Për Forcën e Rinisë
Ec me Mua
Për Forcën e Rinisë, Janar 2026


Tema e Rinisë për Vitin 2026

Ec me Mua

Tema e Rinisë për Vitin 2026 do të të ndihmojë që të kujtosh se kur qëndron pranë Perëndisë, Ai do të ecë me ty – gjithmonë.

Presidenca e Përgjithshme e Të Rejave

Nga e majta në të djathtë: Tamara W. Runia, Këshilltare e Parë; Emili Bell Friman, Presidente; dhe Andrea Munjoz Spanaus, Këshilltare e Dytë

Ti Nuk Je Vetëm

A të është kërkuar ndonjëherë të bësh diçka që nuk e mendoje se mund ta bëje? Ndoshta nuk u ndjeve mjaft i/e fortë ose mjaft i/e zgjuar, apo shqetësoheshe se të tjerët do të talleshin me ty dhe do të të kritikonin. Nëse je ndier ndonjëherë kështu, ti nuk je vetëm.

Mijëra vjet më parë, ishte një burrë i quajtur Enok. Perëndia i kërkoi Enokut që t’u predikonte pendim njerëzve, disa prej njerëzve më të ligj që kishte parë ndonjëherë toka.

Enoku nuk mendonte se mund ta bënte këtë gjë. Ai i tha Perëndisë se ishte shumë i ri në moshë, se nuk kishte mjaft shokë dhe se ai nuk ishte mjaft i zgjuar (shih te Moisiu 6:31).

Por Perëndia i dha Enokut një premtim. Ai i tha burrit të frikësuar: “Shko e bëj siç të kam urdhëruar” dhe “malet do të marrin arratinë përpara teje dhe lumenjtë do ta ndryshojnë rrjedhën e tyre; dhe ti do të banosh në mua dhe unë në ty; prandaj ec me mua” (Moisiu 6:32, 34).

“Ec me mua.” Çfarë ftesë e thjeshtë, e bukur!

Perëndia i premtoi Enokut se, në qoftë se ai do të ishte mjaft trim për të filluar nga puna, atëherë Perëndia do të ishte me të në çdo hap të udhës. Perëndia do ta bënte Enokun të fuqishëm dhe do ta forconte atë që të bënte më shumë dhe ta ndihmonte të bëhej më shumë sesa ai mund ta imagjinonte ndonjëherë.

Njëri prej emrave të shumtë të Shpëtimtarit është Emanuel, ose “Zoti me ne” (Mateu 1:23). Është në emrin dhe natyrën e Zotit që të ecë me ne. Zgjedhja është e jona. A do të ecim edhe ne me Të?

Sot ne e shohim Enokun si një burrë me besim dhe një profet e udhëheqës të madh. Por përpara Enokut, profetit, Enoku ishte një djalë i ri, i cili kishte dyshim te vetja, por ende zgjodhi të ecte me Perëndinë.

Kur jeta është e vështirë, kur nuk e ndien se je mjaft i/e mirë, kujtoje premtimin e Zotit për Enokun, dhe për ty. Ai do të ecë me ty. Ai nuk do të të lërë vetëm, as edhe për një hap të vetëm.

Emanuel. Zoti me ne. Zoti me ty!

Presidenca e Përgjithshme e Të Rejave

Presidenca e Përgjithshme e Të Rinjve

Nga e majta në të djathtë: Dejvid J. Uanderli, Këshilltar i Parë; Timothi L. Farns, President, dhe Shon R. Dikson, Këshilltar i Dytë

Me Ndihmën e Tij Mund t’i Bësh të Gjitha Gjërat

Si ju të rinjve, Zoti i kërkoi Enokut të përmbushte përgjegjësi të rëndësishme të priftërisë. Detyra e tij ishte t’i predikonte pendim një populli të lig. Enoku shprehu dyshimet e veta. “Unë nuk jam veçse një djalosh”, – tha ai. “Të gjithë më urrejnë; … unë jam i ngadaltë në të folur; si rrjedhim, a jam unë shërbëtori yt?” (Moisiu 6:31.)

Zoti u përgjigj me fuqi dhe siguri. “Shko e bëj siç të kam urdhëruar. … Hape gojën tënde dhe ajo do të mbushet … . Shpirti im është mbi ty … ; malet do të marrin arratinë përpara teje … ; prandaj ec me mua” (Moisiu 6:32, 34).

Enoku mësoi se, kur Zoti na jep një detyrë, ne nuk përballemi të vetëm me të. Kur bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet me Krishtin, ne ecim me Të dhe marrim nga fuqia e Tij, bëhemi mjete në duart e Tij.

Ashtu si Enoku, ti ke një rol jetik: dhënien e shërbesës, shërbimin në tempull, administrimin e sakramentit, studimin e shkrimeve të shenjta, të jetuarit e standardeve të ungjillit, pendimin, përgatitjen për misione dhe shumë të tjera. Mund të të duket si mbingarkesë. Mund të ndihesh i/e papërshtatshëm/me. S’ka problem. Nuk është qëllimi që ta bësh i/e vetëm/me. Qëllimi është që të zgjedhësh sot, këtë ditë dhe çdo ditë, që të ecësh me Perëndinë.

Me ndihmën e Tij mund t’i bësh të gjitha gjërat. Ai do të të forcojë, falë dhe aftësojë përtej zotësisë sate të natyrshme. Ai të do! Si Presidenca e Përgjithshme e Të Rinjve, ne ju duam dhe presim me padurim që të bashkohemi me ju në eksplorimin e temës së frymëzuar për vitin 2026: “Ec me Mua”.

Presidenca e Përgjithshme e Të Rinjve