2025
Mënyrat e Komunikimit Hyjnor
Mars 2025


“Mënyrat e Komunikimit Hyjnor”, Liahona, mars 2025.

Mënyrat e Komunikimit Hyjnor

Perëndia na flet në mënyra të ndryshme. Ka gjëra që mund t’i bëjmë për t’u siguruar që ky komunikim të vazhdojë të rrjedhë.

burrë duke u lutur

Ilustrimet nga David Green

Ndërsa fillova të përgatitesha për bisedën time të parë në konferencën e përgjithshme, e kuptova se çfarë detyre tmerruese mund të jetë ajo! Folësve në konferencën e përgjithshme nuk u caktohen tema, ndaj më duhej ta zbuloja vetë se çfarë do të donte Zoti që të thosha.

U luta dhe prita për të marrë drejtim. Pas ca kohësh, bashkëshortja ime, Izabela, e cila është e mençur dhe më njeh mirë, më pa që po hasja vështirësi për t’ia nisur.

“Shiko, duhet të bësh diçka”, – tha ajo. “Fillo nga puna dhe shkruaj diçka!”

Kjo ishte ajo çka bëra. Gjatë procesit, nisa gjashtë ose shtatë biseda të mundshme. Teksa i përsiatja mundësitë e ndryshme, u ndjeva mirë për njërën prej tyre dhe ndjeva se ajo ishte biseda që duhej të jepja. Shpirti ma ndau mendjen dhe pjesa e mbetur e bisedës rrodhi.

Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2023, thashë se ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë. Ai na do, na njeh imtësisht dhe gjendet edhe te hollësitë e jetës sonë. Ai na dëgjon kur lutemi dhe dëshiron të na flasë.

Të mësuarit se si i flet Perëndia secilit prej nesh është një përvojë individuale. Por ja disa mënyra për ta lehtësuar komunikimin që Ati Qiellor dëshiron të na japë për të na bekuar jetën.

Veproni me Besim dhe Mirëbesim

Për ta dalluar kur flet Perëndia duhet besim dhe mirëbesim. Besimi e ka gjithnjë spirancën të hedhur te Jezu Krishti. Nevojitet gjithashtu që t’i mirëbesojmë Atij. Ai ka thënë:

“Vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde.

Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës” (Doktrina e Besëlidhje 8:2–3).

Mirëpo zbulesa dhe drejtimi hyjnor nuk vijnë thjesht nga pritja e një shpërfaqjeje shpirtërore. Ne duhet të veprojmë. Ashtu sikurse më tha bashkëshortja ime të bëja për bisedën e konferencës, nganjëherë nevojitet që thjesht të “fillojmë nga puna”.

Kur Izabela dhe unë shërbyem si udhëheqës misioni në Misionin e Francës, Lion, më duhej të përcaktoja se ku duhej të shkonte çdo misionar brenda misionit dhe kohën kur ta caktoja. Zbulova se Shpirti më udhërrëfente nëse lutesha për ndihmë dhe më pas përdorja gjykimin tim më të mirë. Pohimi pastaj vinte pasi gjithçka kishte shkuar në vendin e vet.

Në thirrjen time të tanishme, më dërgojnë në kunje në mbarë Kishën për të riorganizuar presidencat e kunjeve. Teksa shoku im dhe unë i intervistojmë individët, kemi mendime, ndjenja dhe mbresa që na vijnë. Më pas këshillohemi dhe lutemi së bashku. Përfundimisht, zbulesa vjen dhe Zoti na e pohon se kë ka thirrur Ai për t’i shërbyer.

Është një proces për të dalluar se kur flet Perëndia dhe për të zbuluar vullnetin e Tij. Nevojitet të tregojmë se jemi të gatshëm të veprojmë me besim dhe mirëbesim.

Ndiqeni Profetin

Një mënyrë e rëndësishme se si u flet Perëndia fëmijëve të Tij, është nëpërmjet profetëve. Pasja e një profeti në tokë sot është lajm i shkëlqyer! Ai merr zbulesë nga Perëndia për ta udhëhequr dhe udhërrëfyer Kishën (shihni tek Amos 3:7). Ne mund të marrim udhërrëfim dhe mbrojtje edhe nga ndjekja e mësimeve të tij. Kjo nuk është përherë e lehtë, por Zoti na ka udhëzuar që ta ndjekim profetin “plot durim e besim” (Doktrina e Besëlidhje 21:5).

Dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, për shembull, është vërtetuar se është profetik qëkurse u paraqit 30 vjet më parë. Aty trajtohen shumë shqetësime që nuk e dinim se do t’i kishim, dhe na jepet udhërrëfim që jo domosdoshmërisht e dinim se do të na nevojitej, por tani e dimë. Udhërrëfimi i profetit mund të mos jetë gjithnjë ajo çka duam të dëgjojmë. Ai mund të mos përputhet me vlerat e tanishme të shoqërisë. Pavarësisht nga kjo, ne do të marrim udhërrëfim dhe mbrojtje kur e ndjekim profetin.

grua duke lexuar shkrimet e shenjta

Bëni Pyetje dhe Kërkoni Përgjigje

Në ditët e hershme të Rivendosjes, Perëndia shpesh foli në përgjigje të pyetjeve të sinqerta që kishin Profeti Jozef Smith dhe të tjerë. Ndërkohë që Jozefi dhe Oliver Kaudëri punonin për përkthimin e Librit të Mormonit, arritën te mësimet e Shpëtimtarit mbi doktrinën e pagëzimit (shihni tek 3 Nefi 11:23–33). Ata dëshironin të mësonin më shumë dhe shkuan në pyje për t’u lutur. Shpejt, Gjon Pagëzori u shfaq dhe e rivendosi autoritetin për të pagëzuar me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve.

Një herë tjetër, bashkëshortja e Jozefit, Ema, shprehu shqetësime për rrëmujën që shkaktonin burrat që tymosnin me llulla dhe përtypnin duhan gjatë mbledhjeve. Jozefi ia çoi çështjen Zotit dhe mori një zbulesë – “një Fjalë Urtësie” (Doktrina e Besëlidhje 89:1) – mbi praktikat e shëndetshme për dobinë fizike dhe shpirtërore të fëmijëve të Perëndisë.

Këto raste dhe shumë të tjera, na kujtojnë se është normale të kemi pyetje për sa kohë që i kërkojmë përgjigjet në drejtimin e duhur. Nëse ia çojmë pyetjet tona Zotit, do të gjejmë përgjigje. Nganjëherë përgjigjet do të vijnë njëherësh. Në më të shumtën e rasteve, megjithatë, përgjigjet vijnë “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30). Mund të na duhet të presim përgjigje që ato të na ndihmojnë të mësojmë e të rritemi, por Perëndia do të na përgjigjet sipas vullnetit, mënyrës dhe kohës së caktuar prej Tij.

Kujtojini Përvojat e Shkuara

Kur duhet të presim që të na flasë Perëndia, është e rëndësishme që të mbahemi tek ajo që dimë dhe te përvojat që kemi pasur. Përndryshe mund t’i humbim. Ne nuk duam t’i vëmë në dyshim përvojat e shkuara me Shpirtin vetëm sepse mund të jemi duke hasur vështirësi tani. Në ato çaste, duhet të kthehemi pas me mendje dhe të kujtojmë se si u ndiem kur ndiheshim pranë Perëndisë.

Alma një herë ia bëri këto pyetje vetëshqyrtuese popullit të Zarahemlës:

“A keni lindur shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë? A keni marrë shëmbëlltyrën e tij në pamjen tuaj? A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja? …

Dhe tani vini re, unë ju them juve, … në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?” (Alma 5:14, 26).

Ne duhet të sigurohemi që t’i kujtojmë përvojat shpirtërore dhe jo t’i lëmë mënjanë. Duhet t’i bëjmë rregullisht vetes pyetjen: “A mund të ndihem unë kështu tani?” Kjo na forcon në rastet kur Perëndia na duket i heshtur. Jemi gjithashtu më në gjendje për t’i dalluar rastet kur Ai vërtet na flet.

Mbajeni Lidhjen

Komunikimi me Atin tonë Qiellor është diçka e gjallë. Ne bëjmë pjesën tonë për ta mbajtur gjallë atë duke kërkuar dhe krijuar mundësi për komunikim hyjnor në mënyrë aktive. Ne mund t’i lutemi Perëndisë rregullisht dhe me zjarr për paqe, ngushëllim dhe udhërrëfim. Mund ta studiojmë fjalën e Tij në shkrimet e shenjta dhe të ndiejmë ndikimin e Shpirtit. Mund edhe të ndjekim udhërrëfimin profetik.

Teksa e mbajmë lidhjen me Atin tonë të dashur në Qiell, mund të jemi mjete në duart e Tij për t’i ardhur në ndihmë për punën e Tij të mrekullueshme. Duke ua vënë veshin ideve dhe nxitjeve që marrim, mund t’i ndihmojmë të tjerët të ndiejnë se Perëndia i njeh dhe i do ata dhe dëshiron t’u flasë atyre.

Siguria që Perëndia i dëgjon dhe u flet fëmijëve të Tij është një bekim i pamasë. Komunikimi i rregullt hyjnor me Të na jep udhëzimin që na nevojitet për të manovruar përgjatë rrugëtimit të jetës.