2025
Përkatësia në Planin e Perëndisë dhe në Tempull
Mars 2025


“Përkatësia në Planin e Perëndisë dhe në Tempull”, Liahona, mars 2025.

Përkatësia në Planin e Perëndisë dhe në Tempull

Tre parime na kujtojnë se të gjithë mund t’i marrin bekimet që Perëndia ua ofron fëmijëve të Tij.

Tempulli i Barrankijës, Kolumbi

Fotografi e Tempullit të Barrankijës, Kolumbi nga Leslie Nilsson

U ula me një grup anëtarësh të Kishës. Nuk e kishim takuar njëri‑tjetrin asnjëherë më parë, por të gjithë kishim një gjë të përbashkët: ishim beqarë.

Tani, dua t’i rikthehem temës për një sekondë. Në ungjillin e Jezu Krishtit, ne nuk na përkufizojnë etiketimet. Identiteti ynë i vërtetë, dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, është që ne jemi “në mënyrë të mirëfilltë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë”. E kuptoj se nga nevoja ne i quajmë beqarë disa anëtarë të Kishës. Ka arsye praktike pse ndodh kjo. Mirëpo nganjëherë, siç dukej se qe rasti në këtë situatë, ajo mund të ndikojë, duke i bërë anëtarët të ndihen si të huaj. Mund edhe t’ua bëjë të vështirë të ndihen plotësisht të përfshirë në bekimet e Perëndisë lidhur me shpëtimin dhe ekzaltimin.

Shikoni, ne po flisnim rreth tempullit dhe disa njerëz në grup ndien se të qenit beqar i përjashtonte nga marrja e një plotësie të bekimeve të tempullit. E kuptoj; kur nuk je i/e martuar në një Kishë të përqendruar te familja, mund të jetë e vështirë ta kuptosh se si mund të përshtatesh. Mirëpo e di gjithashtu se Zoti nuk e gjykon faktin a është një njeri i denjë për të marrë bekimet e premtuara në bazë të paraqitjes së jashtme ose etiketimeve. Ai “shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7) dhe ua vë në dispozicion bekimet e Tij të gjithë atyre që zgjedhin ta ndjekin Atë. Këtë e besoj me gjithë zemër. Ndaj, me këtë në mendje, ja tre parime për t’i ndihmuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme, të cilët janë beqarë, që ta dinë se kanë përkatësi në planin e Perëndisë dhe në tempull.

1. Perëndia e hartoi planin e Tij për çdonjërin nga fëmijët e Tij.

Për shkak se besëlidhja e re dhe e përjetshme e martesës nevojitet për ekzaltim, mund të duket sikur plani i Perëndisë nuk është bërë për ata që janë beqarë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–3). Mirëpo Plaku Patrik Kirën dha mësim: “Plani i bukur i Atit tonë, madje plani i Tij ‘i mahnitshëm’, është hartuar për t’ju çuar në shtëpi, jo për t’ju lënë jashtë. Askush nuk ka ngritur një postbllok dhe askush nuk ka vendosur dikë atje që t’ju kthejë nga ana tjetër dhe t’ju dëbojë. Në fakt, është krejt e kundërta. Perëndia është duke ju kërkuar pareshtur. Ai ‘dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të zgjedhin që të kthehen tek Ai’ dhe Ai merr çdo masë të mundshme për t’ju kthyer.”

Perëndia nuk ka për qëllim t’i dëbojë ata që janë beqarë, që të mos i gëzojnë bekimet që Ai ofron. Presidenti M. Rasëll Ballard (1928–2023), Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme pohojnë se çdo njeri që është besnik në mbajtjen e besëlidhjeve të ungjillit, do të ketë mundësinë për ekzaltim”. Çdo shpirt ka vlerë të madhe në sytë e Atit Qiellor, aq shumë sa Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur që të vdiste dhe të na shëlbonte nga mëkati në mënyrë që të mund të kemi dhuratën e jetës së përjetshme (shihni te Gjoni 3:16–17; Doktrina e Besëlidhje 18:10–12).

Nëse jeta shpaloset ndryshe nga sa prisnim, mund ta gjejmë veten duke e vënë në pikëpyetje qëllimin tonë në planin e Perëndisë. Gjithsesi, plani i Tij nuk ka garantuar kurrë se jeta do të ishte njësoj për të gjithë. Ne nuk e dimë se çfarë gëzimesh, mërzitjesh, suksesesh ose pikëllimesh mund të na vijnë. Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha: “Ka kaq shumë gjëra që ne nuk i dimë, saqë mbështetja jonë e vetme e sigurt është t’i mirëbesojmë Zotit dhe dashurisë së Tij për fëmijët e Tij”.

Mund të mos e dimë pse shtegu ynë është ashtu siç është në këtë çast. Mirëpo mirëbesimi te Perëndia dhe te dashuria e Tij mund të sjellë qartësi rreth mënyrës se si Ai e hartoi planin e Tij për të gjithë fëmijët e Tij, përfshirë ju.

grua duke qëndruar në këmbë para statujës “Kristus”

Fotografi brenda Qendrës së Vizitorëve të Tempullit të Romës, Itali nga Massimo Criscione

2. Tempulli mban bekime vetjake për gjithkënd.

Ne mund të mendojmë se vulosjet gjejnë zbatim vetëm për një bashkëshort dhe një bashkëshorte. Mirëpo krahas bashkimit të çifteve me Zotin, vulosjet i bashkojnë familjet përgjithmonë. Nëpërmjet vulosjeve, të gjithë fëmijët e Perëndisë mund të gëzojnë bekime të përjetshme nëse i mbajnë besëlidhjet e tyre.

Fuqia vulosëse i bën të vlefshme të gjitha ordinancat e priftërisë në qiell dhe në tokë. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “[Fuqia vulosëse] e vë shpëtimin e individit dhe ekzaltimin e familjes në dispozicion të fëmijëve të Perëndisë në mënyrë universale, kudo dhe kurdoherë që ata mund të kenë jetuar në tokë. Asnjë teologji, filozofi apo autoritet tjetër nuk mund t[ë] bëjë një ofertë të barabartë [me] një mundësi të tillë gjithëpërfshirëse. Kjo fuqi vulosëse është një shfaqje e përsosur e drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë.” Bekimet që ofron Zoti, janë aq gjithëpërfshirëse saqë janë në dispozicion të gjithkujt që do të bëjë dhe mbajë besëlidhje me Të.

Mund ta kuptojmë më mirë se si plani i Perëndisë është gjithëpërfshirës ndërsa adhurojmë në shtëpinë e Zotit. Shpenzimi i kohës në tempull, dha mësim Presidenti Nelson, “do t’ju ndihmojë të mendoni çelestialisht dhe të rrokni një këndvështrim të asaj se kush jeni vërtet, kush mund të bëheni dhe të llojit të jetës që mund të keni përgjithmonë”. Ai shpjegoi edhe se adhurimi në tempull do të na japë mbrojtje, një dëshmi më të fortë, ngushëllim, zbulesë vetjake, njohuri dhe fuqi në rritje dhe një kuptueshmëri më të madhe për planin e Perëndisë.

Qoftë nëse jemi të martuar ose beqarë, tempulli mban privilegje shpirtërore vetjake për të gjithë ne; ai është një vend që i forcon dhe i fuqizon të gjithë ata që dëshirojnë afërsi me Perëndinë. Për më tepër, shihni shiritin anësor “Të Fuqizuar nga Adhurimi në Tempull”.

3. Në tempull, ne mund ta thellojmë marrëdhënien tonë me Jezu Krishtin.

Në tempull, pika kryesore e përqendrimit është Jezu Krishti. Ai është qendra e planit të Perëndisë dhe është arsyeja pse ne të gjithë mund të marrim shpëtim dhe ekzaltim. Presidenti Nelson dha mësim: “Shtëpia e Zotit është një shtëpi mësimi. Atje Zoti jep mësim në vetë mënyrën e Tij. Atje çdo ordinancë jep mësim për Shpëtimtarin. Atje ne mësojmë se si ta hapim velin dhe të komunikojmë më qartë me qiellin. Atje ne mësojmë se si ta qortojmë kundërshtarin dhe të marrim fuqinë e priftërisë së Zotit për të na forcuar ne dhe ata që i duam. Sa i etur duhet të jetë secili prej nesh që të kërkojë strehim atje!”

Ne mund të gjejmë strehë dhe përkatësi në tempull duke kërkuar Shpëtimtarin nëpër ordinanca dhe besëlidhje. Duke e bërë këtë, do të gjejmë prova se Ai na do dhe se “të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (shihni te 2 Nefi 26:33). Për shkak të dashurisë së Tij për ne, Ai do që ne të krijojmë “lidhje të përjetshme” me Të dhe të marrim qasje në një “lloj të veçantë dashurie e mëshire” nëpërmjet besëlidhjeve tona. Nëse i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet e tempullit, ne mund ta forcojmë marrëdhënien tonë me Të, duke na sjellë “shpresë, gëzim dhe optimizëm gjatë gjithë jetës sonë”, në çfarëdo rrethanash qofshim.