“Shtegu Im Drejt Qëndresës së Duruar”, Liahona, mars 2025.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Shtegu Im Drejt Qëndresës së Duruar
Pyesja veten pse duhej të shërbeja me gjithë zemër e shpirt nëse bërja e kësaj sillte vetëm sprova.
Fotografi e autores nga Shaun Sutton
Kur u ktheva në shtëpi në jug të Filipineve në vitin 2016, pas shërbimit me nder në një mision në veri të Filipineve, po prisja me padurim të ndiqja Universitetin “Brigam Jang” në Havai dhe të përjetoja të gjitha aventurat e tjera që i prisnin të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore.
Megjithatë, papritur, fillova të humbisja peshë. Mjekja më diagnostikoi me hipertiroidizëm. Me trembi me përkeqësimet që mund të kishte sëmundja nëse lihej pa mjekim.
Pavarësisht nga trajtimi, trupi im filloi të ndryshonte. Sytë nisën të më enjteshin dhe u bëra kockë e lëkurë. E shmangia daljen në fotografi, madje edhe të parit në pasqyrë për shkak të pamjes që kisha.
Mjekimi filloi të ndihmonte ngadalë. Por tre vjet më vonë, më diagnostikuan me një sëmundje të dytë, një çrregullim depresiv. Këto dy sëmundje më vodhën sigurinë te vetja. E kisha të vështirë të ngrihesha nga shtrati për të shkuar në shkollë dhe nuk ndihesha në gjendje të shërbeja në Kishë.
Isha e zemëruar që Perëndia kishte lejuar që të ndodhte kjo. Pyesja veten pse duhej të shërbeja me gjithë zemër e shpirt nëse bërja e kësaj sillte vetëm sprova? Sidoqoftë, gjeta ngushëllim nga këto fjalë të Presidentit Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Mendjet e thyera mund të shërohen, në po të njëjtën mënyrë si shërohen kockat e thyera dhe zemrat e thyera”. Qava kur i dëgjova ato fjalë. Kisha një mendje të thyer që kishte nevojë për shërim.
U rrita në një shtëpi besimtarësh dhe besimi im tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mbeti i paprekur pavarësisht nga dhembja dhe pasiguria. Shkallë‑shkallë, i pranova dhe u përshtata me rrethanat e mia të reja.
Tani, tetë vjet më vonë, sëmundjet e mia nuk më ndalin më. I pranoj ato si pjesë të jetës. Ndihem e plotë. Mund të shërbej dhe ta jetoj jetën plotësisht, ndonëse sfidat shëndetësore mund të vazhdojnë gjatë gjithë jetës sime. Kam mësuar se qëndresa me durim është pjesë e vdekshmërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:7–8). Po mësoj ta pi kupën time të hidhur dhe të qëndroj e fortë.
Tani punoj në sektorin e personelit të një shoqërie për inteligjencën artificiale dhe natën ndjek orët mësimore përmes internetit nga Universiteti “Brigam Jang” – Pathway Mbarëbotëror. Kam ndaluar së bëri pyetjen: “Pse mua?” dhe kam nisur të bëj pyetjen: “Çfarë mund të mësoj? Çfarë dobie mund të kem nga kjo përvojë?”
Duke hedhur vështrimin pas, shoh se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ishin me mua gjatë gjithë udhës. Nga këtej e tutje, e di se në cilin mund të besoj (shihni te Fjalët e Urta 3:5–6; 2 Nefi 4:34).