2025
Mbajeni Lidhjen me Shpëtimtarin
Mars 2025


“Mbajeni Lidhjen me Shpëtimtarin”, Liahona, mars 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Mbajeni Lidhjen me Shpëtimtarin

Ndërsa filluam të zbritnim nga maja, befas babai dhe motra ime ranë nga motoçikleta e tyre!

dy njerëz me veshje mbrojtëse sportive duke qëndruar në një rrugë me baltë, me një motoçikletë për çdo lloj terreni, të kthyer përmbys aty pranë

Ilustrimi nga David Miles

Një verë, familjarisht shkuam me pushime në Kinën Jugore, ku ngamë motoçikleta për çdo lloj terreni (ATV) nëpër një pyll tropikal. Kur mbërritëm në një kamp për këto lloj motoçikletash, u befasuam kur udhërrëfyesit na dhanë komplete mbrojtëse për të gjithë trupin me helmeta dhe syze të stërmëdha. Na u dukën pak të tepërta për motoçiklistët amatorë në një ditë aq të nxehtë e me lagështirë, por i veshëm gjithsesi.

Pasi morëm udhëzime për ngarjen e tyre, u nisëm dhe përfundimisht arritëm në majë të rrugëtimit tonë. Atje ndaluam për të pirë ujë dhe për të fshirë djersën nga fytyra.

Udhërrëfyesi ynë më pas na shpjegoi se zbritja do të ishte më e ndërlikuar. Do të duhej që të rrinim më afër njëri‑tjetrit dhe të krijonim një varg motoçikletash, ku secila prej tyre prekte motoçikletën që kishte përpara dhe atë prapa për ta bërë grupin më të njëtrajtshëm.

Ndërsa filluam të zbritnim, e thirrëm njëri‑tjetrin që të bashkërendonim zbritjen. Megjithatë, u ndamë ngadalë, duke lënë një hapësirë mes motoçikletës sime dhe asaj që ngiste babai dhe motra ime e vogël, Vivi. Befas, Vivi dhe babai im ranë nga motoçikleta e tyre! Babai im u hodh përsipër Vivit pikërisht në kohë për ta mbrojtur nga motoçikleta që mund të rrokullisej mbi të.

U lehtësuam jashtëzakonisht kur pamë se babai im dhe Vivi u ngritën në këmbë dhe pastruan dheun nga pantallonat. Falë veshjes mbrojtëse që mbajti, babai im pësoi vetëm dëmtime të vogla. Vivi u tmerrua, por nuk u lëndua. Kur u rimblodhëm si grup, udhërrëfyesi na kujtoi me një zë të prerë se duhej ta mbanim lidhjen mes motoçikletave tona nëse nuk donim të rrëzoheshim teposhtë nëpër kodër përsëri.

Në jetë, nganjëherë tundohemi që të mendojmë se mund t’i bëjmë gjërat vetëm. Mendojmë se nuk na duhet ta vëmë armaturën mbrojtëse të ungjillit, e cila mund të na duket e parehatshme. Po ashtu, mund të na duket e vështirë nganjëherë të mbajmë lidhjen me Atin tonë Qiellor. Kur nuk arrijmë ta bëjmë këtë, rrezikojmë të manovrojmë vetëm nëpër shtigjet e frikshme dhe të pabesa të botës, të prirur ndaj aksidenteve dhe lëndimeve të rënda shpirtërore.

Nëse e përdorim mbrojtjen që ofron ungjilli, dhe e mbajmë lidhjen me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, mund të përballemi me sfidat që na presin në jetë. Pavarësisht se sa i frikshëm ose tmerrues është shtegu, me Ta ne mund t’ia dalim mbanë.