2025
Kontrollo Portën
Mars 2025


“Kontrollo Portën”, Liahona, mars 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Kontrollo Portën

Ndërkohë që shërbeja në një fermë, mora një mësim të vlefshëm rreth ndjekjes së nxitjeve nga Fryma e Shenjtë përherë.

dy burra duke biseduar në stallën ku mbahen kuajt

Fotografi e autorit në fermë nga Shaun Sutton

Nga fundi i misionit tim si një misionar në moshë të re me shërbim, ndoqa një nxitje për të shërbyer dy ditë në javë në një fermë turistike në Jutë për familjet e ushtarakëve dhe të dëshmorëve. Nuk kisha kurrfarë përvoje me asgjë që lidhej me punët e fermës, por isha i emocionuar.

Në fillimet e mia atje, m’u kërkua të pastroja kthinat e kuajve. Miku im i mirë dhe shoku i misionit me të cilin shkoja të jepja mësim mbrëmjeve, Elder [Plaku] Soltern, qe caktuar të më tregonte atë që duhej të bëja.

Kur Elder Solterni po futej në kthinën e fundit që duhej pastruar një ditë, unë e ndoqa. Në mendje mora një mbresë të butë që t’i kërkoja ta mbyllnim portën pas nesh. E lash të më kalonte ai mendim dhe i hyra punës së pastrimit.

Kali në kthinë, Shreku, qe një nga kuajt më trupmëdhenj të fermës. Ai filloi të lëvizte me nervozizëm ndërsa pastronim. Papritur, Shreku doli vrik nga kthina prej portës së hapur dhe vrapoi duke i kaluar kuajt e tjerë që qenë jashtë në vathë.

Për fat, një nga vajzat me përvojë në fermë kapi një kovë me drithëra dhe e joshi me shpejtësi kalin që të kthehej pas. Ndërsa e futi prapë Shrekun në kthinën e vet, më hodhi një vështrim dhe tha hareshëm: “Çfarë mësuam?”

Mësimi i dukshëm qe që ta mbyllnim gjithmonë portën. M’u kujtua një shkrim i shenjtë që kisha lexuar pikërisht atë mëngjes, që më mësoi t’i dëgjoj “thirrjet e [Shpirtit] [t]ë Shenjtë” (Mosia 3:19).

Kur Elder Solterni dhe unë hymë në kthinën e Shrekut, e kisha shpërfillur një nxitje nga Fryma e Shenjtë për të mbyllur portën. I kisha vënë kufij Shpirtit për të më këshilluar vetëm në lidhje me ato që mendoja se ishin gjëra “shpirtërore” të lidhura me shkrimet e shenjta ose urdhërimet. Kjo përvojë më përuli. E kuptova se njohuria nga Shpirti qe më e madhe nga sa e kisha kuptuar, madje edhe kur bëhet fjalë për punët e fermës!

Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha mësim: “Mbani mend që kjo vepër nuk është vetëm [e] juaja dhe imja. … Kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit.”

Mund të mos e kem dhënë mësim ungjillin në fermë, sikurse do të bëja atë mbrëmje me Elder Solternin, por m’u dha e drejta për ndihmë dhe drejtim hyjnor, edhe kur po pastroja kthinat e kuajve.