Liahona
Gratë Gjejnë Forcë, Shërim dhe Shpresë Nëpërmjet Shërbimit
Liahona Mars 2026


Gratë Gjejnë Forcë, Shërim dhe Shpresë Nëpërmjet Shërbimit

Anembanë Europës, gratë që përballen me vështirësi, po gjejnë forcë dhe shpresë të përtërirë nëpërmjet përpjekjeve të dhembshura të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Historitë e tyre pasqyrojnë frymën e Ditës Ndërkombëtare të Grave e cila festohet çdo 8 mars, teksa gratë e tejkalojnë fatkeqësinë me besim dhe guxim.

Në Shqipëri, gratë që janë larguar prej dhunës në familje, morën ushqime, artikuj higjiene, lodra dhe furnizime për foshnja gjatë periudhës së Krishtlindjes. Vullnetarët i paketuan kutitë dhe udhëtuan në zona të largëta për t’u siguruar që çdo grua ta ndiente që qenë kujtuar për të, përfshirë një nënë të re, që sapo kishte mbërritur në një strehim, e cila mori artikuj për foshnja të dhuruara nga gratë në Kunjin e Tiranës. Bujaria e tyre u solli ngushëllim dhe dinjitet grave të arratisura me frikë prej shtëpive të tyre.

Në Zvicër, gratë dhe fëmijët e strehave morën peshqirë të cilët kishin qepje në forma zemre, si dhe libra për ngjyrosje të krijuara nga rinia. Çdo zemër mbartte një mesazh dashurie. “Këto zemra të qepura përçojnë gjithashtu dashurinë e Shpëtimtarit tonë”, – shkroi motra Xhanet Mylman. Marrësit e tyre, shumë prej të cilëve i kishin ikur dhunës, ndien se dikush i kujtoi e i vlerësoi.

Në Spanjë, nënat e reja pa partner në fondacionin “Red Madre” morën këpucë, ushqime për foshnja dhe përkrahje këshillimi. Një nënë, e cila mbërriti me asgjë tjetër përveç një karroce fëmijësh, u largua me një kuti plot me furnizime dhe një ndjenjë shprese të përtërirë. Kjo përkrahje i mundëson fondacionit “Red Madre” që ta vazhdojnë misionin e tyre për t’u shpëtuar jetën foshnja dhe për t’u dhënë shpresë nënave të reja në nevojë.

Në Hungari, gratë refugjate ukrainase mblidheshin në mënyrë të përjavshme në një ushtrim shërimi për të bërë ëmbëlsira dhe vizatime. “Ushtrimi i ndihmonte ta përpunonin emocionalisht traumën dhe të gjenin sërish forcën ripërtëritëse,” – shkroi motra Lju Djuk. Gjatë një seance, ato ilustruan “vendin e tyre të lumturisë”, më pas e përfytyruan sërish pas pengesash. “Është e lehtë të vizatosh dhe të ëndërrosh,” – tha motra Djuk.

Në Francë, gratë që qenë të pranishme në një organizim të Shoqatës së Ndihmës, morën udhërrëfim dhe burime për shëndetin emocional. Shumë gra shprehën dëshirën për përkrahje më të madhe në lagjet e tyre. Një grua tregoi: “Ndihem më e fortë kur e di se nuk jam vetëm. Këto burime më ndihmojnë t’i bëj ballë çdo dite me besim.”

Këto gra, nëna, bija, refugjate, të mbijetuara, nuk i përcaktojnë sprovat e tyre. Ato ngrihen në këmbë, të përkrahura prej ungjillit të Jezu Krishtit dhe dashamirësisë së të tjerëve. Siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson: “Zotit i pëlqen shumë përpjekja, sepse përpjekja sjell shpërblime”.

A dëshironi ta ngrini moralisht dikë sot? Ndihmoni në një strehë vendore, dhuroni për një kauzë ose thjesht ofrohuni të dëgjoni. Përpjekja juaj mund të jetë përgjigjja për lutjen e dikujt.