Liahona
Dishepujt Rrugës për në Emaus: Një Udhëtim Zbulese dhe Dallimi
Liahona Mars 2026


“Dishepujt Rrugës për në Emaus: Një Udhëtim Zbulese dhe Dallimi”, Liahona, mars 2026.

Ata e Njohën Shpëtimtarin

Dishepujt Rrugës për në Emaus: Një Udhëtim Zbulese dhe Dallimi

Në mënyrë të ngjashme me atë që përjetuan këta dishepuj, zemrat tona mund të na digjen përbrenda si një dëshmi për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit.

dishepuj duke folur, me Jezusin duke ecur në sfond

Ilustrimi nga Laura Serra, nuk lejohet kopjimi

Të dielën, pasditen e Ringjalljes, dy dishepuj po ecnin për 13 kilometra nga Jerusalemi për në Emaus. Kishte qenë një ditë tepër emocionale – disa ditë tepër emocionale.

Zemrat i kishin të pezmatuara. Mendjet i kishin të trazuara me habi dhe hidhërim. Folën për Jezusin nga Nazareti, vdekjen e Tij, zhurmat për ngritjen e Tij së vdekuri dhe pasigurinë e dhimbshme për atë që nënkuptonte e gjitha kjo.

Teksa ecnin, një i panjohur u fut me lehtësi në bashkëbisedimin e tyre. Ishte Jezusi, edhe pse ata nuk e njohën Atë. Sytë e tyre qenë të mbuluar dhe të kuptuarit e tyre ishte i errësuar. I huaji pyeti: “Ç’janë këto biseda që bëni me njëri‑tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?” (Lluka 24:17).

Njëri nga dishepujt, Kleopa, u përgjigj me mosbesim se si mund të ishte dikush kaq i pavetëdijshëm, kaq i paditur për ngjarjet dramatike që e kishin tronditur Jerusalemin atë fundjavë. “Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?”

“Cilat [gjëra]?” – pyeti Jezusi.

Përgjigjja e tyre ishte e ndier dhe e menjëhershme: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit” (Lluka 24:18–19). Ata thanë që kishin mirëbesuar se Jezusi do ta shëlbonte Izraelin, e megjithatë, ishte dita e tretë që nga vdekja e Tij. Dhe ndonëse disa gra kishin raportuar një vizitë nga engjëjt duke shpallur se Ai ishte gjallë, Apostujt që kishin shkuar për të hetuar, nuk e kishin parë Atë.

Më pas Jezusi foli, jo si një i huaj, por si një mësues. “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët” (Lluka 24:25). Ai u shpjegoi shkrimet e shenjta, që nga Moisiu deri tek të gjithë profetët, duke zbuluar gjërat lidhur me veten e Tij. Përfytyrojeni të ecni për orë të tëra me Birin e Perëndisë, Zotin e jetës, duke e dëgjuar Atë të interpretojë profecitë mesianike. Pikëllimi filloi t’u largohej, duke u zëvendësuar nga habia dhe një trazim brenda vetes.

Rri me Ne

Kur iu afruan Emausit, Jezusi bëri sikur Ai do të vazhdonte më tutje. Por ata e nxitën Atë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron” (Lluka 24:29). Ai qëndroi me ta, u ul dhe copëtoi bukën.

Duke marrë parasysh se çfarë ndodhi më pas, Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi: “Mund të kishte pasur diçka te zjarri i bekimit, ose te mënyra e copëtimit dhe shpërndarjes së bukës, që u ripërtëriu kujtimet e ditëve të mëparshme; ose, ka mundësi t’ua ketë zënë syri duart e shpuara; por, cilido qoftë shkaku i drejtpërdrejtë, ata e vështruan me vëmendje Mysafirin e tyre dhe ‘atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre’ [Lluka 24:31]”.

Në çastin që pasoi, ata u kthyen nga njëri‑tjetri dhe thanë: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?” (Lluka 24:32). Ajo djegie nuk ishte pështjellim ose frikë, ishte dallim. “Ndjenjat e përshkruara si rrjedhim, janë dëshmia përfundimtare për Birin si qenie hyjnore”, – dha mësim Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Rruga Jonë Vetjake për në Emaus

“Çfarë do t’ju thoshte Ai po të mund të ecnit e të flisnit me Të?” – pyeti Patrisio M. Xhiufra, i Të Shtatëdhjetëve.

Sikurse dishepujt, ne mund të dështojmë për të dalluar se Shpëtimtari ecën me ne, tha ai. “Ne mund të mos e shohim si qëndron Ai me ne, lufton me ne, punon me ne dhe qan me ne.” Shpërqendrimet e jetës, qofshin sfida apo triumfe, mund ta errësojnë praninë e Tij.

Secili prej nesh ecën në rrugën e vet personale drejt Emausit. Përgjatë udhës, ndeshemi me sëmundje, dobësi, vështirësi financiare apo madje krenarinë që vjen me suksesin. Prapëseprapë, nuk ka pse të ecim të vetëm, tha Plaku Xhiufra. “Ne mund t’i kërkojmë Shpëtimtarit të rrijë me ne.”

Kur mësojmë për Krishtin, u bindemi urdhërimeve, lutemi, studiojmë shkrimet e shenjta, ndjekim profetët e gjallë dhe e ftojmë Atë të qëndrojë me ne, ne fillojmë ta dallojmë ndikimin e Tij. Përgjërimi i dishepujve – “Rri me ne” – duhet të jetë edhe i yni, tha Plaku Xhiufra. Dhe kur ai është, zemrat tona, gjithashtu, do të digjen brenda nesh.

Shënime

  1. James E. Talmage, Jesus the Christ (1916), f. 686.

  2. Bruce R. McConkie, The Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary (1981), 4:278.

  3. Patricio M. Giuffra, “Our Own Road to Emmaus”, Liahona, korrik 2023, f. 41, 42.

  4. Shihni te Patricio M. Giuffra, “Our Own Road to Emmaus”, f. 43.