2025
A Jam Aq i Mirë Sa Duhet?
Mars 2025


“A Jam Aq i Mirë Sa Duhet?”, Liahona, mars 2025.

Portrete Besimi

A Jam Aq i Mirë Sa Duhet?

Mendova se do t’i gjeja besimin, dashurinë dhe të vërtetën shpirtërore duke pasur një stil alternativ jetese. Nuk i gjeta. I gjeta në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe në tempull.

burrë i ulur në zyrën në shtëpi

Fotografia nga Leslie Nilsson

Kur isha adoleshent në vitet 1960, Lufta e Vietnamit po gëlonte. Xhon F. Kenedin e kishin vrarë, ashtu sikurse edhe Martin Luter Kingun e Ri dhe Robert Kenedin. Unë ngrita krye ndaj prindërve dhe ndaj gjithë traditave dhe institucioneve të kohës. Nuk doja të martohesha ose të sillja fëmijë në një botë që ishte aq e dhunshme, e pandershme dhe jofunksionale.

E lashë shkollën e mesme në vitin e parafundit, u shpërngula në distriktin e Hejt‑Eshbërit të San‑Françiskos në Kaliforni, SHBA dhe bëra jetën e një hipie nga viti 1969 deri në 1972. Jetoja me një grup njerëzish, bëja çdo lloj pune që mund të gjeja, dhe përqafova një stil idealist dhe hedonist jetese, përfshirë abuzimin me drogën.

i ri me flokë të gjatë dhe mjekër

Kur Rendi qe adoleshent, ai mendoi se jeta e tij nuk kishte një të ardhme të lumtur. “Unë ngrita krye ndaj prindërve dhe ndaj gjithë traditave dhe institucioneve të kohës”, – thotë ai.

Në të njëjtën kohë, po kërkoja besim, dashuri dhe të vërtetë shpirtërore. Meditova dhe studiova fe të ndryshme, duke shkëputur prej tyre çdo gjë që më godiste si e vërtetë ose me vlerë. I gjithë kërkimi im, sidoqoftë, u mbyll me një zhgënjim. Vëllai im, Xhoni, duke e ditur për kërkimin tim, më dërgoi një Libër të Mormonit.

“Duhet ta lexosh këtë”, – më shkroi Xhoni, i cili i qe bashkuar Kishës më herët.

Kur më pushuan nga puna ngaqë po lexoja Librin e Mormonit në punën time në një pikë karburanti, mendova: “Ky libër nuk mund të jetë i mirë”. E hodha librin tutje.

Jo shumë kohë paskëtaj, Xhoni më tha se do të vinte në zonën e gjirit të San‑Françiskos me një grup këngëtarësh nga Universiteti “Brigam Jang”.

“Do të doja shumë të të takoja”, – tha ai, duke sugjeruar që të takoheshim në Tempullin e Oklandit në Kaliforni.

Kur ngisja makinën nëpër Zonën e Gjirit natën, shpesh e shihja tempullin. Më tërhiqte shpirtërisht, ndaj lexova për të dhe doja të futesha brenda. Xhoni dhe unë u takuam herët një mëngjes në territorin e tempullit. Pas takimit tonë, ai tha se ishte koha që grupi i tij të hynte në tempull.

“Rendi, ti nuk do të hysh dot në tempull”, – më tha Xhoni.

“E di, jam një hipi”, – iu përgjigja, – “por kam studiuar fetë e Lindjes, jam vegjetarian, jetoj me një grup njerëzish me të cilët ndaj gjithçka, dhe kam 20 dollarë. Sa mund të kushtojë hyrja në tempull?”

“Shumë më tepër se aq”, – u përgjigj Xhoni. “Nuk je aq i mirë sa duhet.”

Në atë kohë, e konsideroja veten të përparuar nga ana intelektuale, filozofike dhe shpirtërore. Si të mund të mos isha aq i mirë sa duhej?

I Mbushur me Shpresë

Për disa vjet, prindërit e mi nuk e dinin se ku isha. Ata qenë njerëz të mirë që u përpoqën të më jepnin edukatën më të mirë të mundshme, dhe kuptohet se u zhgënjyen nga zgjedhjet e mia. Kur babai im u sëmur, nëna më bindi të kthehesha në shtëpi në Uashington D.K. Kur shkova, Xhoni më gjeti një vend pune në një brigadë punëtorësh që po ndërtonin Tempullin e Uashington D.K.‑së.

Nuk e dija, por ai e kishte rregulluar që të punoja me një brigadë punëtorësh që ishin misionarë të kthyer. U shtanga nga fakti që Xhon Hauelli, përgjegjësi i punëtorëve, do t’i kërkonte njërit prej punëtorëve të brigadës të lutej në fillim të çdo dite të punës, diçka që nuk e kisha parë kurrë te brigadat e punëtorëve me të cilët kisha punuar më parë.

Një ditë në punë, disa prej nesh po montonim një nga dyert e rënda të përparme të tempullit, kur ajo ra dhe ma bëri gishtin petë si një monedhë. Xhoni erdhi vrik, i hodhi një sy gishtit, kërkoi pak vaj të shenjtëruar dhe më dha një bekim. Gishti m’u shërua aq shpejt sa nuk m’u desh të shkoja te mjeku.

Në një rast tjetër, më dhanë një brisk dhe më thanë të hiqja me të copat e papastërtive nga dyshemetë prej betoni.

“Përse?” – e pyeta njërin nga punëtorët e brigadës. “A nuk do t’i vendosin tapet përsipër?”

“Rendi, ti nuk e di e kujt është kjo shtëpi, apo jo?” – u përgjigj ai. “Ne po e përsosim atë për Të Përsosurin.”

Bota po mbytej nga cinizmi, hidhësia, urrejtja dhe frika, por shembulli dhe mësimet e këtyre të rinjve me të cilët punoja, më mbushën me shpresë. Ndërsa punëtorët e brigadës më tregonin bindjet e tyre, e dija se po tregoheshin të sinqertë dhe të vërtetë. Ata kishin dhënë dy vjet nga jeta e tyre për t’u shërbyer të tjerëve dhe qenë optimistë në mënyrë inteligjente. Doja që mësimet e tyre të ishin të vërteta. Ndjeva se po merrja ndriçimin shpirtëror që kisha kërkuar, dhe se Zoti po më përgatiste shpirtërisht.

Xhon Hauelli më sugjeroi të takohesha me misionarët kohëplotë. Në vend të kësaj, zgjodha që të më jepte mësim im vëlla dhe njëri nga miqtë e tij, një tjetër misionar i kthyer. Teksa më jepnin mësim, doja prova të jashtme, të pakundërshtueshme që ajo që po mësoja, qe e vërtetë. Pa atë provë, nuk doja asnjë diskutim të mëtejshëm.

Kur i pyesja se nga e dinin të vërtetën, ata përgjigjeshin: “Kemi lexuar dhe jemi lutur, dhe kemi ndier një dëshmi nga Fryma e Shenjtë”. Më thanë se më nevojitej e njëjta dëshmi.

Atë natë, shkova në një korije pemësh pranë lagjes sime të banimit. Nuk e di për sa kohë u luta, por e bëra me qëllim të pastër. I bëra katër pyetje Perëndisë në mënyrë të përsëritur: “A është Libri i Mormonit fjala e Perëndisë? A iu shfaqe Ti dhe Biri Yt Jozef Smithit? A është kjo Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit? A jam aq i mirë sa duhet për të qenë anëtar i saj?”

Përgjigjja për secilën pyetje i erdhi me një pëshpëritje shpirtit tim katër herë: “Po!” Ato pëshpëritje u shoqëruan nga ndjenja qetësie e madhështie.

Kokulur, i gjunjëzuar në lutje dhe i mbytur në lot, thirra: “Nëse kjo është përgjigjja që do të më japësh, atëherë e pranoj atë dhe do të ta zotoj jetën time plotësisht Ty dhe këtij ungjilli ndërsa Ti ma zbulon”. Fjalët nuk mund t’i shprehin mendimet, ndjenjat dhe të vërtetat që më mbërthyen.

Dëshmia që mora atë natë, qe e pakundërshtueshme dhe është po aq e fortë tani sa atëherë. Që nga ajo lutje, Perëndia m’i ka vërtetuar ato përgjigje në mijëra mënyra mrekullibërëse dhe praktike.

autori kur ishte i ri

“Kisha është një mrekulli”, – thotë Rendi, që ka dalë këtu një muaj pas pagëzimit të tij. “Jeta ime në Kishë ka qenë e mrekullueshme.”

Një Zjarr u Dogj Brenda Meje

Pak pasi u pagëzova në vitin 1974, ndoqa konferencën time të parë të përgjithshme në Solt‑Lejk‑Siti me tim vëlla, Xhonin. U befasova kur Plaku Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili e kishte takuar teton time në qytetin e Nju‑Jorkut, tri javë përpara asaj konference, na përmendi mua dhe Xhonin në bisedën e tij paraditen e së dielës.

Duke cituar teton time, Plaku Paker tha: “Dy nga nipërit e mi i janë bashkuar Kishës sate. Zor se mund ta besoj ndryshimin që ka ndodhur në jetën e tyre.”

Për shkak të atij ndryshimi të thellë (shihni tek Alma 5:14), një zjarr u dogj brenda meje, të cilin doja ta ndaja me të tjerë. Shpejt, e gjeta veten në Ajdaho si misionar kohëplotë. Në mes të misionit tim, im atë, i cili qe heroi im më i madh dhe shoku im më i ngushtë, ndërroi jetë. Nëna ime i telefonoi presidentit të misionit tim dhe i kërkoi që të shkoja në shtëpi për të mbajtur një fjalim për babanë pas vdekjes. Kur presidenti i misionit tim ma la mua vendimin a të largohesha apo jo, i thashë se doja të lutesha dhe të agjëroja 24 orë përpara se të vendosja.

Atë natë pashë një ëndërr. M’u shfaq babai. Në mes të diskutimeve sublime dhe kuptimplota me të, ai më tha: “Bir, rri në mision”.

Ia dëgjova këshillën babit dhe ndenja.

i ri misionar

Për shkak të ndryshimit të thellë që e pasoi kthimin e tij në besim, “një zjarr u dogj brenda” Rendit, të cilin ai donte t’ua tregonte të tjerëve si misionar kohëplotë.

Gjashtë muaj pas misionit, i mbajta dorën nënës sime kur ajo nxori grahmën e fundit. Dekada më vonë, bashkëshortja ime, Liza, gjeti një letër nga prindërit e mi në një sënduk të vjetër. Babi ma kishte shkruar gjatë misionit tim, por kishte vdekur para se të ma dërgonte.

“Zemrat tona ishin, janë dhe do të jenë gjithmonë plot me dashuri për ty. E kuptoj se gjërat nuk kanë qenë gjithnjë të përsosura, por kështu e ka jeta. … Krishti nuk tha: ‘Më ndiqni dhe do të jetë e lehtë’. Ai tha: ‘[Merreni] kryqin [tuaj] dhe … më nd[iqni]’ [Mateu 16:24]. Ai e mbajti kryqin, por ne të gjithë kemi ashklat tona. Ndoshta vendi ynë në qiell do të varet nga mënyra se si e përballojmë ashklën tonë. Bir, të duam shumë.”

Ajo që po Kërkoja

Kur u rrita, isha i ashpër me prindërit, por kurrë nuk e vura në dyshim dashurinë e tyre. Qëkurse e gjeta Kishën, kam punuar fort për t’i falënderuar dhe nderuar ata.

Më 17 shkurt 2018, dy javë përpara se Tempulli i Uashington D.K.‑së të mbyllej për rinovime, u vulosa me babanë dhe nënën time, 42 vjet pasi ata kishin kaluar përtej velit drejt përjetësisë. Djali im më i madh, Uilliami, qe mëkëmbësi për babanë tim dhe Liza qe mëkëmbësja për nënën. Ndjeva se prindërit e mi, të cilët qenë vulosur me njëri‑tjetrin më herët, qenë të dy atje në shpirt.

Në tempull ne gjejmë “litarë” që na lidhin përgjithmonë me njerëzit tanë të dashur. Jam i sigurt për këtë.

Kur isha i ri, nuk doja të martohesha dhe as të bëja fëmijë. Mirëpo sot, gruaja ime, fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia janë thesaret e mia më të mëdha. Kisha është një mrekulli dhe jeta ime në Kishë ka qenë mrekullibërëse. Me Jozef Smithin, them: “Në qoftë se nuk do ta kisha përjetuar atë që provova, nuk do ta kisha besuar as vetë”.

Pesëdhjetë vjet më parë, isha një punëtor në ndërtim në Tempullin e Uashington D.K.‑së. Isha i bindur se jeta ime nuk kishte asnjë të ardhme të lumtur. Sot jam një punonjës ordinancash në të njëjtin tempull, pasi e kam pranuar ftesën e Zotit për ta ndjekur, për të marrë shërim prej Tij, për të përqafuar ordinancat dhe për t’u përpjekur fort që të bëhem si Ai.

bashkëshort e bashkëshorte duke qëndruar në këmbë së bashku dhe duke buzëqeshur

Rendi dhe bashkëshortja e tij, Liza, shërbejnë në Tempullin e Uashington D.K.‑së, për ndërtimin e të cilit Rendi ndihmoi 50 vjet më parë.

Fotografia nga Leslie Nilsson

Kisha e rivendosur nuk është një teori, një filozofi ose thjesht një komunitet apo kulturë. Ajo është Kisha e vërtetë e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Mendova se do ta gjeja atë që po kërkoja në San‑Françisko. Nuk e gjeta. E gjeta atë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe në shtëpinë e Zotit, “guri[n e] çmuar kurorëzues [të] Rivendosjes”.