2025
Si na Ndihmojnë Besëlidhjet Tona për të Marrë nga Fuqia e Perëndisë?
Mars 2025


“Si na Ndihmojnë Besëlidhjet Tona për të Marrë nga Fuqia e Perëndisë?”, Liahona, mars 2025.

Gratë në Besëlidhje

Si na Ndihmojnë Besëlidhjet Tona për të Marrë nga Fuqia e Perëndisë?

Si gra në besëlidhje, fuqia e Perëndisë na shndërron, na forcon dhe na jep siguri te vetja.

grua në plazh me vajzat e saj të vogla

Fotografia nga Connor Johnson

Secila prej nesh ka mundësi të bëjë besëlidhje të shenjta me vetë Perëndinë e qiellit. Ne i bëjmë këto besëlidhje kur marrim pjesë në ordinancat e priftërisë. Ndërsa i mbajmë këto besëlidhje, Ai na bekon me fuqinë e Tij.

Silleni ndër mend bashkë me mua drejtimin profetik të Presidentit Rasëll M. Nelson, në lidhje me mënyrën se si të kemi qasje te fuqia prej Perëndisë: “Çdo burrë dhe çdo grua që merr pjesë në ordinancat e priftërisë dhe që bën e i mban besëlidhjet me Perëndinë, mund të marrë drejtpërsëdrejti nga fuqia e Perëndisë”. Kjo qasje e drejtpërdrejtë te fuqia e Perëndisë është një dhuratë të cilën Ai ua bën bujarisht fëmijëve të Tij.

Si shpërfaqet kjo fuqi, e cila rrjedh nga mbajtja e besëlidhjeve që bëjmë nëpërmjet ordinancave të priftërisë, në jetën tuaj ditë pas dite? Si merr një grua në besëlidhje nga kjo fuqi hyjnore?

Shpresoj se një shembull vetjak do t’ju ndihmojë teksa bëni punën që ju gjallëron shpirtërisht për ta mësuar vetë se çfarë do të thotë t’ju dhurohet fuqia e Perëndisë.

Një ditë më erdhi një mesazh në celular nga nusja e djalit, Emi: “Bëj një lutje për Dotin”.

Mbesa ime, Doti, nuk kishte fjetur atë natë. Emi kishte ndenjur zgjuar gjithë natën me të dhe tha se Doti kishte temperaturë. Emi i dha një mjekim, por Doti qe ende e nxehtë dhe në siklet. Im bir, Konori, qe në një udhëtim pune dhe nuk pritej të vinte në shtëpi për dy ditët e ardhshme.

Kur mëngjesi erdhi më në fund, Emi pa që Dotit buzët i qenë bërë blu. Duart i kishte po ashtu blu dhe të ftohta kur ia prekje. Emit menjëherë i erdhi mbresa: “Çoje Dotin te pediatri”. Ajo ia vuri veshin nxitjes, i telefonoi klinikës së pediatrit dhe e siguruan që do ta vizitonin Dotin menjëherë.

Për fat të mirë, klinika e pediatrit është matanë rrugës nga shtëpia e nënës sime. Emi ndjeu nxitjen të kalonte me makinë pranë shtëpisë së nënës sime. Nëna ime po punonte në oborr dhe qe e lumtur të mbante motrën katërvjeçare të Dotit, Goldin, ndërkohë që Emi e çonte Dotin te pediatri. Kjo qe një përgjigje për shqetësimin e Emit lidhur me nevojën për të ruajtur Goldin dhe për t’u kujdesur për Dotin në të njëjtën kohë.

Pediatri zbuloi se Doti kishte pneumoni, me gjasë ngaqë i kishte kaluar pak ujë në rrugët e frymëmarrjes kur qe larë pak ditë më parë. Dotin e mjekuan me antibiotikë dhe ajo e kaloi pjesën tjetër të ditës në krahët e nënës së vet, me kokën e ngritur për të hapur rrugët e frymëmarrjes dhe për t’ia lehtësuar frymëmarrjen.

Mendova të blija diçka për darkë kur të kthehesha në shtëpi dhe Emi më lejoi, gjë për të cilën qeshë mirënjohëse. Vrava mendjen si ia kishte dalë Emi pas një nate pa gjumë, me stresin e pasjes së një vogëlusheje të sëmurë dhe nevojën për t’u kujdesur për Goldin.

Hyra në shtëpinë e tyre me një qese me ushqim të porositur dhe i gjeta të qeta Emin dhe vajzat. Emi i hidhte hapat plot gjallëri dhe i ndriste fytyra. Ajo ishte e qetë edhe pse do të përballonte një natë tjetër vetëm me Dotin e sëmurë. Ajo nuk kishte frikë. Kishte siguri te vetja. Ishte një paqe që e kapërcente të kuptuarit. Doja thjesht të ulesha e ta përjetoja momentin.

Emi përpiqet fort që t’i mbajë besëlidhjet e saj me Perëndinë dhe bekohet nga fuqia e Tij forcuese. Shpirti e kishte nxitur të ndërmerrte veprimet që mori për t’u kujdesur për Dotin. Fuqia e Zotit ia zgjeroi kapacitetin për t’i plotësuar nevojat e familjes me durim dhe dashuri dhe me një sigurim të qetë se gjithçka do të shkonte mirë.

Ky është bekimi i fuqisë së Perëndisë, në dispozicionin tonë nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta dhe për shkak të flijimit shlyes të Shpëtimtarit. Kjo fuqi na shndërron, na forcon, na qetëson, na jep siguri te vetja, na sjell paqe dhe na e rrit kapacitetin për t’i përmbushur përgjegjësitë tona si gra që na janë caktuar në mënyrë hyjnore.

Shënim

  1. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 10; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f. 5.