“Dëbimi i Hijeve nëpërmjet të Kënduarit”, Miku, mars 2025, f. 16–17.
Dëbimi i Hijeve nëpërmjet të Kënduarit
Befas i erdhi në mendje teksti i këngës së tij të parapëlqyer të Fillores.
Një ngjarje e vërtetë nga Meksika.
“Ora për të fjetur”, – tha mami me buzëqeshje.
Logani shkoi në dhomën e tij. Ai bëri lutjen dhe u fut këmbadoras në shtrat. Pastaj mami i lexoi një histori. Ai i mbylli sytë ngadalë. Shpejt e zuri gjumi.
Mirëpo Logani pa një ëndërr të frikshme. Ishte vetëm në një vend të errët. Ai pa një përbindësh të madh me gjemba dhe me dhëmbë gjigantë. Ai i turfulloi djalit. Pastaj nisi të vraponte drejt tij!
Logani u përpoq të ikte me vrap. Mirëpo rrëshqiti dhe ra. Përbindëshi u afrua më shumë dhe u bë më i madh derisa …
Logani u zgjua dhe u ul në shtrat. Ai i fshiu lotët nga sytë dhe pa se ishte ende errësirë jashtë.
Donte t’ua tregonte prindërve ëndrrën. Por nuk donte të largohej nga shtrati. Errësira e bënte të ndihej sikur përbindëshi ishte fshehur diku. Çdo hije dukej e frikshme. Një qen që lehte nga jashtë, ngjante si një përbindësh që turfullonte.
Logani i ngriti çarçafët deri te hunda. Kishte shumë frikë të lëvizte.
Donte që ta zinte gjumi përsëri. Por sa herë që mbyllte sytë, shihte fytyrën e inatosur të përbindëshit dhe dhëmbët e mprehtë. Nuk i hiqeshin nga sytë hijet e frikshme.
Pastaj pa një fotografi mbi komodinën pranë shtratit të tij. Ishte një fotografi e tij, e dy vëllezërve, e babit dhe mamit jashtë tempullit në Monterei të Meksikës. Sa të lumtur dukeshin!
Befas i erdhi në mendje teksti i këngës së tij të parapëlqyer të Fillores. “Tempullin shum’ dua t’shoh”, – filloi Logani të këndonte qetësisht. “Një dit’ atje do shkoj. Të ndiej Shpirtin e Shenjtë, të lutem dhe dëgjoj.”*
Ndërsa këndonte, Logani mendoi rreth asaj dite në tempull me familjen e tij. Kishte ndier shumë paqe. Për shkak të tempullit, ai mund të ishte me familjen e tij përgjithmonë.
Logani nuk e dëgjonte dot qenin që lehte për shkak se e mbulonte zëri i tij. Ai i mbylli sytë dhe vazhdoi të këndonte. “Si f’mi’ i Per’ndis’ kam mësuar: Familja ësht’ n’përjet’si.” Ndjeu paqe në zemër që e bëri të buzëqeshte. E dinte që nuk kishte asnjë përbindësh.
Dhoma kishte qenë e errët dhe e frikshme. Por tani ishte një vend i qetë dhe i sigurt. Logani e vuri kokën në jastëk dhe e zuri gjumi në paqe.
Kur u zgjua nga gjumi, jashtë ndriçonte dielli. U ngrit dhe vështroi rrezet e diellit që binin te fotografia e tempullit. Këndoi nën zë këngën e tij të parapëlqyer ndërsa po bëhej gati për në kishë.
Rrugës për në kishë, i tregoi familjes rreth makthit të tij dhe këngës që këndoi. Ai dëgjoi bisedat dhe këndoi himnet në godinën kishtare. Pastaj erdhi koha të shkonte në Fillore.
Loganit i pëlqente shumë të dëgjonte pianon. Tani e dinte se disa këngë janë aq të fuqishme sa të dëbojnë edhe përbindëshat e frikshëm.
“Mirëserdhët në kohën e të kënduarit”, – tha udhëheqësja e Fillores. “Çfarë kënge të këndojmë në fillim?”
“E di unë!” – tha Logani, duke ngritur dorën lart. “Le të këndojmë këngën: ‘Tempullin Shum’ Dua t’Shoh’.”
Ilustrimet nga Carolina Farías