Për Forcën e Rinisë
Çdo Gjë Përmirësohet Kur Mirëbeson te Perëndia
Për Forcën e Rinisë, Janar 2026


Çdo Gjë Përmirësohet Kur Mirëbeson te Perëndia

Kur mirëbeson tek Ati Qiellor, do të jesh në gjendje të përballesh me çfarëdo gjëje që po kalon.

e re

Fotografitë nga Giovana Flavia de Almeida Campos

Kam qenë anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që kur isha tetë vjeçe. Pak muaj pas pagëzimit tim, familja ime dhe unë u larguam dalëngadalë nga Kisha.

Vite më pas, kur vendosëm të fillonim të ktheheshim, ra pandemia e COVID‑19 dhe mbledhjet e kishës filluan të bëheshin nëpërmjet internetit. Përsëri e gjeta veten duke u larguar, duke u përballur me sfida të shumta përgjatë udhës.

Vështirësitë dhe Dyshimet

Gjatë kësaj kohe, fillova ta vë në dyshim vërtetësinë e ungjillit, dëshminë time dhe se cili ishte Jezu Krishti. Në një pikë, madje e vura në pikëpyetje ekzistencën e Tij dhe fillova të mendoja se isha ateiste. Zemra ime ishte e ngurtësuar dhe e ftohtë si një gur i akullt.

Ajo fazë e jetës sime ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe e ndërlikuar. Mendoj se kjo ndodh ngaqë, kur nuk besojmë më te Jezu Krishti dhe fuqia e Tij, jeta jonë e humbet domethënien dhe bëhemi të mjeruar.

Seminari më Ndryshoi

Përfundimisht, babai ndikoi tek unë që të filloja të frekuentoja kishën përsëri. E bëra këtë gjë edhe pse isha ende e pështjelluar dhe po përballesha me pyetje të shumta.

Një ditë në kishë pashë një afishe rreth seminarit. Kjo ndezi interes brenda meje. Iu drejtova peshkopit tim që ta pyesja për seminarin. Ai menjëherë më shtoi në grupin e bashkëbisedimit në internet të seminarit dhe më tha se fillonte në orën 5:30 të mëngjesit.

e re duke lexuar shkrimet e shenjta në seminar
e re duke lexuar shkrimet e shenjta

Kështu që fillova të merrja pjesë në seminar. Kjo më ndihmoi të bëja miq të rinj dhe më së fundmi të merrja një dëshmi për Kishën dhe shkrimet e shenjta. Patëm një mësues i cili e nxiti vërtet klasën dhe nxori në pah anët tona më të mira. Zbulova se studimi i shkrimeve të shenjta me të vërtetë na lejon ta njohim Shpëtimtarin. Ka një dallim midis dëgjimit të dëshmisë së dikujt dhe kërkimit të dëshmisë vetjake nëpërmjet studimit dhe besimit.

të reja

Jasmina me shoqet e saj, Viktorian (majtas) dhe Karolën (djathtas). Shoqet e Jasminës e ndihmojnë që ta jetojë ungjillin e Jezu Krishtit.

10 Këshilla për t’u Bërë një Dishepull i Krishtit

Fillimisht mora njohuri rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nëpërmjet asaj që më thoshin të tjerët. Por ne nuk mund të mbështetemi gjithmonë vetëm te dëshmitë e të tjerëve. Na duhet të përpiqemi ta njohim Shpëtimtarin vetë.

e re duke u lutur

Na duhet të gjejmë kohë për Shpëtimtarin dhe për gjërat hyjnore, me qëllim që të mund të bëhemi një prej dishepujve të Tij. Kam mësuar se ti arrin ta njohësh Atë kur:

  1. E kërkon Atë me qëllim.

  2. Lexon shkrimet e shenjta.

  3. Përpiqesh të përmirësohesh shpirtërisht.

  4. Lutesh.

  5. Frekuenton tempullin.

  6. U shërben të tjerëve.

  7. Agjëron.

  8. Ndjek shembullin e Tij.

  9. Ke një zemër të mirë.

  10. Refuzon të flasësh keq ose të bësh thashetheme për të tjerët.

Këto gjëra më ndihmuan ta njoh Shpëtimtarin dhe të bëhem njëra nga dishepullet e Tij. Të qenit dishepull i Jezu Krishtit është shumë i rëndësishëm sepse ne mund ta përdorim dritën e Tij për të ndihmuar të tjerët. Nëpërmjet shembujve tanë të mirë, të tjerët mund të shohin se sa bekim i madh është ungjilli.

njerëz duke dalë nga një shtëpi mbledhjesh

Shkuarja në kishë dhe shpërndarja e ungjillit te familja e vet e ka bekuar jetën e Jasminës në shumë mënyra.

Gjërat do të Bëhen më Mirë

Kur u ktheva në kishë, isha si mos më keq, plot me dyshime, pa shoqe, pa shpresë, pa e ditur se cila isha në të vërtetë dhe se cili ishte qëllimi im.

Tani ungjilli është “flaka” që më ka ndriçuar jetën dhe më ndihmon të bëj gjërat e drejta dhe të bëhem njeri më i mirë. Pa ungjillin nuk e di se ku do të isha.

Çdo gjë përmirësohet në jetë kur mirëbeson te Perëndia. Që nga çasti kur e kërkon Atë, ti do të fillosh të ngjitesh për të dalë nga gropa dhe gjërat do të fillojnë të përmirësohen. Sigurisht, mbrapshtitë do të vijnë prapëseprapë, por ky mirëbesim dhe kjo dëshirë për të besuar dalëngadalë do të të ngrenë moralisht. Mund të duhet kohë, por gjërat do të bëhen më mirë.

Kur mirëbeson tek Ati Qiellor, do të jesh në gjendje të përballesh me çfarëdo gjëje që po kalon, qofshin ato sfida, dyshime, probleme shëndetësore ose vetmi. Për shembull, ti mund të marrësh nota të mira në një provim, mund ta përmirësosh shëndetin tënd ose të marrësh përgjigje, nganjëherë përgjigje që po i kërkon që nga koha kur ishe 10 vjeç, si në rastin tim, në qoftë se e kërkon Atë dhe mirëbeson tek Ai.

Jam e sigurt për këto gjëra. Falë ungjillit mund të them se kam ndryshuar. Aktualisht çdo gjë ka ndryshuar – zemra ime, mendimet, sjellja dhe parimet e mia. Tani e di të vërtetën dhe kjo sjell gjithë ndryshimin. Çdo gjë është përmirësuar për shkak të ungjillit të Jezu Krishtit.

Autorja është nga San‑Paolo, Brazil.