Terreni i Shtegut të Tij
Shtegu i Shpëtimtarit jo gjithmonë mund të jetë i lehtë, por Ai do të ecë me ne dhe do të na prijë atje ku duam të shkojmë.
Ilustrimet nga Yukai Du
Përgjithësisht zgjedhim një shteg sepse ai na shpie atje ku duam të shkojmë. Mirëpo edhe shtegu ashtu si vendmbërritja ka rëndësinë e vet. Një rol luan edhe terreni, ai lloj terreni që do të na çojë në vendmbërritje.
Jezu Krishti na fton të ecim me Të (shih te Moisiu 6:34; Mikea 6:8; 1 Gjon 2:6; Doktrina e Besëlidhje 19:23). Shtegu tek i cili Ai na fton të ecim, është shtegu i besëlidhjeve – shtegu drejt paqes, gëzimit dhe jetës së përjetshme me Atin tonë Qiellor – aty ku duam të jemi.
Por si është ky shteg? Çfarë lloj terreni do të përshkojmë teksa ecim me Shpëtimtarin?
I Ngushtë
“E ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë” (Mateu 7:14).
Kur shtegu i Tij duket kufizues, ka një arsye. Ngushtësia e udhës të ruan që të mos shkelësh aty ku mund të lëndohesh apo të humbasësh.
I Drejtë
“Shtigjet e tij janë të drejta” (Alma 37:12).
Ai nuk është një shteg dredha‑dredha. Është itinerari më i drejtë drejt synimit tonë për jetë të përjetshme. Ai nuk të devijon nga udha. Mirëpo, nganjëherë ne devijojmë. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne mund të pendohemi menjëherë dhe të kthemi në shtegun e Tij.
I Pjerrët dhe Ndonjëherë Shkëmbor
“[S]htegu [që të çon në shtëpi te Perëndia] është i pjerrët dhe ndonjëherë shkëmbor” (Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, “I Ndihmoni Ata në Rrugën e Tyre për në Shtëpi”, konferenca e përgjithshme e prillit 2010 [Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 25]).
Të ecësh në të përpjetë mund të jetë stërmunduese dhe mund të mos jesh në gjendje të shohësh përtej kreshtës së kodrës që po ngjit. Mirëpo Shpëtimtari të forcon e të jep zemër teksa përpiqesh fort të bësh gjërat e vështira që Ai të fton të bësh.
Gurët në shtegun tënd mund të jenë të ndryshëm nga ata të të tjerëve. Ti ke sfidat dhe rrethanat e tua vetjake. Por Shpëtimtari është bashkudhëtari më i mirë dhe do të të ndihmojë ta përballosh çfarëdo pengese.
I Ndriçuar Mirë
“Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmeve 119:105). “Të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë” (1 Gjon 1:7).
Kur shtegu të të erret, Shpëtimtari mund të ta ndriçojë udhën, edhe nëse mjafton aq sa për të hedhur një hap e pastaj një tjetër drejt rrugëtimit tënd për t’u kthyer në shtëpi tek Ati yt Qiellor.
I Sigurt
“Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua” (Psalmeve 23:4).
Pavarësisht se sa frikësues, shqetësues apo i vështirë mund të të duket shtegu, ti mund të kesh paqe kur e di se teksa ecën me Jezu Krishtin, Ai do të ecë me ty dhe do të të prijë drejt sigurisë, sërish tek Ati Qiellor.