Eja, Më Ndiq
Zanafilla 22:1–18
Ja Ku Jam
Iu përgjigjshim gjithmonë Zotit ashtu si Abrahami!
Ilustrimet nga Julie Rogers
Jozef Smithi njëherë tha: “Kur Zoti urdhëron, bindu”. Kjo shprehje besimi dhe veprimi sjell përvoja të tjera të ngjashme në mendjen time.
Për shembull, kur Adami u pyet përse po ofronte flijime, përgjigjja e tij ishte se nuk e dinte, por që ai e dinte se kush e kishte urdhëruar atë (shihni te Moisiu 5:6). Gjithashtu më kujtohet gatishmëria e Lehit për të lënë pas shtëpinë dhe pronat e veta që të ndiqte udhëzimet e Zotit (shihni te 1 Nefi 2:2–4) ose besimin e Nefit që pranoi të kthehej për të marrë fletët (shihni te 1 Nefi 3–4).
Mund të citoj shembuj të shumtë e të qartë në shkrimet e shenjta që pasqyrojnë shpirtin e bindjes, por unë dëshiroj të përqendrohem te përvoja e Abrahamit.
Bindja e Abrahamit
Zoti u premtoi pasardhës të panumërt Abrahamit dhe Sarës. Atij bekimi iu desh koha e vet që të vinte, ose më mirë, ai erdhi në kohën e Zotit. Gjithsesi, Zoti e vuri në provë besimin e Abrahamit kur Ai i kërkoi të flijonte birin e vet, Isakun, i cili ishte bekimi për të cilin ishin lutur dhe kishin pritur për kaq gjatë. Mund ta kemi lexuar këtë rrëfim nga shkrimet e shenjta shumë herë, por sa shpesh e kemi vënë veten tonë në vendin e Abrahamit?
Është e vështirë edhe t’i përfytyroni ndjenjat e një ati të dhembshur përpara një detyre të tillë që iu caktua. Sidoqoftë, vendosmëria e Abrahamit në marrjen e vendimit që të bindej, teksa ai u përgatit të shkonte drejt një mali në Moriah dhe të ofronte flijimin e kërkuar, nuk pushon kurrë së më mahnituri. Në një shprehje gatishmërie dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të Atit Qiellor, përgjigjja e tij mbeti përherë e përgjithmonë: “Ja ku jam”. (Shihni te Zanafilla 22:1–2.)
Si shpërblim për bindjen e tij ai u bekua me ruajtjen e jetës së Isakut, si edhe me bekimet e mrekullueshme dhe të pafundme për të, për Sarën dhe për pasardhësit e tyre (shihni te Zanafilla 22:15–18).
Nënshtrimi i Shpëtimtarit
Pa dyshim, shembulli më i lartë i bindjes dhe nënshtrimit ndaj Atit Qiellor qendërzohet te Shpëtimtari, Jezu Krishti. Ai e tregoi gatishmërinë e Tij për t’u bindur duke ardhur në këtë tokë; duke u pagëzuar, duke qenë i pastër dhe i përsosur; dhe duke e dhënë jetën e Tij si një ofrim dhe duke marrë mbi veten e Tij dhembjet, pikëllimet, dobësitë, mëkatet dhe vdekjen e njerëzve të Tij, që Ai të mund të dinte se si të na ndihmonte në mish (shihni tek Alma 7:11–13).
Kaq e fuqishme ishte përvoja sa, për një çast, e bëri Atë të pyeste a kishte ndonjë mënyrë tjetër për ta larguar atë kupë të hidhur. Pastaj, Ai menjëherë tha: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42), me fjalë të tjera: “Ja ku jam”, duke treguar në këtë mënyrë gatishmërinë e Tij për të bërë vullnetin e Atit.
Bindja dhe Dashuria
Si mund ta kultivojmë atë gatishmëri që të ofrojmë një “Ja ku jam” si përgjigje ndaj çdo kërkese që Ati Qiellor na e bën neve si anëtarë të Kishës ose nganjëherë në një nivel vetjak?
Pali u mësoi romakëve: “Dashuria … është përmbushja e ligjit” (Romakëve 13:10). Nëse dëshiroja të gjeja një fjalë që të zëvendësonte në mënyrë sinonime frazën “përmbushja e ligjit”, mendoj se fjala bindje do të vinte me të shpejtë në mendje. Si rrjedhojë, mund të themi se dashuria është bindje. Dhe kështu, thënia e Shpëtimtarit: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15) ka shumë kuptim.
Mund të përgjigjemi me frazën: “Ja ku jam” ose me fjalët e Nefit: “Do të shkoj e do të bëj” (1 Nefi 3:7). Sipas fjalorit tonë bashkëkohor mund të themi: “Sigurisht që jam gati të bëj atë që Ati Qiellor urdhëron, pavarësisht nga rrethanat”.
Çfarë do të doja ta theksoja, pra, është marrëdhënia mes dashurisë e bindjes, domethënë që ne i bindemi Atit sepse e duam Atë. Besoj se zgjedhja për t’u bindur është njëra nga mënyrat më të mira për ta shpallur qartësisht dashurinë tonë për Të. “Besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakob [Bibël] 2:26) dhe personalisht mendoj se as dashuria për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin pa bindje nuk është shumë e gjallë.
Si ta Rritim Dashurinë dhe Bindjen Tonë
Si e rritim dashurinë tonë për Të dhe bindjen tonë ndaj Tij? Shpëtimtari tha: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Njohja e Jezu Krishtit dhe, nëpërmjet Tij e Atit, na aftëson të dimë për atë dashuri që Ata e kanë për ne dhe për gjërat e papërshkrueshme që Ata i kanë bërë dhe ende do t’i bëjnë për ne, përfshirë gjatë çasteve të vështira që i përjetojmë në këtë jetë në vdekshmëri. Njohuria për Ta na e ndryshon zemrën, duke na bërë të dëshirojmë për t’i ndjekur shembujt e Tyre në veprimet tona dhe të jemi të gatshëm të themi, me fjalë e me vepra: “Ja ku jam”. Kjo gatishmëri pasqyrohet në një dëshirë për t’i lexuar shkrimet e shenjta ose në drejtimin ndaj Atit Qiellor në lutje.
“Ja ku jam” mund të jetë një përgjigje ndaj një thirrjeje për të shërbyer në mision ose për të qenë më të përkushtuar në bindjen ndaj urdhërimeve, të tilla si mbajtjen e Shabatit të shenjtë, nderimin e prindërve tanë ose kërkimin për të jetuar një jetë moralisht të pastër. “Ja ku jam” është shprehja që vazhdimisht i shoqëron dishepujt e Krishtit, edhe kur sakrifica e kërkuar ndikon tek ajo që ne dëshirojmë më së shumti ose për të cilën kemi paguar një çmim të lartë.
Kjo gatishmëri për t’u bindur është shumë me vlerë, veçanërisht për sa u përket besëlidhjeve që bëmë kur u pagëzuam ose hymë në tempull. A e përfytyroni se si do të ishte jeta jonë nëse do të mendonim vazhdimisht: “Ja ku jam”, kur të merrnim mbi vete emrin e Krishtit ose me qëllim që ta kujtonim Atë gjithmonë dhe të zbatonim urdhërimet e Tij? Marrja e sakramentit na fton ta ripërtërijmë atë zotim, i cili duhet të pasqyrohet në veprimet tona gjatë javës. E njëjta gjë gjen zbatim kur shkojmë në tempull teksa i bëjmë ose i kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje.
Shembulli i një Bashkëshorteje të Re në Moshë
Më kujtohet një bashkëbisedim që bëra shumë vjet më parë me një çift të sapomartuar ndërkohë që shërbeja si peshkop. Një natë, ata patën një diskutim të gjatë e të nderë lidhur me pagimin e së dhjetës. Bashkëshorti i ri në moshë kishte kaluar një javë të vështirë në punë dhe dëshironte të kursente ca para që i kishte fituar për disa shpenzime të tyre vetjake. Megjithatë, më kujtohen fjalët e bashkëshortes së re kur, përpara bashkëshortit të saj, ajo tha: “Peshkop, unë jam gati të mos i bëj ato shpenzime dhe madje ta ndaloj të ngrënit nëse është e nevojshme, por dëshiroj të paguaj të dhjetën dhe t’i bindem Zotit”.
Kaq kumbuese ishte ajo “Ja ku jam”, e shprehur me dëshmi kaq të shkëlqyer nga bashkëshortja e re, saqë bashkëshorti dhe unë ndiem një shpirt të fortë gjatë bashkëbisedimit. Në fund, unë nuk e di nëse ishte prej vetë dëshirës së tij ose ngaqë atij iu mbush mendja nga bashkëshortja e vet, por bashkëshorti përfundoi duke e paguar të dhjetën e vet atë fundjavë.
Të dielën vijuese, përpara mbledhjeve, bashkëshorti i ri kërkoi të fliste pak me mua. Me një pamje në fytyrë që ishte e ndryshme nga java e mëparshme, ai më tha: “Peshkop, ju e dini që javën e shkuar më së fundi e pagova të dhjetën time dhe kisha frikë se nuk do të kisha mjaft para për ushqimet, por thjesht doja që ju të dinit se këtë javë kishim dy herë më shumë para për ushqime sesa kemi zakonisht. Peshkop, ishte një mrekulli dhe dua që t’i shoh përherë ato mrekulli në jetën time.” Për mua ishte sikur ai burrë i ri po më thoshte: “Peshkop, jam gati të përgjigjem me një ‘Ja ku jam’ ndaj çfarëdo gjëje që më kërkon Perëndia”.
Premtimi Ynë
Zoti ka thënë se Ai lidhet kur ne bëjmë atë që Ai kërkon (shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:10). A besojmë vërtet në përpikërinë e atij premtimi?
Ndoshta bekimet nuk vijnë në kohën tonë ose në mënyrën që dëshirojmë, por unë ju dëshmoj se premtimi është real dhe i vërtetë. Kërkohet dashuri për Të, nënshtrim, një dëshirë për të bërë vullnetin e Tij dhe të jetuarit si dishepuj të Krishtit. Ai do të na ndihmojë e bekojë që t’i kuptojmë dhe mbajmë besëlidhjet tona. Në atë mënyrë, kur Ai na kërkon të bëjmë vullnetin e Tij, mund të përgjigjemi me një frazë kumbuese: “Ja ku jam, Zot!”