2025
Shërbesa e Apostujve: Një Punë që Askush Tjetër Nuk Mund ta Bëjë
Mars 2025


“Shërbesa e Apostujve: Një Punë që Askush Tjetër Nuk Mund ta Bëjë”, Liahona, mars 2025.

Shërbesa e Apostujve: Një Punë që Askush Tjetër Nuk Mund ta Bëjë

Mënyra se si shërbesa mbarëbotërore e Apostujve bashkëkohorë të Zotit ndikon për mirë tek individët.

fotografi në grup e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

Anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve qëndrojnë si dëshmitarë të Jezu Krishtit në të gjithë botën. Thirrja e tyre është e pashembullt dhe me ndikim. Pasi thirren për të shërbyer, ata i mbyllin dyert e karrierës së tyre të dalluar për t’ia përkushtuar gjithë kohën dhe talentet e tyre bekimit të të tjerëve. Secili sjell dhunti dhe talente të pashoqe në thirrjen e vet, të mprehura nga shërbimi për një jetë të tërë, nga mësimdhënia dhe të mësuarit e ungjillit dhe mposhtja e sfidave me besim te Zoti.

Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe bashkëshortja e tij, Melania, sapo qenë sistemuar në karriget e tyre për të dëgjuar koncertin e Krishtlindjes në shkollën e nipit të tyre kur drejtori i shkollës iu afrua dhe e pyeti Plakun Rasband nëse mund t’u uronte mirëseardhjen spektatorëve.

Teksa ai u ngrit në këmbë dhe hodhi vështrimin mbi turmën dhe orkestrën – të gjithë që prisnin me padurim që programi të fillonte – mendoi thjesht t’u uronte mirëseardhjen të ftuarve dhe t’u uronte një mbrëmje të mrekullueshme. Mirëpo më pas iu kujtua thirrja apostolike që të qëndronte gjithmonë si një dëshmitar i veçantë në të gjitha vendet. “Zonja dhe zotërinj”, – tha ai – “nuk mund ta humb rastin [në këtë] periudhë të lindjes së Krishtit për të dhënë dëshmi për emrin e Tij dhe për shërbesën e Tij.”

Kudo të shkojnë, këdo që takojnë, mesazhi i Apostujve është një pohim i Jezu Krishtit si Biri shëlbues i Perëndisë. “Para së gjithash, gjatë gjithë kohës, ne jemi dëshmitarë të realitetit të gjallë të Zotit Jezu Krisht”, – tha Plaku Dejvid A. Bednar.

“Jezu Krishti është arsyeja pse jemi këtu”, – u tha Plaku Dejll G. Renland motrave të Shoqatës së Ndihmës në një takim shpirtëror në Londër vitin që shkoi. “Unë absolutisht e di se Ai jeton! … Mrekullia e vërtetë ndodh në jetën tuaj kur e dini dhe ju vetë.”

“Si mund të ndihmoj që ta ndërtoj besimin e tyre te Jezu Krishti?”, – tha Plaku Kuentin L. Kuk për anëtarët në Sidni të Australisë, ndërsa tregonte se si ajo pyetje u ka dhënë trajtë mesazheve të tij për shumë vjet.

Mësimet e tyre zbulojnë një ndjesi ngutjeje dhe dëshirimi që ata ndiejnë që të tjerët të ngrihen në shenjtëri për ta parë dhe ndier Shpëtimtarin dhe për të përjetuar hirin e Tij shlyes (shihni tek 3 Nefi 11:15). Mësimet e tyre janë të përmbytura nga dashuria dhe mirëkuptimi. Lutja e tyre për t’u penduar është e butë, por prapëseprapë e vendosur. Dëshira e tyre e skajshme që anëtarët të zhvillohen në gjërat e Perëndisë, është sa e dukshme, aq edhe e pamohueshme. Kur njerëzit dëgjojnë një dëshmi të dhënë nga një Apostull, mund të preken në zemër dhe t’u ndryshojë jeta.

Dëshmitarët e Jezu Krishtit

Secili Apostull sjell talente dhe përvoja të pashembullta për t’i mbartur në detyrën e tij. Secili ka spikatur në karrierë. Secili është i ndryshëm për nga personaliteti dhe stili, prapëseprapë ata kanë cilësi të përbashkëta. Ata janë të lumtur, pozitivë dhe të japin siguri kur i ke pranë. Ndodh shpesh që atyre, të cilët takojnë një Apostull të Jezu Krishtit, u bën përshtypje mirësjellja dhe natyra e tyre e çiltër.

Apostujt kanë një ngutje për t’i bërë gjërat, një nxitje për të bekuar, për të sjellë ngushëllim dhe për të dhënë dëshmi.

“Për tri dekada, ka qenë nderi dhe privilegji im të shoqërohem me anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, – tha Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. “Pa përjashtim, çdonjëri nga këta burra më ka ndihmuar të bëhem një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit.

Kur u mblodhëm së fundi për të bërë një fotografi si kuorum, pata një ndjesi mirënjohjeje të pafundme që isha pjesë e një rendi të vazhdueshëm të dishepujve të lashtë e bashkëkohorë të Jezu Krishtit.

Emrat dhe fytyrat … në këtë kuorum ndryshojnë me kalimin e kohës, por ajo që është thelbësore mbetet: çdo apostull ka pranuar detyrën që ‘të je[t]ë … dëshmitar [i] veçantë [i] emrit të Krishtit në gjithë botën’ [shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:23]. Asnjë punë më e ëmbël nuk mund t’i jepej ndonjëherë dikujt, dhe asnjë grup më i shkëlqyer burrash me të cilët ta bënte atë.”

Plaku Diter F. Uhtdorf duke folur në Qendrën e UBJ‑së në Jerusalem

Plaku Diter F. Uhtdorf flet gjatë një konference të veçantë të distriktit të Jerusalemit në Qendrën e UBJ‑së në Jerusalem, më 22 prill 2023.

“Ndjenjat e mirënjohjes për Shpëtimtarin më pushtuan sot teksa ia kushtuam vëmendjen flijimit të Tij në dy vende të veçanta”, – tha Plaku Diter F. Uhtdorf, ndërkohë që vizitonte vendet e shenjta në Izrael në vitin 2023. “Ne vizituam Varrin te Kopshti”, vendin ku mund të jetë vënë trupi i Krishtit.

“Vizituam edhe zonën që nga disa konsiderohet se është Kopshti i Gjetsemanit. Teksa ecnim mes pemëve shekullore të ullirit, dëgjonim vargje nga shkrimet e shenjta që përshkruanin flijimin solemn të Shpëtimtarit për hirin tonë në kopsht dhe në kryq.

Përvoja e mundimshme e Jezu Krishtit në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq meriton respektin tonë të plotë dhe gjithë nderimin tonë. Në mënyrë të ngjashme, ngjarjet e mrekullueshme që ndodhën ditën e tretë pas Kryqëzimit të Tij, meritojnë të zënë një vend nderimi dhe mirënjohjeje të përjetshme brenda zemrës e mendjes sonë.

Si një dishepull i Krishtit, jam i bekuar të shpall dëshminë time se Ai jeton!”

Në një publikim në rrjetet sociale rreth nderimit për Zotin, Plaku Gerit W. Gong na inkurajoi: “Le të flasim gjithmonë me mirënjohje të ngrohtë dhe nderuese për veprën dhe lavdinë e Perëndisë dhe për meritat, mëshirën dhe hirin e Jezu Krishtit dhe të flijimit të Tij shlyes”.

Përgatitja e një Apostulli

“Zotit i duhet një kohë e gjatë për ta mësuar një Apostull”, – tha Presidenti Rasëll M. Nelson. “Kur ai burrë thirret tek Të Dymbëdhjetët, Zoti ka diçka të pashoqe me të cilën pret që ai burrë të kontribuojë.”

Përgjatë shtegut të çdo Apostulli vijnë prova, “provime guximi dhe durimi” përherë që e bëjnë të analizojë veten dhe nganjëherë i kërcënojnë jetën.

“Ka gjithmonë një provë”, – tha Presidenti Nelson duke përshkruar punën në shërbim të Zotit. “A jeni të gatshëm të bëni gjëra vërtet të vështira? Pasi ta keni treguar se jeni të gatshëm të bëni pjesën tuaj, Ai do t’ju ndihmojë.”

Ndërsa u drejtohej anëtarëve në Australi, Plaku Kuk dha një pjesëz të përvojës së tij duke u treguar se si anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve janë ndier të papërgatitur dhe të papërshtatshëm njësoj siç ndihen udhëheqësit e lagjes ndonjëherë. “Të qenit një Apostull, në shërbim të Zotit, është diçka shumë përulëse”, – tha ai.

Kur ishte një Apostull i sapothirrur, Plaku Nil L. Andersen shpjegoi se, megjithëse ndihej i papërshtatshëm dhe i përulur, gjeti ngushëllim te fakti që Zoti e kishte bekuar të paktën me një gjë që e kualifikonte: “Unë e di me qartësi të përsosur dhe të sigurt, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që Jezusi është Krishti, Biri i Dashur i Perëndisë”.

“Më kanë pyetur se si ndihesha që isha Apostulli më i ri në detyrë”, – tha Plaku Patrik Kirën ditën pasi mori thirrjen në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve.

“Kam pasur çdo emocion që mund të merret me mend, dhe e di se kjo është më e madhe se unë. Por do të lutem për ndihmë. Besoj absolutisht te një Atë i dashur Qiellor dhe te Biri i Tij, Shpëtimtari ynë. E di se Ata do të më ndihmojnë. Ky mendim më mban. Do të bëj më të mirën për t’u bërë, me kalimin e kohës, diçka që t’i afrohet një Apostulli që ju mund të keni në imagjinatën tuaj.

Kështu, sot që e kam të vështirë, 24 orë pas marrjes së thirrjes, ta pranoj këtë fakt, nëse po kaloni një ditë ku ndiheni të stërmunduar … përtej imagjinatës suaj më të shfrenuar, epo, edhe unë ndihem njësoj si ju.”

Udhëheqësit e Kishës duke u takuar me mbretin dhe mbretëreshën e Tongës

Presidenti Rasëll M. Nelson udhëheq një delegacion udhëheqësish të Kishës, përfshirë Plakun Gerit W. Gong, në një takim me mbretin dhe mbretëreshën e Tongës në vitin 2019. Apostujt takohen me funksionarë të lartë dhe krerë të shtetit në rolin e tyre për t’ia hapur dyert e kombeve ungjillit. “Duhen shumë vjet për t’i përgatitur Apostujt për detyrën e tyre të madhe”, – tha Presidenti Nelson.

Ambasadorë nëpër Botë

Duke iu referuar vargut te Doktrina e Besëlidhje 107:23, në të cilin Zoti i thërret Dymbëdhjetë Apostujt që të jenë “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën”, Presidenti Nelson vërejti: “Çdo anëtar i Të Dymbëdhjetëve është një Apostull për të gjithë botën. Ai duhet të mësojë për çdo pjesë të botës, krahas njerëzve, gjuhëve dhe historisë.”

Puna e tyre shtrihet në të gjithë rruzullin. Ata takohen me krerë të shtetit, funksionarë të lartë vendorë, me median dhe anëtarë të Kishës në mjedise të mëdha dhe private. Orët mund të jenë të gjata dhe mund t’iu kërkohet shumë. Si ambasadorë të Zotit Jezu Krisht, jeta e vet nuk u përket më atyre.

Gjatë një turneu shërbestar botëror 12‑ditor me takime të ngjeshura, vitin e shkuar, nëpër gjashtë vende europiane, ku gjumi shpesh bëhej gjatë një fluturimi nga një vend në tjetrin natën, Plaku D. Tod Kristoferson u takua me udhëheqës të qeverisë, misionarë kohëplotë dhe anëtarë të Kishës vendore.

Për t’u veçuar qe një takim me Ministren e Kulturës dhe Medias në Kroaci, ku Plaku Kristoferson ofroi ndihmë nga Kisha për t’i ndihmuar refugjatët e shumtë që po vërshonin në vendin e saj nga Ukraina e rrënuar prej luftës. “Ne … zbuluam se kishte shumë mënyra … në të cilat mund të bashkëpunonim, veçanërisht [për t’u ardhur në ndihmë] atyre që janë në nevojë të madhe”, – tha Plaku Kristoferson.

Plaku Geri E. Stivenson duke përshëndetur njerëzit në Tanzani

Pasi u takua me udhëheqësit vendorë në Dar‑es‑Salam të Tanzanisë, për të lajmëruar një dhurim nga Kisha për një projekt të madh bamirësie në vitin 2024, Plaku Geri E. Stivenson u takua me anëtarë e misionarë.

Gjatë një udhëtimi nëntëditor drejt disa vendeve afrikane vitin e shkuar, Plaku Geri E. Stivenson vizitoi Qendrën Shëndetësore të Makuburit në Dar‑es‑Salam të Tanzanisë, ku Kisha po ndihmon që qendra të zgjerohet. “Kur shohim shërbimin që po u ofrohet nënave dhe fëmijëve këtu”, – tha Plaku Stivenson, – “prekemi në zemër.”

Për të shenjuar përvjetorin e 30‑të të Kishës në Kamboxhë, Plaku Renland u takua me kryeministrin e Kamboxhës, të cilin e përshkroi si “një individ mbresëlënës”.

Apostulli, një ish‑kardiolog, i tha kryeministrit se Kisha e Jezu Krishtit po dhuronte afro 2,2 milionë dollarë që të shtohej një qendër kardiologjie në spitalin e Siem‑Repit, që gjendej rreth 320 km në veri të Pnom‑Penit, për t’u sjellë kujdes më të mirë shëndetësor atyre si ungji i kryeministrit, i cili vdiq nga një sindromë koronare akute.

Plaku Dejll G. Renland duke u takuar me kryeministrin e Kamboxhës

Plaku Dejll G. Renland duke i dhënë dorën Manet Hunit, Zoti i Madhërishëm dhe Udhëheqësi Suprem, kryeministri i Mbretërisë së Kamboxhës, në Pnom‑Pen, më 22 janar 2024. Takimi historik përfaqëson herën e parë që një udhëheqës i Kishës takohet me kreun e qeverisë së Mbretërisë së Kamboxhës.

“Pata privilegjin të isha me anëtarë, udhëheqës dhe misionarë në Ulan‑Bator të Mongolisë dhe në Kioto, Hiroshimë, Fukuokë, Saporo dhe Tokio të Japonisë”, – tha Plaku Ulises Soares pasi vizitoi Zonën e Azisë Veriore në vitin 2024. “Në çdo mbledhje ose ndërveprim vetjak, ndjeva dashurinë dhe besimin e jashtëzakonshëm që kanë këta njerëz për Zotin. Historitë e tyre të mrekullueshme të kthimit në besim më prekën thellësisht dhe ma forcuan dëshminë për Jezu Krishtin dhe për ungjillin e Tij të rivendosur në tokë.

… Çfarë bekimi qe për mua që të ndieja Shpirtin e Zotit dhe dashurinë e Tij mes këtyre dishepujve të Krishtit në këto vende!”

Puna e Apostujve

Hapja e dyerve për ungjillin në vende të ndryshme është një përgjegjësi apostolike kyç: “Të Dymbëdhjetët duke qenë të dërguar, duke mbajtur çelësat, për të hapur derën me anë të shpalljes së ungjillit të Jezu Krishtit” (Doktrina e Besëlidhje 107:35).

Sipas përvojës së Presidentit Nelson si anëtar i Të Dymbëdhjetëve, dyert për ungjillin janë hapur ndryshe. Nganjëherë Shpirti veproi mbi një udhëheqës qeverie derisa “ai filloi të ndryshonte mendje për ne”, – tha Presidenti Nelson. Një herë tjetër, një burrë që nuk donte të fliste me udhëheqësit e Kishës, e hoqën nga detyra dhe Zoti na dha “një burrë me të cilin mund të flisnim”. Në secilin rast, Presidenti Nelson tha: “Mesazhi [nga qielli] për mua qe i njëjti: ‘Përpiqu me gjithë zemër. … Merri rreziqet përsipër. Më pas, kur nuk mund të ecësh më tutje, do të të ndihmoj Unë.’”

Gëzimi prej punës së një Apostulli, thonë ata, vjen kur drejtpeshohen nevojat sfiduese të të folurit para grupeve të mëdha si dhe dhënies së shërbesës ndaj individit. Ata i vizitojnë anëtarët në shtëpitë e tyre për t’u dhënë një bekim, për të shprehur mirënjohje ose për të dhënë këshilla të nevojshme.

Plaku Bednar tha: “Zoti dërgon një anëtar të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në vende të posaçme në kohë të veçanta, ku ne hasim shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme dhe të tjerë që shpesh kanë vështirësi ose nevojë për ngushëllim e siguri. Perëndia i orkestron ato ndërveprime.”

Plaku Dejvid A. Bednar duke i dhënë dorën një djali

Plaku Dejvid A. Bednar dhe bashkëshortja e tij, Suzana, përshëndetin njerëzit pasi folën në një takim në Tolukë të Meksikës, më 5 nëntor 2023.

Nganjëherë shërbimi i tyre është shumë publik, si atëherë kur Plaku Stivenson mori pjesë në një konferencë për shtyp shumë të ndjekur në Nairobi të Kenias, e cila u transmetua drejtpërsëdrejti në një televizion kombëtar. “Një pyetje që mund të keni në … mendje është: ‘Çfarë është një Apostull?’” – tha Plaku Stivenson gjatë transmetimit. “Ne … jemi thirrur që të shkojmë mes kombeve të botës dhe të japim dëshmi për Birninë hyjnore të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë së gjallë.”

“Është e gjitha për Të”, – tha Plaku Diter F. Uhtdorf. “Ne po e përfaqësojmë Atë. Është e gjitha për Perëndinë dhe madhështinë e Tij dhe rëndësinë e Tij për lumturinë e fëmijëve të Tij.”

Nganjëherë ata punën e kanë me plot kuptimin e fjalës më afër shtëpisë. Plaku Bednar po riparonte çatinë e shtëpisë një ditë dhe shkoi në një dyqan të zonës për të blerë disa mjete. Ai kishte veshur rroba pune: pantallona dhe këpucë sportive, një bluzë me mëngë të shkurtra dhe një kapelë bejzbolli.

“Një burrë m’u afrua ndërsa po zgjidhja mjetet [që do të blija] dhe tha: ‘Plaku Bednar, maskimi nuk po funksionon’. Qeshëm dhe pastaj ai pyeti: ‘A e ke problem po të të bëj një pyetje?’

Iu përgjigja: ‘Po, për këtë jam këtu’.

M’u përgjigj i hutuar: ‘Çfarë do të thuash?’

I thashë: ‘… Jam këtu sepse Perëndia e dinte se do ta takonim njëri‑tjetrin në këtë dyqan dhe se ti kishe diçka për të cilën doje të më pyesje. Vazhdo të lutem, ma bëj pyetjen.’

Folëm në hyrje të dyqanit për thuajse 15 minuta dhe u përpoqa ta ndihmoja të gjente përgjigje për pyetjen e tij. A qe thjesht një rastësi që e ndesha këtë burrë të mirë në dyqanin e zonës? Apo qe orkestruar ky episod në mënyrë hyjnore nga një Shpëtimtar i dashur i cili … iu përgjigj shqetësimeve të një burri besimtar, një individi?

Besoj se në punën e Zotit nuk ekziston diçka e tillë si rastësia. Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.”

Plaku Nil L. Andersen me njerëzit në Filipine

Plaku Nil L. Andersen pozon për një fotografi më 22 shkurt 2024, në fshatin Xhejmi‑Kardinal‑Sin, në Manilë të Filipineve, ku Kisha riparoi tri cisterna uji.

Përballimi i Sfidave me Besim te Zoti

Apostujt e sotëm përballen me probleme të gjera dhe të ndërlikuara. Ata kërkojnë frymëzim ndërsa i japin mësim dhe shërbesë një bashkësie mbarëbotërore prej më shumë se 17 milionë anëtarësh të Kishës që vihen në provë nga sfida si trazirat politike, pornografia, presionet e pareshtura nga rrjetet sociale ose pasiguria ekonomike. Konflikti mes kombeve bëhet pengesë për punën. Gërryerja e vlerave tradicionale e sfidon qëndrueshmërinë shoqërore.

Anëtarët e Të Dymbëdhjetëve janë të kthjellët për përgjegjësitë e tyre dhe të etur për të ndërtuar besim në një botë gjithnjë e më jobesimtare.

“Qartazi, fuqia e Zotit po vepron mbi udhëheqësit e Kishës, duke i shtyrë me … ngut”, – tha Presidenti M. Rasëll Ballard (1928–2023), Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Pyetja që të gjithë duhet t’i bëjmë vetes, është: ‘A po mbajmë një ritëm me [udhëheqësit tanë]?’ Çdonjëri prej nesh duhet të jetë i përgatitur për t’iu përgjigjur asaj pyetjeje. Mund t’ju siguroj se kjo është një temë diskutimi me mjaft rëndësi mes Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. … Kjo nuk është koha për t’u çlodhur apo për të mos dhënë maksimumin në thirrjet tona. …

… Duhet të jemi të përgatitur të mbajmë të njëjtin ritëm me udhëheqësit tanë, të njëjtin hap për çdo hap të madh të tyre.”

“Si ndjekës të Jezu Krishtit, ne kërkojmë të bëhemi si Shpëtimtari ynë dhe të ndjekim shembullin e Tij në gjithçka bëjmë”, – tha Plaku Uhtdorf. “Pikërisht që nga çasti kur ne vëmë këmbën në shtegun e dishepullimit, bekime nga Perëndia, që i vëmë re dhe që nuk i vëmë re, fillojnë të na shoqërojnë.

Pavarësisht se ku jemi, ju dhe unë mund të ecim në shtegun e dishepullimit sot. Le të jemi të përulur; le t’i lutemi Atit tonë në Qiell me gjithë zemër dhe t’i shprehim dëshirën tonë që të afrohemi me Të dhe të mësojmë prej Tij.”