“Në Kërkim të Majmunëve”, Miku, mars 2025, f. 4–5.
Në Kërkim të Majmunëve
“Është njësoj siç mund të dëgjoj Frymën e Shenjtë kur mbaj vesh.”
Një ngjarje e vërtetë nga Kosta‑Rika.
“Uaa!” – tha Etani. “E pe atë?”
“Po, shiko sa bisht të vogël të lezetshëm që ka!” – tha Lili.
Bostoni ngriti sytë lart, por pa vetëm hije.
“Sot kemi parë tre majmunë deri tani!” – tha Etani.
Kurse Bostoni nuk kishte parë asnjë! Familja e tij po vizitonte një pyll tropikal për të parë majmunë të egër. Mirëpo majmunët ishin shumë larg për t’i parë Bostoni.
Bostoni ishte i verbër. Ai mund të shihte vetëm ato gjëra që i kishte shumë afër. Zakonisht, nuk e kishte problem që ishte i verbër. Ai prapëseprapë mund të bënte shumë gjëra interesante. Mund të lexonte në gjuhën breil me gishta dhe të ecte me shkopin e tij në errësirë. Ai mund t’i gjente njerëzit duke u dëgjuar zërin.
Por nganjëherë, Bostonit nuk i pëlqente të ishte i verbër, si sot.
Bostoni u ul në shesh dhe psherëtiu. “Nuk është e drejtë!” – mendoi ai.
Disa minuta më vonë i erdhi një ide. “Atë Qiellor, të lutem ndihmoje një majmun të më vijë aq afër sa të mund ta shoh”, – u lut Bostoni me mendje.
Bostoni nuk kishte parë ende asnjë majmun. Pastaj dëgjoi një zhurmë në largësi.
“A e dëgjuat këtë?” – pyeti Bostoni. “Mendoj se ishte një majmun!”
“Nuk dëgjova gjë”, – tha Etani.
“As unë”, – tha babi. “Ke dëgjim të mirë!”
Bostoni dëgjoi një majmun të vraponte mes shkurreve në anë të shtegut. Ai tregoi me gisht andej nga erdhi tingulli. “Ja, atje!”
Pastaj dëgjoi edhe një tjetër, edhe një tjetër. Nganjëherë familja e tij mund t’i shihte majmunët pasi ai ua tregonte me gisht. Mirëpo asnjë nga majmunët nuk i erdhi aq afër sa ta shihte.
Shpejt erdhi koha për të shkuar në shtëpi.
“Më vjen keq që nuk pe ndonjë majmun”, – i tha mami ndërsa ecnin për te makina.
Bostoni mblodhi supet. “Nuk ka gjë. Doja ta shikoja një, por të paktën dëgjova shumë prej tyre.” Më pas i shkoi mendja te lutja. “Më kujton disi Frymën e Shenjtë.”
“Ç’do të thuash?” – e pyeti mami.
“Kur u ndala të mbaja vesh, kuptova se i kisha kudo rrotull vetes. Mund t’i dëgjoja ndonëse nuk i shihja dot. Është njësoj siç mund të dëgjoj Frymën e Shenjtë kur mbaj vesh.”
“Ky është një mësim i shkëlqyer!” – tha mami.
Bostoni dëgjoi diçka te shkurret afër tij. Pastaj diçka doli befas në shteg, mu përpara tij! Kishte qime të kuqërremta dhe bisht të gjatë. Ndaloi dhe e pa drejtpërdrejt atë. Pastaj vrapoi sërish drejt pemëve.
Një majmun! Si përfundim arriti të shihte një majmun!
Bostoni buzëqeshi. Të qenit i verbër ishte e vështirë nganjëherë. Por sot, kjo e ndihmoi atë të mësonte rreth Frymës së Shenjtë. Ishte tejet e hatashme!
Ilustrimet nga Alyssa Gonzalez