“Kajafa, Kryeprifti”, Liahona, mars 2026.
Ata e Njohën Shpëtimtarin
Kajafa, Kryeprifti
I verbuar nga veprimtaritë e botës dhe pavarësisht nga mundësitë e shumta, ai nuk arriti ta dallonte Mesian.
Ilustrimi nga Laura Serra, nuk lejohet kopjimi
Pasi Shpëtimtari e ngriti Llazarin së vdekuri, udhëheqësit më të fuqishëm judeas u mblodhën në këshill për të vendosur se si të vepronin me Jezusin. Kishin frikë nga popullariteti i Tij me njerëzit, sepse Ai po bënte shumë mrekulli. (Shihni te Gjoni 11:47.)
Kajafa e drejtonte këtë këshill në rolin si kryeprift kryesues dhe udhëheqës i sinedrit, që ishte trupa qeverisëse e judenjve gjatë pushtimit romak. Si kryeprift, ai mbikëqyrte ordinancat e tempullit që kishin për qëllim t’i drejtonin te Krishti.
Por kur erdhi Krishti, ai nuk e dalloi Shpëtimtarin. Edhe më keq, ai komplotoi për ta vrarë Atë. Është njëra nga ironitë më të mëdha, të shënuara në Dhiatën e Re.
Fjalët Profetike
Pavarësisht nga roli i tij i shquar, dihet pak rreth Kajafës. Ai përmendet vetëm nëntë herë në Dhiatën e Re. Ai vepronte si një ndërlidhës midis judenjve dhe romakëve. Ai ishte një saduce, një sekt judeas në kohën e Krishtit që nuk besonte në ringjallje (shihni te Veprat e Apostujve 23:8).
Kajafa foli në këshill pasi Krishti ringjalli Llazarin së vdekuri, një mrekulli që do t’i kishte shqetësuar atë dhe saducenjtë e tjerë, nisur nga bindjet e tyre fetare.
Këshilli hodhi teorinë se, në qoftë se nuk bënin asgjë në përgjigje të kësaj mrekullie të mirënjohur, njerëzit do të besonin se Jezusi ishte Mesia, Mbreti i Judenjve, dhe se “do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë” (Gjoni 11:48).
“Ju nuk kuptoni asgjë”, – u përgjigj Kajafa, – “dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi” (Gjoni 11:49–50).
Apostulli Gjon shënon se Kajafa “nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin,
dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t’i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë” (Gjoni 11:51–52).
Dënimi
Emri i Kajafës shfaqet përsëri në Dhiatën e Re kur Krishti merret në pyetje përpara Kryqëzimit të Tij.
“Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: ‘Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë’” (Mateu 26:63).
Jezusi pohoi se Ai ishte: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit” (Mateu 26:64). Në përgjigje të kësaj, Kajafa përsëri e refuzoi Shpëtimtarin. “Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: ‘Ai blasfemoi’” (Mateu 26:65).
Megjithëse në praninë e Shpëtimtarit të botës, Atij që ishte parashuguruar për të shlyer për mëkatet e gjithë njerëzimit dhe për të vuajtur gjithë dhembjet, hidhërimet dhe fatkeqësitë, Kajafa nuk e dalloi se Jezusi ishte Krishti dhe ai e dënoi Atë.
Biri i Perëndisë Jeton
Kajafa përmendet përsëri në Bibël te Veprat e Apostujve 4. Anali tregon se si Apostulli Pjetër shëroi një burrë që ishte i çalë që nga lindja (shihni te Veprat e Apostujve 3:1–8). Më pas, ndërkohë që ai dhe Gjoni po predikonin për Ringjalljen e Krishtit, ata u arrestuan me urdhër të autoritetit të sinedrit. I futën në burg gjatë natës dhe i nxorën përpara një këshilli që përfshinte Kajafën dhe vjehrrin e tij, Anan, ish‑kryepriftin. (Shihni te Veprat e Apostujve 4:1–6; shihni edhe te Gjoni 18:13.)
Kur e pyetën se me çfarë autoriteti e kishte shëruar burrin, Pjetri u përgjigj: “Le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht” (Veprat e Apostujve 4:10).
Kjo ishte mundësia e fundit e dokumentuar që pati Kajafa për ta pranuar Krishtin. Në vend të kësaj, këshilli kërcënoi Pjetrin dhe Gjonin. Por ato kërcënime nuk e ndryshuan të vërtetën se Krishti jeton. (Shihni te Veprat e Apostujve 4:13–22.)
Nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit nga Jezu Krishti, Pjetri e shëroi njeriun e çalë. Po ashtu, mrekullitë mund të ndodhin sot nëpërmjet fuqisë së rivendosur të Krishtit dhe nëpërmjet besimit në emrin e Tij. Mësimi që mund të nxirret nga Kajafa, është i thjeshtë. Ai nuk e pranoi Jezusin si Krishtin, Birin e Perëndisë, por ne mundemi. Kur besojmë tek Ai, shenja, çudi dhe mrekulli do të pasojnë (shihni te Marku 16:17–18).