“Na Është Dhuruar Fuqi nga Lart”, Liahona, mars 2025.
Këndvështrime Historike mbi Shtëpinë e Zotit
Na Është Dhuruar Fuqi nga Lart
Ashtu si dishepujve në Dhiatën e Re, shenjtorëve të ditëve të mëvonshme iu premtua një dhurim fuqie nga Zoti.
Në pranverën e vitit 1836, Çarls Riçi ishte një misionar që po predikonte ungjillin e rivendosur në jug të Ohajos. Ai duhej të ishte zhgënjyer që mbërriti në Kirtland të Ohajos, më 12 prill, rreth dy javë pas përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit.
Kishte udhëtuar me anije me avull përgjatë lumit të Ohajos dhe më pas kishte ecur për pothuajse 160 km. Ai e pa shtëpinë e Zotit në një terren të ngritur në peizazh me muret e saj blu dhe me çatinë e kuqe. Mirëpo kishte ardhur vonë. E kishte humbur përkushtimin, kuvendin solemn dhe, sipas mendimit të tij, edhe dhurimin e premtuar të fuqisë nga lart.
Në shtator të vitit 1830, vetëm pak muaj pasi u organizua Kisha e rivendosur, Jozef Smithi mori një zbulesë nga Jezu Krishti ku i thërriste anëtarët e Kishës që të mblidheshin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:7–8). Pak muaj më vonë, Zoti e zbuloi arsyen. Shenjtorët duhej të “shkoni[n] në Ohio”, ku, deklaroi Jezusi: “Do t’ju jap ligjin tim; dhe atje do t’ju dhurohet fuqi nga lart; dhe që atje, kushdo që unë dëshiroj, do të shkojë mes gjithë kombeve” (Doktrina e Besëlidhje 38:32–33; theksimi i shtuar). Anëtarët e Kishës që e dëgjuan këtë zbulesë, duhet ta kenë dalluar se kjo gjuhë vinte nga Dhiata e Re.
Dishepujt e Dhiatës së Re që iu Dhurua Fuqi
Libri Lluka 24 fillon në një çast dëshpërimi. Jezusi qe kryqëzuar dhe një grup i dishepulleve të Tij femra qenë kthyer në varrin e Tij. Ato zbuluan se dera prej guri qe rrokullisur tutje dhe “nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus” (vargu 3). Shpejt, lajmëtarët qiellorë u dhanë atyre shpresë: “Ai nuk është këtu, por është ringjallur” (vargu 6).
Më vonë, Zoti i ringjallur iu shfaq dishepujve dhe u dha shërbesë. Ai u dha atë që të krishterët në të gjithë botën e njohin si “Porosia e Madhërishme” për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit. Jezusi shpjegoi se “në emër të tij [duhet] të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt” (vargu 47).
Sidoqoftë, Ai i udhëzoi dishepujt e Tij të mos largoheshin menjëherë: “Qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart” (vargu 49). Endued (ose “endowed” në anglishten bashkëkohore) është një përkthim i fjalës greke që do të thotë “të veshësh”. Dishepujt e lashtë të Krishtit duhej të prisnin në Jerusalem derisa të visheshin me fuqi nga lart. Më pas, ata duhej të ndërtonin mbretërinë e Perëndisë në të gjithë botën.
Përpara se të ngjitej në qiell, Zoti u tha dishepujve të Vet: “Qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart” (Lluka 24:49).
Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u Dhurohet Fuqi
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme u mblodhën në Ohajo në vitet 1830 me një pikësynim të ngjashëm. Ata prisnin me padurim që t’u “dhurohe[j] fuqi nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 38:32) dhe ta çonin mesazhin e Jezusit kudo në të gjithë botën. Përfundimisht, Zoti deklaroi se shenjtorët “duhet ta marrin dhurimin e tyre nga lart, në shtëpinë time” (Doktrina e Besëlidhje 105:33, theksimi i shtuar; shihni edhe vargjet 11–12). Gjithsesi, shumë prej shenjtorëve të hershëm nuk e dinin me saktësi se çfarë të prisnin.
Jo shumë kohë pas thirrjes dhe shugurimit të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1835, Jozef Smithi u mblodh me ta për shtëpinë e Zotit. Jozefi e dalloi se Të Dymbëdhjetët qenë “në ankth” dhe nuk mund ta kuptonin atë që po vinte. Ai u shpjegoi se u nevojitej një dhurim në mënyrë që të mund të “ishin të përgatitur dhe në gjendje për t’i mundur të gjitha gjërat” dhe ta jepnin mësim ungjillin me fuqi. “Kur të merrni dhurimin”, – shpjegoi ai, ju si Apostuj do ta “predikoni ungjillin tek të gjitha kombet, fiset dhe gjuhët”.
Shpejt pas kësaj, Jozef Smithi zbuloi ceremoni të modeluara sipas shenjtërimit të priftërinjve të lashtë izreaelitë në tempull. Në përgatitje për dhurimin, çdo mbajtës i një detyre në priftëri lahej dhe vajosej “me të njëjtin lloj vaji dhe në atë mënyrë që u lanë dhe u vajosën Moisiu dhe Aaroni, dhe ata që qëndruan para Zotit në kohët e lashta”.
Në këtë kohë, dhurimi i fuqisë përbënte një derdhje dramatike të fuqisë shpirtërore gjatë një mbledhjeje në një kuvend të veçantë e solemn. Njësoj si Elija Ejbëlli, I Shtatëdhjeti i parë me ngjyrë në Kishë, mbajtësit e detyrave në priftëri agjëruan, u lutën dhe e hëngrën sakramentin e Darkës së Zotit si një vakt të përbashkët. Ata dëshmuan dhe profetizuan dhe Perëndia i bekoi me fuqi. Ata që morën dhurimin më pas, u nisën për të ngritur mbretërinë e Perëndisë duke predikuar ungjillin e rivendosur. Pavarësisht nga kundërshtimi, ata patën mbrojtje në udhëtimet e tyre, u lartësuan në predikimin e tyre dhe u bekuan në familjet e tyre.
Në Kirtland, vetëm burrat morën pjesë në mbledhjen e kuvendit solemn ku iu dhurua fuqi nga lart. Megjithatë, pas pak vjetësh, shenjtorët ndërtuan Tempullin e Navusë. Atje Jozef Smithi zbuloi ceremoni të zgjeruara të tempullit që janë themeli i përvojës sonë në tempull sot. Në Navu, si grave, ashtu edhe burrave iu dhurua fuqi.
Duke u folur motrave të Shoqatës së Ndihmës, Jozef Smithi premtoi se në dhurimin në tempull atyre “do t’u jepeshin” “çelësat e mbretërisë”, të njëjtët çelësa “si të Pleqve”. Megjithëse do të kalonin disa dekada përpara se gratë të thirreshin si misionare predikuese, gratë dhe puna e tyre janë pjesë e pandarë e ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë në tokë.
Ndonëse Çarls Riçi e kishte humbur përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit, ai mësoi se ai dhe disa misionarë të tjerë që kishin mbërritur me vonesë në Kirtland, do ta përjetonin dhurimin. Sipas modelit të priftërinjve të lashtë izraelitë (shihni tek Eksodi 29; 40), ai u la dhe u vajos. U mblodh me të tjerët, duke agjëruar, duke u lutur dhe duke u ushqyer me bollëk në Darkën e Zotit.
“Profetizuam gjithë natën”, – shkroi Çarlsi. “U profetizua se shpëtimi u shkrua në çdo gjymtyrë e në çdo nyje” të trupit të tij. “U mbusha me shpirtin e profecisë dhe m’u dhurua fuqi nga lart.”
Ai e kaloi pjesën e mbetur të jetës, 47 vjet, duke punuar si dishepull i Jezu Krishtit, për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.
Nga ajo kohë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga e gjithë bota kanë udhëtuar për në shtëpinë e Zotit që t’iu dhurohet fuqi nga lart. Si këta shenjtorë të hershëm, dhurimi na përgatit të ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë si dishepuj të Jezu Krishtit dhe që një ditë të marrim ekzaltimin nëpërmjet mëshirës dhe hirit të Tij.