Harta që të Kthen në Shtëpi
Përse është kaq e rëndësishme që ta kuptojmë planin e shpëtimit?
Ilustrimi nga Mackenzie Alexander
Te Libri i Mormonit, profeti Jaromi e filloi analin e tij duke thënë: “Çfarë mund të shkruaj unë më shumë nga sa kanë shkruar etërit e mi? Pasi nuk e kanë zbuluar ata planin e shpëtimit?” (Jaromi 1:2.)
Nëse ai mendonte se kjo ishte e gjitha që na nevojitej, atëherë plani i shpëtimit duhet të jetë tejet i rëndësishëm!
Dhe ashtu është! Ai është harta e përsosur për jetën tonë. Presidenti Rasëll M. Nelson dikur tha: “Një kuptueshmëri për planin e mahnitshëm të Perëndisë ia heq misterin jetës dhe ia heq pasigurinë së ardhmes sonë”.
Pra, si mund të të ndihmojë kjo hartë që t’u japësh drejtim pasigurive të jetës?
Nga Erdha Unë?
Perëndia është Ati yt Qiellor. Ti jetove me Të para se të lindje. Ai të do!
Plaku Alan T. Filips, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi: “Ju nuk jeni një nënprodukt i rastësishëm i natyrës, një fëmijë jetim kozmik apo rezultat i materies së shndërruar nga koha apo fati. Ku ka një projekt, ka një projektues.”
Kur jeta bëhet e vështirë, të ngushëllon fakti kur di se ti je këtu për një qëllim dhe që ke përkujdesje nga lart nga një Atë i dashur Qiellor.
Ku po Shkoj?
Nuk je këtu që të endesh më kot, për ty ka një vendmbërritje! Ati Qiellor dëshiron që ti të kthehesh në shtëpi tek Ai dhe të bëhesh si Ai. Ai e përgatiti planin e shpëtimit që ti të mund të marrësh të gjitha bekimet e mbretërisë së Tij (shih te Doktrina e Besëlidhje 14:7).
Njohuria për planin e Atit Qiellor do të të ndihmojë përgjatë jetës. Kur ti sheh me “një këndvështrim për të ardhmen” dhe mendon çelestialisht, shumë zgjedhje bëhen më të lehta për t’u marrë, përfshirë zgjedhjen për të ndjekur Jezu Krishtin.
Si të Arrij Atje?
Përveç se na jep një vendmbërritje, plani i shpëtimit na tregon gjithashtu udhën se si të arrijmë atje.
Jezu Krishti është shembulli i përsosur për të ndjekur shtegun e kthimit për në shtëpi. Nëse sheh drejt Tij dhe ecën me Të, Ai do të të ndihmojë të kthehesh tek Ati Qiellor dhe të bëhesh më shumë si Ai. Siç shpjegoi Plaku Serhio R. Vargas, i Të Shtatëdhjetëve: “Thellë brenda secilit prej nesh është një dëshirë për t’u kthyer në shtëpinë tonë qiellore, dhe Jezu Krishti është sistemi ynë qiellor i udhërrëfimit. Ai është udha.”
Po Sikur të Humbas?
Ndonëse me hartë, mund të marrësh një kthesë gabim. Prapëseprapë do të bësh gabime. Por mos u shqetëso! Ati Qiellor siguroi një Shëlbues që ti të mund të pendohesh gjithmonë, të kthehesh tek Ai dhe të bëhesh më shumë si Ai. Kujto këtë: “Ne nuk qëndrojmë brenda shtegut të besëlidhjeve pa bërë kurrë asnjë gabim. Ne qëndrojmë brenda shtegut duke u penduar çdo ditë.”
Teksa e studion planin e shpëtimit, kujto se ai u hartua me dashuri. Ati Qiellor dëshiron që ti të kthehesh në shtëpi. Nëse e ndjek hartën e Tij, Ai do të të ndihmojë të arrish atje.