“Mrekullia e Biskotave”, Miku, mars 2025, f. 30–31.
Pionierë në Çdo Vend
Mrekullia e Biskotave
“Atë në Qiell, nuk kemi ushqim për darkën. Të lutem, na ndihmo.”
Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja.
Era e acartë turfullonte dhe bora vërtitej rreth karrocës së dorës. Xhejni e tërhoqi më fort batanijen e saj të hollë rreth shpatullave. Këmbët i ishin mpirë, por vazhdoi të ecte. Po vijonin rrugën drejt Solt‑Lejk‑Sitit të Jutës.
Xhejni dhe familja e saj kishin mësuar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Angli. Kur profeti u kërkoi anëtarëve të Kishës të vinin në Jutë, familja e saj kurseu çdo qindarkë që mundi për të bërë udhëtimin. Ata e kaluan oqeanin me anije. Tani po udhëtonin me karroca dore përmes rrafshinave. Kishin ecur për muaj të tërë dhe po u mbaronte ushqimi.
Lotët rrodhën në faqet e Xhejnit. “Kam shumë uri”, – i tha ajo vëllait më të madh, Tomasit. “Nuk kam fuqi të hedh as edhe një hap tjetër!”
Tomasi preu një copë lëkurë të papërpunuar nga rrota e karrocës. “Merre, përtyp këtë”, – tha ai. “Do të shkojë mirë.”
“Faleminderit”, – pëshpëriti Xhejni ndërsa përtypte copën e fortë prej lëkure.
Shpejt erdhi koha për të fushuar për natën. Disa burra u larguan për të gjuajtur një buall. Xhejni shpresonte që ata të gjenin ndonjë. E kishte stomakun bosh. Ndërsa pritnin, Xhejni dhe familja e saj u grumbulluan rreth një zjarri të vogël, të lodhur, të uritur e të ftohtë akull.
“Le të bëjmë një lutje”, – tha Xhejni.
Familja u gjunjëzua së bashku dhe nëna u lut. “Atë në Qiell, nuk kemi ushqim për darkën. Të lutem, na ndihmo.”
Xhejni dhe vëllezërit e motrat e saj u ulën qetësisht për një çast. Pastaj, nëna drejtoi trupin.
“Çfarë ke?” – e pyeti Tomasi.
“M’u kujtua diçka.” Nëna nxitoi drejt karrocës së dorës dhe hapi sëndukun e familjes. Pastaj nxori një kuti të vogël metali dhe e hapi. Brenda ishin dy biskota shumë të forta. Ato kishin mbetur që nga udhëtimi i tyre në oqean muaj përpara.
Xhejni ndjeu të mbushej me gëzim. Ata kishin vërtet ushqim! “Mund t’i ndajmë në copa të vogla që të hamë të gjithë”, – tha ajo.
Por kur e provuan, biskotat ishin bërë tepër të forta për t’u thyer përgjysmë.
“Le ta bëjmë kështu”, – tha nëna. Ajo i futi biskotat në tenxheren prej hekuri dhe iu hodhi pak ujë nga sipër. Pastaj vendosi kapakun dhe e vuri tenxheren e rëndë mbi thëngjij.
Xhejni dhe familja e saj u lutën sërish. Asaj i erdhi ndër mend historia e Jezu Krishtit në shkrimet e shenjta, kur Ai ushqeu pesë mijë veta me vetëm pak bukë e disa peshq. Ajo e dinte se Ati Qiellor mund t’i ndihmonte edhe ata.
Pak më pas, nëna e hapi ngadalë tenxheren. Ishte mbushur me ushqim deri në grykë! Kishte mjaftueshëm sa për të ushqyer gjithë familjen.
Xhejni e përqafoi nënën e saj fort. “Është një mrekulli!”
Ilustrimet nga Simini Blocker