Tema e Rinisë për Vitin 2026
“Ec me Mua” – Le ta Shqyrtojmë Çdo Fjalë
Tema e këtij viti ka vetëm tri fjalë, por nga secila prej këtyre fjalëve ka shumë për të mësuar.
Sikurse tema e rinisë për vitin e kaluar, “Shih te Krishti”, tema e këtij viti, “Ec me Mua”, është një shprehje figurative. Në këtë jetë shumica prej nesh nuk do ta kenë mundësinë për ta parë ose për të ecur me Shpëtimtarin në mënyrë të mirëfilltë. Pra, çfarë do të thotë të “ec[ësh]” me dikë që nuk është fizikisht i pranishëm? Le ta shqyrtojmë çdo fjalë.
Ec
Kur Zoti e thirri Enokun që të ishte profet, Ai i dha atij një premtim: “Të gjitha fjalët e tua do t’i justifikoj; dhe malet do të marrin arratinë përpara teje dhe lumenjtë do ta ndryshojnë rrjedhën e tyre; dhe ti do të banosh në mua dhe unë në ty; prandaj ec me mua” (Moisiu 6:34).
Nëse do të premtohej se ecja me Perëndinë do të thoshte që Ai do t’i përkrahte fjalët e tua, do t’i hiqte pengesat nga udha jote dhe gjithmonë do të ishte me ty, pra, pse nuk do të ecje me Të?
Lajm i shkëlqyer: Ty të është premtuar kjo gjë, ndoshta së afërmi, të dielën e shkuar. Kur merr sakramentin, ti zotohesh që “gjithmonë ta kujto[sh] atë e të zbato[sh] urdhërimet [e Tij]”, me fjalë të tjera, të ecësh me Të. Dhe përse e bën këtë? “Që të mund të ke[sh] gjithmonë Shpirtin e tij me [vete]” (Doktrina e Besëlidhje 20:77; theksimi i shtuar).
Tani do të vësh re se Zoti nuk i tha Enokut: “Qëndro këtu dhe shiko përreth me mua”. Ai nuk tha: “Ulu dhe pusho me mua për ca kohë”. Ai tha: “Ec me mua”. Ne duhet të veprojmë sipas nxitjeve shpirtërore që marrim. Ne duhet të bëjmë dhe të themi se ajo që besojmë është e vërtetë.
Siç e tha Presidenti Marion G. Romni (1897–1988), këshilltar në Presidencën e Parë: “Ai mund t’i udhërrëfejë hapat tanë vetëm kur i lëvizim këmbët tona”.
Por vini re çfarë tjetër Zoti nuk e tha. Ai nuk tha: “Vrapo me mua”. Ai nuk tha: “Kapërceji pa përpjekje të gjitha pengesat e tua me mua”. Ai nuk na kërkon që të “vrapoj[m]ë më shpejt sesa … k[em]i fuqi” (Mosia 4:27). Ai nuk pret nga ne që të lëvizim vazhdimisht me shpejtësinë më të madhe. Ai nuk pret nga ne që të mos bëjmë gabime ose të shkurajohemi. Ai thjesht dëshiron që ne të vazhdojmë.
Me
Ne ecim me Shpëtimtarin. Jo përpara Tij. Patjetër jo larg prej Tij!
Kur ti je duke ecur me dikë me plot kuptimin e fjalës, ti ecën përkrah atij personi. Por në këtë metaforë, ne qëndrojmë pak më mbrapa Shpëtimtarit. Ai udhëheq dhe ne e ndjekim, nga afër.
Kur je në shtegun e duhur, shtegu nuk të “çon” te Jezusi – Ai gjithashtu është në atë shteg. Mbaje mend sakramentin! Zoti, nëpërmjet Shpirtit të Tij, do të jetë gjithmonë me ty, për aq kohë sa vazhdon ta ftosh Atë.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti nuk janë dhe aq të shqetësuar se ku je në shteg, sa janë të shqetësuar se në cilin drejtim po shkon. Ata do të takohen me ty kudo që ti të jesh. As nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën.
Mua
Na nevojitet të ndërmarrim veprim (EC). Na nevojitet ta bëjmë këtë në përputhje me urdhërimet e Perëndisë dhe nxitjet e Shpirtit (ME). Dhe na nevojitet ta bëjmë të gjithë këtë me askënd tjetër, përveç Jezu Krishtit (MUA).
(Përderisa Jezu Krishti, Ati i Tij Qiellor dhe Fryma e Shenjtë janë të gjithë të bashkuar në qëllim, shih te Gjoni 10:30; 17:21; Doktrina e Besëlidhje 35:2, është e saktë të thuhet se ti “po ecën me Perëndinë”, “po ecën me Shpëtimtarin”, “po ecën me Shpirtin” ose çfarëdo gjëje të kësaj natyre.)
Ka mori zërash që mund të ndiqen në këtë botë. Nuk na mungojnë ndikuesit, personat e famshëm dhe politikanët të cilëve do t’iu pëlqente që ti të “ecësh” me ta (ose të paktën t’u japësh para). Ajo që thonë të tjerët mund të jetë e dobishme, por vetëm nëse përputhet me mësimet e Shpëtimtarit.
Ec me Të.