Premtimet e Çmuara të Planit të Atit
Shpirtrat tanë duhet të mbushen me mirënjohje teksa marrim parasysh planin e madhërishëm të Perëndisë për ne.
Ilustrimet nga Alyssa Petersen
Plani i Atit Qiellor përshkruan “premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha” (shih te 2 Pjetër 1:3–4) dhe të vërtetat që përcaktojnë identitetin dhe qëllimin tonë të përjetshëm.
Siç shpjegohet te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”: “Të gjitha qeniet njerëzore, meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor.”
Ati Qiellor na premton se, në qoftë se e ndjekim planin e Tij dhe shembullin e Birit të Tij të Dashur, i zbatojmë urdhërimet dhe durojmë me besim deri në fund, ne “do të ke[mi] jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).
Vepra e Perëndisë përqendrohet te përparimi dhe ekzaltimi i fëmijëve të Tij. Çdo pjesë e planit të Tij është hartuar që të na bekojë sepse “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e [Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 18:10).
Plani i Atit
Në këshillin në jetën para lindjes, Ati Qiellor u paraqiti fëmijëve të Tij shpirtërorë planin e Tij për përparimin dhe lumturinë e tyre të përjetshme. Ai na tha se do të na dërgonte në tokë për të na provuar, për të parë nëse do të ishim të bindur ndaj Tij dhe do të kualifikoheshim që “të ke[mi] lavdi të shtuar mbi kokat [tona] përherë e përgjithmonë” (shih tek Abraham 3:24–26).
Dhe më pas Ai tha: “Kë të dërgoj? Dhe njëri u përgjigj sikurse Biri i Njeriut: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe tjetri u përgjigj e tha: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe Zoti tha: Do të dërgoj të parin.
Dhe i dyti u egërsua … dhe, në atë ditë, shumë e ndoqën atë” (Abraham 3:27–28).
Vetëm një plan u paraqit, plani i Atit. Ati ynë Qiellor nuk ngriti pyetjen: “Çfarë do të bëjmë ne?” Ai nuk kërkoi ide, nuk kërkoi rekomandime ose propozime. Thelbi i pyetjes së Tij u përqendrua te kush duhej të dërgohej për të vënë në jetë kërkesat dhe kushtet e planit të Tij.
Luciferi nuk paraqiti një plan që u rrëzua nëpërmjet votimit nga shumica e pjesëmarrësve në këshillin në jetën para lindjes. Ai ngriti krye! Ai u përpoq të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, u flak tutje dhe “u bë Satani, … djalli, ati i të gjitha gënjeshtrave, për të mashtruar dhe verbuar njerëzit dhe për t’i bërë ata robër të vullnetit të tij” (shih te Moisiu 4:1, 3–4). Kryelartësia, arroganca dhe egoizmi ishin motivet e revoltës së tij kundër planit të Atit.
Plani i Atit dhe Ungjilli i Shpëtimtarit
Plani përshkruan veprat e Atit dhe të Birit që i vënë bekimet e jetës së përjetshme në dispozicion të të gjithë njerëzimit.
Ungjilli i Jezu Krishtit është mënyra se si i marrim bekimet e premtuara në planin e Perëndisë, madje doktrinën, parimet, ordinancat dhe besëlidhjet që duhet t’i besojmë e t’i ndjekim. “Nuk ka emër tjetër të dhënë nën qiell përveç këtij të Jezu Krishtit … nga i cili njeriu mund të shpëtohet” (2 Nefi 25:20). Me të vërtetë, Zoti Jezu Krisht është “udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet [Tij]” (Gjoni 14:6; theksimi i shtuar).
Titujt e Planit në Librin e Mormonit
Ne mësojmë të vërteta të rëndësishme nëpërmjet përcaktimit dhe studimit të shumë titujve të ndryshëm për planin e Atit në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Për shembull, merreni parasysh modelin e përzgjedhur në titujve në vijim:
-
“Plani [i] mëshirshëm [i] Krijuesit të madh” (2 Nefi 9:6).
-
“Plani i Perëndisë tonë” (2 Nefi 9:13).
-
“Plani i shpëtimit” (Jarom 1:2; Alma 24:14).
-
“Plani i shëlbimit” (Alma 12:25, 26, 30, 32, 33; 42:11, 13).
-
“Plani i rivendosjes” (Alma 41:2).
-
“Plani [i] lumturisë” (Alma 42:16).
-
“Plani i madh i mëshirës” (Alma 42:31).
Secili prej këtyre titujve na ndihmon që t’i kuptojmë më qartësisht premtimet e çmuara të planit të Atit dhe e pasuron këndvështrimin tonë rreth qëllimeve dhe domethënies së jetës sonë në vdekshmëri.
Në mënyrë të konsiderueshme, titulli i përdorur më së shpeshti për planin e Perëndisë në Librin e Mormonit (“plani i shëlbimit”) përqendrohet te shëlbimi prej mëkatit dhe vdekjes, i bërë i mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shihni tek Alma 12:25; 33:22).
Udha Është Përgatitur
Shpirtrat tanë duhet të mbushen me mirënjohje teksa marrim parasysh planin e madhërishëm të Perëndisë. Njohuria për planin e Tij siguron këndvështrim të çmuar, e pasuron gëzimin tonë dhe na forcon që t’i mposhtim sfidat dhe fatkeqësitë tona.
Ati Qiellor digjet nga dëshira që ne të kthehemi në shtëpi tek Ai. Ai fton dhe premton bekime, por Ai kurrë nuk do të imponojë, detyrojë apo kufizojë ushtrimin nga ana jonë të lirisë morale të zgjedhjes që Ai na e dha. Ne duhet të veprojmë dhe të zgjedhim të kthehemi tek Ai duke ndjekur shembullin e Birit të Tij të Dashur.
“Udha është përgatitur dhe në qoftë se ne do të shikojmë, do të mund të jetojmë përgjithmonë” (Alma 37:46; theksimi i shtuar).
Dëshmoj plot gëzim se Ati Qiellor është autori i planit hyjnor për fëmijët e Tij. Jezu Krishti është Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë. Dhe si njëri prej Apostujve të Tij të ditëve të mëvonshme, unë dëshmoj se Ai vërtet është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6; theksimi i shtuar).