“Ati Qiellor Dëshiron t’ju Flasë”, Liahona, mars 2025.
Ati Qiellor Dëshiron t’ju Flasë
Lejoni që besimi juaj tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, t’ju ndihmojë ta ndani velin dhe ta dëgjoni zërin e Atit.
Ne jemi bij dhe bija të Perëndisë, që jetojmë në tokë të gjithë bashkë, larg shtëpisë sonë qiellore. Kjo është vdekshmëria jonë, një kohë për të marrë trup, për të zgjedhur të mirën para së keqes, për të “prov[uar] hidhësinë, që të mund të di[m]ë ta çmoj[m]ë të mirën” (Moisiu 6:55), për ta rritur besimin te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe te Shlyerja e Tij e shenjtë dhe për të përqafuar planin e Atit për lumturinë. Ne jemi këtu për t’u bërë më shumë si Ati ynë Qiellor.
Ngaqë nuk na kujtohet jeta jonë para lindjes, nganjëherë, ndihemi të veçuar prej botës që lamë pas. Ati ynë na ka bërë një dhuratë shpirtërore për të qëndruar të lidhur me Të dhe për të marrë udhërrëfim, drejtim dhe ngushëllim prej Tij. Ne e njohim shumë mirë këtë dhuratë; ajo quhet lutje.
Lutjuni Atit Tuaj Qiellor
Adamin dhe Evën dhe të gjithë ata që do të vinin pas tyre, një engjëll i udhëzoi: “Do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë” (Moisiu 5:8).
Jezusi dha mësim: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7). “Kur lutesh, … lutju Atit tënd në fshehtësi” (Mateu 6:6). “Ju, pra, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt’” (Mateu 6:9).
Jezusi iu lut vazhdimisht Atit të Tij. “Ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” (Lluka 6:12). “Ai iu ngjit malit për t’u lutur” (Marku 6:46). “Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: ‘Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur’” (Marku 14:32). Ndërsa ishte në kryq, Jezusi u lut për ushtarët që e kryqëzuan: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34).
Shkrimet e shenjta na këshillojnë të “lute[m]i gjithmonë” (Lluka 21:36; 2 Nefi 32:9; 3 Nefi 18:15; Doktrina e Besëlidhje 10:5; 19:38; 20:33; 31:12). “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë” (Alma 37:37). Krahas kësaj, ne “i j[apim] të gjitha falënderimet dhe lavdërimin që i tërë shpirti j[onë] ka fuqi të zotërojë” (Mosia 2:20), duke e vënë re gjithçka që bën Ati për ne.
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Vetëvlerësimi shpirtëror fillon nga të kuptuarit se çdo mëngjes i ri është një dhuratë nga Perëndia. … Ai na ruan ditë pas dite dhe na përkrah nga një çast në tjetrin (shihni te Mosia 2:21).”
Nefi tha: “Në qoftë se ju do të mbanit vesh Shpirtin, i cili i mëson një njeriu të lutet, do të dinit se ju duhet të luteni; pasi shpirti i lig nuk e mëson njeriun të lutet, por e mëson atë që të mos lutet” (2 Nefi 32:8).
Hollësi nga Christ Raising the Daughter of Jairus [Krishti Duke Ringjallur të Bijën e Jairit], nga Greg K. Olsen
Nga shembulli i Shpëtimtarit tonë dhe këshillat e engjëjve dhe profetëve përgjatë shekujve, ne qartazi e dimë që duhet të lutemi përditë për të shprehur mirënjohje për bekimet tona dhe që të mbajmë një lutje në zemër vazhdimisht. Ne kemi përgjegjësinë për të komunikuar me Atin tonë.
Por ajo që është më e lavdishme, është se Ati ynë në Qiell u përgjigjet lutjeve tona. Një pyetje plot mendim në këtë botë në vdekshmëri është: “Si t’i marrim dhe kuptojmë më mirë përgjigjet, drejtimin dhe ngushëllimin që vijnë nga Ati ynë?”
Falë më shumë se shtatë dekadave të jetës sime, unë e di se Ati ynë na flet. Nuk jemi vetëm. Qenie hyjnore kujdesen për ne dhe na ndihmojnë ndërsa kërkojmë të ndjekim Shpëtimtarin.
Marrja e përgjigjeve për lutjet tona fillon me besimin tonë tek Ati ynë Qiellor dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti. Jezusi tha: “Mos ki frikë, vetëm ki besim” (Marku 5:36). Ne i mirëbesojmë Atij, bëjmë më të mirën për t’i zbatuar urdhërimet dhe kërkojmë dorën e Tij në të gjitha gjërat. “Në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë … përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka dhe nuk u binden urdhërimeve të tij” (Doktrina e Besëlidhje 59:21).
Dora e Perëndisë në jetën tonë nuk do të thotë që Ai shkakton tragjeditë e këqija ose të tmerrshme që janë në botën tonë. Megjithatë, ajo do të thotë se në periudhat tuaja të vështirësisë dhe padrejtësisë, Ai do të qëndrojë krah jush, do t’jua forcojë aftësitë, do t’ju ngushëllojë dhe “do t’i shenjtërojë hidhërimet [tuaja] për të mirë” (2 Nefi 2:2).
Dëgjojeni Zërin e Tij
Teksa kemi besim tek Ai dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, mësojmë natyrshëm ta dëgjojmë zërin e Tij më mirë.
Në shtator 1993, në vitin tim të parë si Autoritet i Përgjithshëm, Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), në atë kohë një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, më ftoi bashkë me bashkëshorten time, Kethin, të ndiqnim një takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” me të. Nëse ju kujtohet, viti 1993 qe përpara vënies së gjerë në dispozicion të telefonave inteligjentë, rrjeteve sociale dhe internetit.
Në bisedën e tij, me titull “The Voice of the Spirit” [“Zëri i Shpirtit”], Presidenti Faust paralajmëroi: “Në brezin tuaj do t’ju vijnë si breshëri mizëri zërash që do t’ju thonë si të jetoni, si të përmbushni pasionet tuaja, si të keni gjithçka. Do të keni deri në pesëqind kanale televizive në majë të gishtave. Do të ketë gjithfarëlloj programesh kompjuterike, modema ndërveprues të kompjuterëve, baza të dhënash dhe kënde njoftimesh; do të ketë shtypje materialesh nga kompjuteri, marrës satelitorë dhe rrjete komunikacioni që do t’ju mbytin me informacion. … Zëri të cilit duhet të mësoni t’ia vini veshin, është zëri i Shpirtit.”
Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth zërit të qetë, të vogël të Shpirtit ndërsa tregoi një përvojë të Xhon Bërrousit, një natyralist, teksa po shëtiste me miq nëpër një park plot me njerëz. Ja fjalët e Presidentit Paker:
“Përtej tingujve të jetës së qytetit [z. Bërrous] dëgjoi këngën e një zogu.
Ai ndaloi dhe mbajti vesh. Ata që ishin me të, nuk e kishin dëgjuar. Ai hodhi vështrimin përreth. Askush tjetër nuk e kishte vënë re.
U mërzit që të gjithëve po u shpëtonte diçka kaq e bukur.
Ai nxori një monedhë nga xhepi dhe e hodhi në ajër. Monedha ra në tokë me një tringëllimë që nuk dëgjohej më shumë se kënga e zogut. Të gjithë u kthyen; atë tingull mundën ta dëgjonin!
Është e vështirë të dalloni këngën e një zogu mes të gjithë tingujve të trafikut të qytetit. Mirëpo mund ta dëgjoni atë. Mund ta dëgjoni qartë nëse e stërvitni veten të mbani vesh për të.”
Mësimet e Presidentit Paker mbi Frymën e Shenjtë u dhanë në vitin 1979, një periudhë kur jeta qe shumë më e qetë dhe zhurma e botës qe shumë më e mbytur se tani.
Presidenti Nelson dha mësim: “Nëse po [u] kushtoni më shumë vëmendje njoftimeve nga media shoqërore sesa pëshpëritjeve të Shpirtit, atëherë po e vini veten në rrezik shpirtëror”.
Presidenti Faust tha: “Nëse duam ta dëgjojmë zërin e Shpirtit, edhe ne duhet të hapim veshët, ta drejtojmë syrin e besimit te burimi i zërit dhe të vështrojmë ngultas drejt qiellit”.
Ky zë i Shpirtit vjen si në intelektin, ashtu edhe në ndjenjat tona. “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 8:2). Dëgjojeni ndërgjegjen, zbulesa shpesh e ka pikënisjen aty.
Gjatë një vizite në kompleksin “Shtëpia e Vajzave, Qyteti i Djemve” në Markina‑Siti të Filipineve, në shkurt 2024, Plaku Andersen u mësoi të rinjve dhe të rejave se ata janë fëmijë të Perëndisë: “Ai ju do. Ju mund t’i bëni thirrje Atij. Ai do t’jua dëgjojë lutjet.”
Lutuni me një Zemër Besuese
Përgjigjet dhe mbresat nuk merren me detyrim. Ne lutemi dhe presim me një zemër besuese. Disa përgjigje nuk do të vijnë në këtë jetë, por, të drejtëve, Zoti do t’ua dërgojë gjithmonë paqen e Tij (shihni te Gjoni 14:27). Përgjigjet shpesh vijnë kur lutemi për t’i ndihmuar ata që kemi përreth. Nganjëherë, ato vijnë “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (Doktrina e Besëlidhje 98:12).
Zëri i qiellit mund të na vijë në kohë dhe vende të papritura, por ne i gjejmë mundësitë më të shquara në hapësira të qeta dhe vende të shenjta. Në qetësinë e lutjeve dhe përsiatjeve të mia herët në mëngjes, gjej bekime të pazakonta. Një lexim i përditshëm, vetjak, i pandërprerë i shkrimeve të shenjta, ndonëse nganjëherë bëhet rutinë, herë të tjera na e sjell zërin e Shpirtit në zemër si një zjarr.
Nganjëherë, mbresat janë posaçërisht nga ajo që po lexojmë dhe herë të tjera, ajo që po përsiatim sjell përgjigje për një shqetësim krejt të ndryshëm. Kujtojini fjalët e Plakut Robert D. Hejls: “Kur dëshirojmë [t’i] flasim Perëndisë, ne lutemi. Dhe kur dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta.”
Ndërsa zhurma dhe shpërqendrimet e botës vërtiten rreth nesh, Zoti e ka udhëzuar profetin e Tij që të ndërtojë gjithnjë e më shumë tempuj. Në këto shtëpi të shenjta të Zotit, teksa i lëmë sfidat jashtë, por hyjmë me lutjet dhe shqetësimet tona, na mësohen të vërtetat e përjetësisë.
Një vit më parë, Presidenti Nelson na bëri këtë premtim mbresëlënës: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ja ku është premtimi im. Asgjë nuk do t’ju ndihmojë më shumë që të mbaheni fort te shufra e hekurit, sesa adhurimi në tempull aq rregullisht sa ta lejojnë rrethanat tuaja. Asgjë nuk do t’ju mbrojë më shumë teksa hasni mjegullat e errësirës së botës. Asgjë nuk do ta përforcojë më shumë dëshminë tuaj për Zotin Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij ose t’ju ndihmojë ta kuptoni planin e madhërishëm të Perëndisë. Asgjë nuk do ta qetësojë më shumë shpirtin tuaj gjatë kohëve të dhembjes. Asgjë nuk do t’i hapë më shumë qiejt. Asgjë!”
Çdo konferencë e përgjithshme sjell bekime të tjera me bollëk. Në prillin e ardhshëm, edhe një herë, do të mblidhemi në konferencën e përgjithshme për të dëgjuar zërin e Zotit. Ne vijmë në konferencën e përgjithshme pasi jemi lutur dhe përgatitur. Për secilin prej nesh, ka shqetësime të ngutshme dhe pyetje të çiltra. Ne vijmë që ta ripërtërijmë besimin tonë te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe ta forcojmë aftësinë tonë për t’i bërë ballë tundimit. Ne vijmë që të mësohemi nga lart. Unë premtoj se, ndërsa përgatiteni dhe vini me lutje në sesionet e konferencës së përgjithshme, do t’i ndieni përgjigjet për shqetësimet tuaja dhe do ta dini se “dor[a] e qiellit” është mbi ju.
Kini besim se Ati juaj Qiellor po ju flet. Ai po e bën! Lejoni që besimi juaj tek Ai dhe Biri i Tij i Dashur t’ju ndihmojë ta ndani velin dhe ta dëgjoni zërin e Atit. Unë dëshmoj se Ai është pranë dhe ju do më shumë nga ç’mund të thuhet me fjalë.