“A Mund t’i Mirëbesoj Vërtet Udhërrëfimit të Profetit?”, Liahona, mars 2025.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
A Mund t’i Mirëbesoj Vërtet Udhërrëfimit të Profetit?
Kisha zgjedhur përherë ta ndiqja profetin, por a mund t’i mirëbesoja atij në këtë rast?
Ilustrimi nga Kylee Bodily
Kur mora telefonatën se do të më evakuonin nga misioni, u mërzita dhe u pështjellova.
Disa muaj përpara se të lirohesha, Presidenca e Parë vendosi të më dërgonte mua dhe disa misionarë të tjerë në shtëpi, në bazë të atyre që mendoja se qenë vetëm fjalë për një konflikt të mundshëm ndërkombëtar. Nuk kishte asnjë provë se do të ndodhte ndonjë gjë.
Nuk mendoja se kishte ndonjë gjë për t’u shqetësuar.
Vënia në Dyshim e Frymëzimit
Kisha dashur gjithmonë të shërbeja në një mision dhe kisha punuar aq fort për ta arritur atë synim. Isha ngushtë me paratë, por gjeta një vend pune që më ndihmoi të fitoja mjaftueshëm sa për të paguar misionin. U ndjeva aq mirë kur hapa zarfin e thirrjes dhe e dija se erdhi nga Perëndia.
Pastaj, për shkak të pandemisë nga COVID‑19, më ricaktuan në një mision në Jutë për nëntë muaj përpara se t’ia dilja të shkoja matanë oqeanit aty ku më kishin caktuar fillimisht. U lehtësova dhe u gëzova pa masë që më në fund isha aty ku më kishte thirrur Perëndia fillimisht.
Më pas, vetëm pak muaj pasi kisha qenë atje, më hoqën papritmas nga njerëzit dhe vendi që doja. U ndjeva sikur po më merrnin gjithçka.
Ndihesha sikur më kishin tradhtuar. E vura sinqerisht në dyshim faktin nëse kjo ishte një zgjedhje e frymëzuar.
Gjithë mëri, i hipa avionit për në shtëpinë time në Teksas. Evakuimi im qe aq i papritur, saqë babai dhe motrat e vëllezërit e mi nuk qenë fare në aeroport për të më uruar mirëseardhjen në shtëpi.
Një Bekim Sigurie
Vetëm pak ditë pasi u largova nga misioni, u trondita kur shpërtheu një konflikt i rrezikshëm pranë vendit ku kisha qenë duke shërbyer. Në atë çast, e kuptova se ndjekja e profetit më kishte mbajtur të sigurt në një mënyrë shumë reale. Më pushtoi mirënjohja për profetin dhe frymëzimin e tij.
I bëra një premtim vetes se do t’ia vija veshin gjithmonë asaj që thoshte profeti, edhe nëse do të më dukej e pakuptimtë aty për aty.
Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kohët e fundit, tha: “Profetët që ne i kemi, janë shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Ata ua bëjnë të ditur premtimet dhe natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe të Jezu Krishtit popullit të Tyre.”
Unë vërtet e besoj se Presidenti Rasëll M. Nelson është zëdhënësi i Zotit. Ai punon drejtpërsëdrejti me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin për të na prirë drejt sigurisë dhe për të na dhënë shpresë e drejtim gjatë kohëve sfiduese.
Bekimet e Ndjekjes së Profetit
Nëse po e pyetni ende veten nëse profeti thirret nga Perëndia, këshilla ime është që të veproni sipas ftesave të tij. Provoni t’i rilexoni bisedat e konferencave të fundit të Presidentit Nelson dhe t’i studioni shkrimet e shenjta që rekomandon ai. Veproni sipas ftesave të tij dhe studiojini bekimet që ai premton bashkë me ato ftesa.
Plaku Soares dha mësim gjithashtu: “Duke i ndjekur [profetët], jeta jonë është më e lumtur dhe më pak e ndërlikuar, vështirësitë dhe problemet tona janë më të lehta për t’u mbajtur dhe ne krijojmë një armaturë shpirtërore përreth nesh”.
I kam parë këto bekime në jetën time teksa i kam dëgjuar këshillat e profetit. E di se këto bekime janë në dispozicion të gjithkujt që e vë mirëbesimin te Perëndia dhe te profeti i Tij.