2025
Të Dëgjuarit e Frymës së Shenjtë
Mars 2025


“Të Dëgjuarit e Frymës së Shenjtë”, Miku, mars 2025, f. 40–41.

Të Dëgjuarit e Frymës së Shenjtë

“Gjeje se çfarë mësova në Fillore”, – tha Kimi.

Një ngjarje e vërtetë nga Filipinet.

Ilustrim i një radioje

Kimi hapi sytë e tij të përgjumur. Më në fund ishte fundjavë!

“Është koha për t’u zgjuar, përndryshe do të bëhemi vonë”, – thirri mami.

Kimi do të dëshironte të flinte më gjatë, por sot ishte dita për të shkuar në treg. Duhet ta ndihmonte mamin të blinte ushqime për javën. Kështu që u ngrit dhe e hëngri mëngjesin shpejt.

Mami kishte gatuar shumë gjëra për Kimin dhe dy vëllezërit e tij. Ajo ishte shumë e zënë me punën dhe nuk kishte shumë kohë për të ndenjur në shtëpi. Kimi dhe vëllezërit e tij punuan së bashku për të bërë pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë. Kimi ishte i lumtur që do ndihmonte.

Kur Kimi dhe mami u kthyen nga tregu, mamit i duhej të nisej për në punë. Gjatë kohës që ajo ishte në punë, Kimi dhe vëllezërit e tij u bënë gati për të dielën. Kimi nxori këpucët, pantallonat dhe këmishën që do të vishte nesër në kishë. Vëllai i tij më i madh, Robini, e ndihmoi të hekuroste këmishën. Më pas përgatitën darkën.

Kimi po pastronte kuzhinën kur mami erdhi në shtëpi. Ajo dukej shumë e lodhur.

“Merre mami.” Kimi i zgjati një tas të nxehtë me ushqim për ta ngrënë.

Mami buzëqeshi. “Faleminderit për ndihmën tënde sot! Kjo duket e shijshme!”

Të nesërmen në mëngjes, Kimi u zgjua herët dhe u bë gati për në kishë. Ishte i gëzuar që do të shihte miqtë e tij në Fillore dhe do të mësonte rreth Jezu Krishtit.

“Mami?” – thirri ai qetë, duke trokitur në derë. “A do të vish me ne sot në kishë?”

“Nuk mundem”, – tha mami. “Jam në punë këtë pasdite.”

“Në rregull.” Kimi u trishtua pak. Kishte kaluar gati një vit qëkurse mami kishte ardhur në kishë me ta. “Rrugë të mbarë dhe kalofsh mirë sot!” – i tha ai asaj.

“Gati për t’u nisur?” – e pyeti vëllai i tij i vogël, Metju.

“Po!” Kimi veshi këpucët dhe nxitoi të dilte nga dera me vëllezërit për të kapur autobusin.

Kimi u ndje i lumtur kur hyri në godinën e kishës. Ai u përpoq të mendonte rreth Jezu Krishtit gjatë sakramentit. Në Fillore, ai tregoi shumë vëmendje gjatë mësimit të motrës Ortega.

“Sot do të mësojmë për Frymën e Shenjtë”, – tha motra Ortega. “Fryma e Shenjtë na sjell mesazhe nga Ati Qiellor. Pak a shumë si një radio.”

Kimi vështroi figurën e një radioje që motra Ortega e mbante lart në dorë.

“Një radio punon duke marrë sinjal dhe duke e kthyer në valë tingulli që mund t’i dëgjojmë”, – shpjegoi ajo. “Duhet ta vendosni në kanalin e duhur për ta dëgjuar. Për të dëgjuar Frymën e Shenjtë, ne duhet t’i vendosim zemrën e mendjen gjithashtu në kanalin e duhur. Si mund ta bëjmë këtë?”

Të gjithë po mendonin. Pastaj Kimi tha: “Duke e ndjekur Jezu Krishtin dhe duke zbatuar urdhërimet”.

Motra Ortega buzëqeshi. “E saktë!”

Pas kishe, Kimi ndihmoi sërish të bënte darkën. Ndjeu ngrohtësi në zemër teksa ndihmonte. Ai e dinte se duke i shërbyer familjes, po e vendoste zemrën në kanalin e duhur për të ndier Frymën e Shenjtë.

Ilustrim i mamit dhe djalit duke gatuar së bashku

Kur mami erdhi në shtëpi, Kimi e përqafoi fort. Më pas ata bënë lutje për ushqimin dhe filluan të hanin.

“Gjeje se çfarë mësova në kishë sot”, – tha Kimi. Atij i pëlqente t’i tregonte mamit rreth Fillores.

“Çfarë?” – e pyeti mami.

“Ne mësuam rreth Frymës së Shenjtë”, – tha Kimi. “Është si një radio. Kur i zbatojmë urdhërimet, mund ta çojmë zemrën te kanali i duhur për ta dëgjuar Atë.”

Mami tundi kokën. “Shkëlqyeshëm! Pra, cili është një shembull i zbatimit të urdhërimeve?”

Kimi buzëqeshi. “Të ndihmosh mamin!” Ai buzëqeshi. “Të dua, mami.”

Historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Uran Duo