“Të Ndihesh i/e Trishtuar”, Miku, mars 2025, f. 36–37.
Të Ndihesh i/e Trishtuar
Pse nuk mund të jem e lumtur si gjithë të tjerët?
Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja.
Savana i tërhoqi batanijet sipër kokës. Sot ishte vërtet një ditë e keqe.
Gjatë shkollës sot, Savana nuk mundi të përqendrohej tek asgjë. Ndihej e lodhur, e shqetësuar dhe e trishtuar. Kishte një rëndesë të madhe në stomak që nuk i largohej. Në fund të ditës, ajo që donte të bënte, ishte thjesht të futej këmbadoras nën tryezën e saj e të fshihej.
Më vonë, Savana u ndje e trishtuar gati gjatë gjithë kohës. Miqtë e saj ishin përpjekur t’ia ngrinin humorin, por nganjëherë Savana nuk donte të rrinte me ta. Ata dukeshin gjithmonë shumë të lumtur. Nganjëherë ajo mendonte se ata do të ishin më të lumtur pa të.
“Çfarë nuk shkon me mua?” – vrau mendjen Savana. “Pse nuk mund të jem e lumtur si gjithë të tjerët?”
Ndiente të ftohtë dhe vetmi si retë gri atje jashtë. Tani ajo thjesht donte të flinte.
Savana dëgjoi që u hap dera e dhomës së gjumit.
“Savana”, – tha mami, duke u ulur në cep të shtratit, “çfarë ke?”
“Asgjë”, – tha Savana. “Jam thjesht e lodhur.”
“Je e sigurt?” – e pyeti mami. “Jam e shqetësuar për ty.”
“Jam mirë”, – tha Savana.
“Në rregull.” Mami u ngrit. “Thjesht mos harro se mund të flasësh me mua për çdo gjë. Të dua.”
Savana qëndroi në shtrat deri në mbrëmje. Atë natë, nuk e zuri fare gjumi. Truri nuk i ndalonte së menduari për çdo gjë.
Të nesërmen ndihej ende e shteruar. Ishte një ditë tjetër e gjatë. Savana u kthye në shtëpi nga shkolla dhe u ul në tryezën e ngrënies. Ajo psherëtiu dhe vështroi nga dritarja. Po binte sërish dëborë.
“Savana?”
Savana u kthye dhe u habit kur pa gjyshen duke hyrë në dhomë.
“Ç’kemi gjyshe?” – tha Savana. “Çfarë bën këtu?”
Gjyshja u ul. “Mami kishte dëshirë që unë të vija”, – tha ajo. “Është e shqetësuar për ty.”
“Thjesht kam qenë shumë e lodhur. Por, mirë jam”, – tha Savana.
Gjyshja buzëqeshi butësisht. “A të kam treguar rreth verës kur u shpërngulëm unë me gjyshin?”
“Më duket se jo”, – tha Savana.
“Isha e trishtuar gjithë kohës”, – tha gjyshja. “Doja të isha e lumtur, por thjesht nuk më interesonte asgjë. Ndihesha shumë e vetmuar.”
“Por ti kishe gjyshin dhe mamin tim.” Savana uli sytë te këpucët. “Pse duhej të ndiheshe e vetmuar?”
“Nuk mund ta kuptoja se ç’po ndodhte”, – tha gjyshja. “Nuk isha ndier asnjëherë më parë ashtu. Si përfundim, shkova te mjeku.”
“Çfarë ndodhi?”
Gjyshja e hodhi krahun rreth saj. “Mësova se kam depresion.”
“Oh, pra, ti thjesht ndiheshe e trishtuar?” – e pyeti Savana.
“Jo, depresioni është diçka më shumë se të ndihesh e trishtuar”, – shpjegoi gjyshja. “Trishtimi nuk po më largohej. E kisha të vështirë të bëja gjithë gjërat që bëja normalisht. E kisha të vështirë edhe t’u afrohesha njerëzve të tjerë, madje edhe familjes. Kisha vërtet nevojë për ndihmë.”
Savana ngriti sytë. “Çfarë lloj ndihme?”
“Mjeku ma shpjegoi problemin që kisha, dhe bëmë një plan së bashku për të më ndihmuar që të ndihesha më mirë”, – tha gjyshja. “Por nganjëherë prapë ndihesha e trishtuar. Kaloja shumë kohë duke u lutur. Kur isha e vetmuar, përfytyroja Shpëtimtarin të ulur pranë meje. Ndihesha më mirë kur e mendoja Atë.”
Savana vështroi dëborën përjashta dhe e zuri drithërima. “Edhe unë ndihem shumë herë e trishtuar. Përpiqem të ndihem e lumtur, por nganjëherë thjesht nuk mundem dhe nganjëherë zemërohem me veten që ndihem ashtu.”
“E di, zemër.” Gjyshja i dha Savanës një përqafim. “Kështu ndihem edhe unë nganjëherë. Por ti nuk je vetëm. Unë të dua, prindërit të duan dhe Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan. Ata e kuptojnë dhembjen tënde dhe nuk do të të braktisin kurrë.”
“Ndoshta gjyshja ka të drejtë”, – mendoi Savana. “Nuk jam vetëm.” Savana nuk e ndjeu më aq shumë rëndesën në stomak.
“Mendoj se duhet të flas me mamin”, – tha Savana. “Edhe ajo dëshiron të më ndihmojë.”
“Kjo është ide e shkëlqyer.” Gjyshja e kapi Savanën për dore.
Savana buzëqeshi dhe u mbështet te supi i gjyshes. Nuk ndiente më të ftohtë dhe vetmi.
Ilustrimet nga Marina Pessarrodona