“Shpërndarja e Rrezeve të Diellit”, Miku, maj 2025, f. 30–31.
Pionierë në Çdo Vend
Shpërndarja e Rrezeve të Diellit
“Është një këngë nga kisha ime”, – tha Anheli.
Një ngjarje e vërtetë nga Argjentina.
Anheli u ngjit në karrocë dhe zuri vend pranë Papá‑s (babait). Shishet prej qelqi me qumësht mbrapa tringëllonin lehtë ndërsa kali i tyre vijonte me të shpejtë përpara. Dielli po shkëlqente dhe i kujtoi këngën e tij të parapëlqyer.
“Jezus’ më do rreze dielli”, – këndoi Anheli.
Disa muaj më parë Anheli ishte pagëzuar. Edhe mamaja dhe vëllai i tij i vogël, Oskari, u pagëzuan. Papá nuk u bashkua me Kishën, por ishte i lumtur për ta. Anhelit ende i kujtohej se si u ndje kur doli nga uji. Ishte ashtu si ndjesia e ngrohtë nga rrezet e diellit mbi shpinën e tij, por e ndier në shpirt.
Anheli vazhdoi të këndonte me vete ndërkohë që Papá e ndali karrocën jashtë shtëpisë së Señora Perez‑it (zonjës Perez). Anheli u hodh nga karroca dhe mori një shishe me qumësht nga mbrapa. Señora Perez‑i ishte njëra nga blerëset e familjes së tij.
“Shpërndarja!” – tha ai.
Señora Perez‑i po punonte në kopsht. “Faleminderit”, – tha ajo, duke marrë shishen. Ajo i dha atij disa monedha. “Çfarë kënge po këndoje?”
Anheli ndjeu se iu skuqën faqet. Nuk e kishte kuptuar se ajo e kishte dëgjuar.
“Është një këngë nga kisha ime”, – tha Anheli. “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”
Señora Perez‑i buzëqeshi. “Përse nuk më tregon diçka për kishën tënde?”
Për një çast, Anheli nuk ishte i sigurt se çfarë të thoshte. Më pas ai tha: “Ne besojmë se e njëjta kishë që Jezu Krishti themeloi kur jetoi në tokë, është këtu përsëri”.
“Interesante!” – tha Señora Perez‑i. “Nuk kam dëgjuar kurrë për një kishë që e beson këtë gjë.”
“Ndoshta mund të vish ndonjëherë”, – tha Anheli. “Ditë të mbarë!” Pastaj u kthye me vrap te Papá për ta ndihmuar që të shpërndante pjesën tjetër të qumështit.
Anheli u zgjua të dielën herët në mëngjes. Ai mund ta dëgjonte mamanë në kuzhinë duke bërë mëngjesin.
“Oskar”, – tha Anheli, – “është koha për t’u bërë gati për në kishë.”
Anheli dhe Oskari veshën rrobat e kishës dhe u bënë gati të niseshin. Ndërtesa e kishës ishte gati 3,2 kilometra larg. Ishte një udhë e gjatë më këmbë, prandaj u duhej që të niseshin herët.
“Kalofshi mirë!” – tha Papá kur ata u larguan.
Teksa ecnin, Anheli përsëri këndonte nën zë këngën e tij të parapëlqyer. Ai këndonte nën zë teksa kalonin pranë shtëpive ku shpërndante qumështin. Ai këndonte nën zë teksa kalonin pranë tezgave të frutave në treg. Dhe këndonte nën zë teksa morën kthesën drejt rrugës ku ishte ndërtesa e kishës.
Kur u futën brenda, Anheli u befasua. Señora Perez‑i ishte atje! Ajo kishte sjellë tërë familjen me vete.
“Erdhët në kishë!” – tha Anheli.
Señora Perez‑i pohoi me kokë. “U frymëzova nga kënga jote”, – tha ajo. “Mora në telefon mamanë tënde për adresën. Doja të vija që të mësoja vetë për këtë kishë.”
Anheli buzëqeshi. Ai e kishte shpërndarë ungjillin thjesht duke kënduar një këngë. Shpresonte që edhe Señora Perez‑i të mund të ndiente sot disa rreze dielli në zemrën e saj.
Ilustrimet nga Jomike Tejido