 2: Mbaje frymën për pesë sekonda. Përpiqu ta shmangësh nxjerrjen e frymës për plot pesë sekonda.

  • Hapi 3: Nxirre frymën ngadalë nga goja për pesë sekonda.

  • Hapi 4: Mbaje frymën për pesë sekonda.

  • Hapi 5: Përsëriti hapat nga 1 në 4 derisa të ndihesh i/e shtendosur.

Udhëheqësi i diskutimeve: Mund të paraqitni grafikun vijues për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë këtë ushtrim për frymëmarrjen:

merr frymë

Mundësia 2: Ushtrim për frymëmarrjen në broshurën Adjusting to Missionary Life [Përshtatja me Jetën si Misionar]

Udhëheqësi i diskutimeve: Ndihmojini nxënësit ta gjejnë materialin Adjusting to Missionary Life [Përshtatja me Jetën si Misionar] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] (Biblioteka > Manualet dhe Thirrjet > Thirrjet në Mision > Adjusting to Missionary Life [Përshtatja me Jetën si Misionar]).

Gjej veprimtarinë “Breathing Exercise” [“Ushtrim për Frymëmarrjen”] në pjesën “General Principles for Managing Stress” [“Parime të Përgjithshme për Mbajtjen nën Kontroll të Stresit”] të materialit Adjusting to Missionary Life [Përshtatja me Jetën si Misionar] ([2013] f. 18). Ndiq tri hapat që përshkruhen te veprimtaria.

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi të tregoni në praktikë njërin ose të dyja ushtrimet për frymëmarrjen, jepuni pjesëmarrësve kohë për t’i ushtruar. Mund t’i ftoni ata t’i vlerësojnë ndjenjat e tyre të stresit ose ankthit në një shkallë nga 1 deri në 5, përpara dhe pas ushtrimeve për frymëmarrjen, për të parë a vënë re ndonjë ndryshim.

Zbato

Udhëheqësi i diskutimeve: Bëni një ftesë si ajo në vijim për t’i ndihmuar pjesëmarrësit ta vënë në zbatim këtë zotësi:

Ushtroje frymëmarrjen e qëllimshme për disa minuta çdo ditë, si edhe sa herë që përjeton stres. Kushtoji vëmendje mënyrës se si ndihesh ndërsa e ushtron. Lutu për ndihmën e Atit Qiellor që t’u bësh ballë situatave stresuese në jetën tënde.