E Zbulova Vetë
A mund të isha ende një anëtare e mirë e Kishës edhe pse kisha pyetje?
Kohët e fundit vëzhgova vëllanë e motrën time më të madhe të merrnin shtigje të ndryshme nga njëri‑tjetri. Vëllai im po përgatitej për të shërbyer në një mision. Nga ana tjetër, motra ime po largohej fare nga Kisha. Vendimi i saj më pështjelloi dhe për ca kohë nuk dija se si ta pranoja këtë.
Kuptova se besimi im nuk ishte diçka që e kisha zgjedhur unë, ishte diçka me të cilën isha rritur. Më duhej ta zbuloja vetë se çfarë besoja unë në të vërtetë. A besoja tek ungjilli sepse ishte i vërtetë, apo sepse kjo qe e vetmja gjë që më kishin mësuar? A mund të isha prapëseprapë një anëtare e mirë e Kishës edhe pse kisha pyetje?
U drejtova te shkrimet e shenjta me tjetër vendosmëri. Fillova të lexoja me pyetje në mendje, duke kërkuar përgjigje dhe kuptueshmëri. Arrita të kuptoja se bërja e pyetjeve rreth bindjeve të mia fetare nuk nënkuptonte se unë po e humbja besimin. Përkundrazi, nënkuptonte se mund të ndërtoja një themel më të thellë e më vetjak.
Ndërtimi i një dëshmie nuk është një ngjarje që ndodh vetëm një herë, është një proces që zgjat gjithë jetën, me bërje pyetjesh, kërkim dhe ripohim. E kam ndier Shpirtin të më dëshmojë se ungjilli është i vërtetë, por kam përjetuar edhe raste kur jam ndier larg Perëndisë. Besimi nuk është statik, është diçka që duhet ta ushqejmë çdo ditë nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe shërbimit.
Rritja në Kishë më ka dhënë një themel, por më takon mua që të ndërtoj mbi të. Teksa vazhdojmë t’i drejtohemi Zotit, Ai do ta forcojë besimin tonë dhe do të na ndihmojë t’u japim drejtim pasigurive të jetës.
Autorja jeton në Kansas, SHBA.