2025
Perëndia u Foli Shenjtorëve të Hershëm – A më Flet Ai Mua?
Mars 2025


“Perëndia u Foli Shenjtorëve të Hershëm – A më Flet Ai Mua?”, Liahona mars 2025.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Perëndia u Foli Shenjtorëve të Hershëm – A më Flet Ai Mua?

Ai u foli atyre. Ai do të na flasë dhe neve. Thjesht duhet ta dëgjojmë Atë.

i ri duke u lutur

Një shtyllë drite. Një zë nga qielli. Një zbulesë nga Perëndia. Ka shumë tregime për të rinjtë në moshë madhore si Jozef Smithi dhe të tjerë te Doktrina e Besëlidhje, të cilët i kërkuan ndihmë dhe udhërrëfim Perëndisë. Ndërkohë që marrja e zbulesës nga Perëndia është një përvojë individuale, procesi është shënuar herë pas here në shkrimin e shenjtë.

Megjithëse mund të mos ndërveprojmë përditë me profetin ose të marrim zbulesa për Kishën, Perëndia mund të na flasë në po të njëjtën mënyrë sikurse foli 200 vjet më parë. Këta shenjtorë morën mesazhe enkas për ta nga Perëndia dhe ne mundemi gjithashtu.

portret i Jozef Smithit

Lutja e Përulur e Jozefit

Ajo filloi me një pyetje. Dhe u bë ajo që Plaku Aleksandër Dushku, i Të Shtatëdhjetëve, e përshkroi si një “vrull pushtues drite dhe të vërtete”. Lutja e përulur e Jozef Smithit çoi në një vizitë të bukur nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti (shihni te Joseph Smith – Historia 1:14–17). Sado e jashtëzakonshme do të ishte të flisje me ballë për ballë me Perëndinë, këto përvoja janë të rralla dhe të shenjta.

Ndërkohë që jo të gjithë ne do të kemi të njëjtën mundësi që pati Jozefi, “ne gjithashtu mund të kemi shtyllën tonë të dritës, me nga një rreze çdo herë”. Kur bëjmë një pyetje dhe gjunjëzohemi në lutje të përulur, do të marrim përgjigje nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

vaskë pagëzimi në Tempullin e Ogdenit, Jutë

Fotografi e vaskës së pagëzimit në Tempullin e Ogdenit, Jutë

Fuqia e Tempullit

Shenjtorët në Kirtland të Ohajos, sakrifikuan kohë, të holla dhe punë fizike për të ndërtuar shtëpinë e Zotit. Në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit, Jozef Smithi u lut që Perëndia t’i bekonte këta shenjtorë besnikë me fuqi ndërsa hynin dhe adhuronin atje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:13). Tempulli duhej të ishte “një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, … një shtëpi lavdie, … një shtëpi e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 109:16).

Në ditët e mëvonshme, bekohemi me tempuj në të gjithë botën. Neve na premtohet se do të marrim zbulesë ndërsa e frekuentojmë tempullin. Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit tha se “në tempull ne mund të ‘marri[m] plotësi të Frymës së Shenjtë’ [Doktrina e Besëlidhje 109:15]. Përfytyrojeni se çfarë do të thotë ai premtim për sa i përket hapjes së qiejve për çdo kërkues të zellshëm të së vërtetës së përjetshme.”

portret i Hajrëm Smithit

Pyetja e Hajrëmit drejtuar Profetit

A e keni pyetur ndonjëherë veten se si do të ishte t’i kërkonit profetit t’i fliste Perëndisë për ju? Hajrëmi, vëllai i Profetit Jozef, bëri pikërisht atë gjë. Ai mori këtë këshillë nga Zoti nëpërmjet Jozefit: “Vër re ti je Hyrum, biri im; kërko mbretërinë e Perëndisë dhe gjithë gjërat do të shtohen sipas asaj që është e drejtë” (Doktrina e Besëlidhje 11:23).

Nganjëherë, udhërrëfimi vjen njëmend nëpërmjet njerëzve të tjerë. Presidenti Rasëll M. Nelson na këshilloi: “Kërkoni udhërrëfim nga zëra të cilëve mund t’u mirëbesoni: nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit dhe nga pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë”. Ndërkohë që nuk mund t’ia bëjmë të gjithë pyetjet tona drejtpërsëdrejti profetit, ne prapëseprapë mund të marrim përgjigje për pyetjet vetjake.

portret i Oliver Kaudërit

Portret i Oliver Kaudërit nga Lewis A. Ramsey

Studimi me Besim i Oliverit

Oliver Kaudëri ishte një ndihmë e paçmueshme për Jozefin gjatë përkthimit të Librit të Mormonit. Mirëpo në vitin 1829, ndihej i dështuar. Pse nuk mund të përkthente dhe ai? Zoti i dha Oliverit disa këshilla të posaçme rreth mënyrës se si të merrte përgjigje për pyetjen e tij, këshilla që gjejnë zbatim ende për ne sot.

Kur kemi një pyetje, na nxitin që ta studiojmë atë, të kemi besim dhe të mbështetemi te mbresat (shihni te Doktrina e Besëlidhje 9:6–9). Mbresat tona mund të vijnë në formë emocionesh, ndjenjash të ngrohta ose paqe të mendjes. Sikurse tha Plaku Matias Held, i Të Shtatëdhjetëve: “Kur [arsyetimi logjik dhe frymëzimi prej Frymës së Shenjtë] më pas ndërthuren në shpirtin tonë, një tablo e plotë e shfaq realitetin e gjërave, ashtu siç ato janë vërtet”.

e re duke lexuar bekimin e saj patriarkal

Fotografia nga Craig Alan Shelley

Bekimet Patriarkale të Familjes Smith

Bekimet patriarkale kanë qenë pjesë e Kishës që nga kohët e Dhiatës së Vjetër (shihni te Zanafilla 48). Kur Kisha u organizua në ditët e mëvonshme, Perëndia i tha Jozefit që ta thërriste të atin, Jozef Smith Plakun, si patriark në vitin 1834. Tri ditë më vonë, familja Smith u mblodh në mënyrë që Jozef Smith Plaku të mund t’i jepte një bekim patriarkal secilit prej fëmijëve të tij dhe bashkëshortëve ose bashkëshorteve të tyre. Këto bekime u ofruan këshilla dhe ngushëllim për jetën.

Krahas deklarimit të linjës së prejardhjes, një bekim patriarkal “është shkrim i shenjtë vetjak për ju”. Ndërsa i studiojmë rregullisht bekimet tona patriarkale, ne “duhet t’i ruaj[m]ë si thesar fjalët e tij, t’i përsiat[im] ato dhe të jetoj[më] që të je[mi] [të] denjë për t’i marrë bekimet e premtuara në këtë jetë dhe në përjetësi”.

portret i Ema Smithit

Portret i Ema Smithit nga Lee Greene Richards

Udhëzimi Vetjak i Emës nga Perëndia

Duke qenë gruaja e profetit, Ema Smithi shpesh luftonte me sprovat dhe konfliktet që familjes së saj i kërkohej të duronte. Te Doktrina e Besëlidhje 25, mund të lexojmë fjalët ngushëlluese dhe fuqizuese të Atit Qiellor kundrejt Emës.

Kur jemi duke kërkuar mesazhet tona të ngushëllimit nga Ati Qiellor, mund të kërkojmë bekime nga priftëria. Sikurse dha mësim Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë: “Bekimet e priftërisë mund të na ndihmojnë për vendimet e vogla dhe të mëdha të jetës. Nëse, nëpërmjet bekimeve tona të priftërisë, mund të perceptojmë vetëm një pjesëz të njeriut që Perëndia ka për qëllim që ne të jemi, do të na largohej frika dhe nuk do të dyshonim më kurrë.”

portret i Jozef F. Smithit

Portret i Jozef F. Smithit nga Albert Salzbrenner

Studimi i Shkrimeve të Shenjta nga Jozef F. Smithi

Kur sëmundjet, lufta dhe vdekja e bastisën botën në vitin 1918, profeti Jozef F. Smith iu drejtua shkrimeve të shenjta për përgjigje. Pasi studioi fjalët e Pjetrit në Dhiatën e Re, ai filloi të reflektonte e të përsiaste. Ai u përfshi në një vegim për Kishën ku pa Shpëtimtarin të organizonte punën misionare në botën e shpirtrave. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 138.)

Ashtu siç dha mësim Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Kur dëshirojmë [t’i] flasim Perëndisë, ne lutemi. Dhe kur dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta.” Shkrimet e shenjta janë fjalët e Perëndisë të ruajtura me shkrim dhe, në epokën tonë digjitale, nuk ka qenë kurrë më e lehtë që t’i kemi në dorë. Ndërsa i lexojmë dhe i përsiatim shkrimet e shenjta, do të gjejmë ndihmën që na nevojitet nga qielli.

i ri i ulur me kokë ulur

Fotografia nga John McKinney

Përpjekje të Qëllimshme për ta Dëgjuar Atë

Presidenti Nelson dha mësim: “Teksa kërkojmë të jemi dishepuj të Jezu Krishtit, përpjekjet tona që ta dëgjojmë Atë nevojitet të jenë përherë e më të qëllimshme. Kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme që ta mbushim jetën tonë të përditshme me fjalët e Tij, mësimet e Tij, të vërtetat e Tij.” Ashtu si shenjtorët e hershëm, ne mund të marrim mesazhe nga Perëndia që janë vetjake dhe reale.

Perëndia u foli atyre. Ai do të na flasë dhe neve. Thjesht duhet ta dëgjojmë Atë.