2025
Kush e Mbushi Vaskën e Pagëzimit?
Mars 2025


“Kush e Mbushi Vaskën e Pagëzimit?” Liahona, mars 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Kush e Mbushi Vaskën e Pagëzimit?

Pa pasur ujë fare në qytet, si supozohej ta pagëzonim Meganin?

çezmë në kuzhinë bashkë me një zorrë uji

Ilustrimi nga David Miles

Pasi na iku autobusi në Nairobi të Kenias, shoku im i misionit dhe unë vendosëm ta shpërndanim ungjillin te kushdo që shihnim ndërkohë që prisnim autobusin tjetër të zonës. Folëm me më shumë se 400 njerëz.

Njëri prej tyre qe Benardi, që punonte në ndërtim aty pranë. I dhamë një Libër të Mormonit dhe e sfiduam që ta lexonte çdo ditë dhe ta pyeste Perëndinë a ishte i vërtetë.

Katër muaj më vonë, më transferuan në Nairobi. Në mbledhjen time të parë të sakramentit atje, pashë Benardin. Ai qe pagëzuar që nga ajo kohë dhe qe shuguruar në Priftërinë Aarone.

Benardi na ftoi me ngazëllim që t’i shkonim për vizitë në shtëpi dhe t’i jepnim mësime bashkëshortes së tij, Meganit. Kur u takuam me Meganin, na befasoi besimi i saj i madh. Kur u lut për të ditur a ishte i vërtetë mesazhi ynë, Perëndia iu përgjigj lutjes së saj.

E ftuam Meganin të pagëzohej të dielën e ardhshme. Megjithatë, atë javë, në qytetin e Nairobit u lajmërua se do të ndërpritej uji për 10 ditë! Pas intervistës së Meganit për pagëzimin ditën e shtunë, shoku im i misionit dhe unë u lutëm që pagëzimi i saj të mund të zhvillohej të nesërmen.

Agjëruam, u këshilluam me udhëheqësit tanë dhe provuam mënyra të ndryshme për të gjetur ujë, të gjitha pa dobi. Atë mbrëmje u përgatitëm për pagëzimin gjithsesi. Më pas u gjunjëzuam dhe u lutëm përsëri. Ndiem nxitjen për të lidhur njërin skaj të një zorre uji me çezmën në kuzhinën e shtëpisë së mbledhjeve nga ku nuk dilte ujë fare dhe ta vendosnim skajin tjetër të zorrës brenda vaskës së pagëzimit. Bëmë një lutje tjetër, e mbyllëm derën e ndërtesës dhe u nisëm për në shtëpi.

Të nesërmen në mëngjes kur shkuam në shtëpinë e mbledhjes, për habinë tonë, vaska qe mbushur plot me ujë! E kontrolluam çezmën në kuzhinë, por prej saj prapë nuk dilte asnjë pikë ujë. Askush nga dega nuk kishte asnjë ide se si qe mbushur vaska.

Megani u pagëzua atë ditë. E gjithë lagjja erdhi ta dëshmonte pagëzimin e saj dhe për t’i uruar mirëseardhjen në Kishë. Çezma vazhdonte të ishte pa ujë, por sytë e të gjithëve u lagën me lot mirënjohjeje.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Zoti do t’ju bekojë me mrekulli nëse besoni tek Ai, ‘pa dyshuar asgjë’ [Mormoni 9:21]. Bëjeni punën shpirtërore që nevojitet për të kërkuar mrekulli.” E di se, ngaqë shoku im i misionit dhe unë bëmë punë fizike dhe shpirtërore duke u lutur, duke provuar mundësi të ndryshme dhe duke ndjekur nxitjet shpirtërore, ne pamë një mrekulli nga Zoti.