3 Mënyra se si ta Refuzojmë Satanin dhe të Zgjedhim Jezu Krishtin
Të kuptuarit se ç’ndodhi në jetën para lindjes, mund të të ndihmojë të bësh zgjedhje të mira tani.
Ilustrimi nga Dean MacAdam
Kur Ati Qiellor e paraqiti planin e Tij për lumturinë dhe përparimin tonë të përjetshëm, Ai premtoi të dërgonte një Shpëtimtar për të na ndihmuar. Kur Ati Qiellor pyeti: “Kë të dërgoj?” (Abraham 3:27), Jezu Krishti, “i Dashuri dhe i Zgjedhuri [i Atit] që nga fillimi” (Moisiu 4:2), tha: “Ja ku jam, dërgomë mua” (Abraham 3:27). Ai nuk kërkoi asgjë, Ai thjesht donte që të bënte vullnetin e Atit tonë (shih te Moisiu 4:2).
Pastaj erdhi Luciferi. Ai tha të njëjtën gjë: “Dërgomë mua” (shih te Moisiu 4:1). Mirëpo Luciferi ishte egoist, nuk ishte i gatshëm të sakrifikonte për ne. Ai e donte nderin, fuqinë dhe lavdinë e Perëndisë për vete (shih te Moisiu 4:1). Luciferi dëshironte ta shkatërronte lirinë tonë të zgjedhjes. Mënyra se si ai mendonte ta bënte këtë, është e paqartë. Por ne vërtet e dimë se pa lirinë e zgjedhjes, nuk do të ishim kurrë në gjendje të përparonim e të bëheshin si Ati ynë Qiellor. Pra, në thelb, Luciferi u rebelua kundër Atit Qiellor dhe e refuzoi planin e Tij.
Rebelimi i Luciferit shkaktoi një luftë në qiell, ku ai u “flak tutje” dhe “u bë Satani” (Moisiu 4:3–4). Një e treta e ushtrisë qiellore e ndoqi atë (shih te Doktrina e Besëlidhje 29:36). Por ne ushtruam lirinë tonë të zgjedhjes dhe e ndoqëm Jezu Krishtin.
Lufta që filloi në qiell, vazhdon sot e kësaj dite. Satani dhe ndjekësit e tij kërkojnë vazhdimisht të na kundërvihen. Ja tek janë tri mënyra për të përcaktuar taktikat dhe strategjitë e Satanit, për t’i mposhtur kurthet e tij dhe për të zgjedhur Jezu Krishtin gjatë gjithë jetës sonë.
1. Mos e Lejo Hidhësinë të Fitojë
Vite më parë, u përpoqa një herë t’iu mbushja mendjen shokëve të shkollës të mos i bënin detyrat e shtëpisë ngaqë as unë vetë nuk i kisha bërë. Po veproja gabim, por mendova se po të na zinin të gjithë të papërgatitur me detyrat, do të ndihesha deri diku pak më mirë me veten. Sjellja ime e pamend më kujton qëndrimin e Satanit kundrejt nesh. Për shkak se ai është i mjeruar, ai do që ne ta shpiem dëm potencialin tonë për jetë të përjetshme.
Satani është aq i marrosur nga hidhësia e tij, saqë ndonëse e di se në fund do të mbarojë, përpiqet skajshëm të “përhapë punët e errësirës” (Helamani 6:28), për të dëmtuar sa më shumë prej nesh që të mundet.
Plani që zgjedhim ne, nuk është ai i Satanit. Ne mund ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes që të vazhdojmë ta ndjekim Jezu Krishtin dhe të vazhdojmë t’i refuzojmë joshjet e hidhura, pa vlerë dhe vetëkufizuese të Satanit. Shpëtimtari dha jetën e Tij që ne të mund të bëhemi ata që Ai e di se mund të bëhemi, dhe të provojmë ëmbëlsinë e jetës së përjetshme.
2. Mos iu Dorëzo Frikës
Ndonjëherë pyes veten pse një e treta e fëmijëve shpirtërorë të Perëndisë do të zgjidhin ta refuzonin planin e Tij. Satani e di se frika dhe dyshimi janë që të dyja mënyra të efektshme për ta mpakur besimin. Ai mund të na tundojë që ta vëmë në dyshim vlerën tonë ose të na bindë që nuk mund të bëhemi të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ose mund të përpiqet të na bëjë t’i dorëzohemi frikës për sa i përket pendimit ose ndjekjes së planit të Perëndisë.
Kur përballemi me sprova dhe vështirësi, ne mund të zgjedhim të mirëbesojmë te plani i Perëndisë dhe te Jezu Krishti. Ai i ka duruar të gjitha gjërat që Ai të mund të jetë forca jonë kur përballemi me frikën dhe nëpërmjet Tij, ne në fakt mund ta mposhtim atë.
3. Përqafoji të Gjitha Ato që të Ofron Shpëtimtari
I gjithë qëllimi i Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit është fisnikërimi dhe fuqizimi ynë. Kush tjetër thotë se dëshiron të na ndihmojë që të nxjerrim më të mirën tonë dhe të na japë gjithçka që ka pa u kursyer? Gjithçka që ka Ati mund të jetë e jona! Kjo na ofrohet vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.
Kur mendoj për vetëmohimin dhe fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit, dëshiroj ta ndjek Atë. Jezu Krishti është avokati i përsosur i planit të përsosur. Teksa e zgjedhim Atë, Ai na ndihmon ta mposhtim kundërshtarin, të ndjekim planin e Atit Qiellor dhe të arrijmë fatin tonë hyjnor.