Liahona
Kujdestarë të Drejtë – Dishepuj të Jezu Krishtit
Liahona Mars 2026


“Kujdestarë të Drejtë – Dishepuj të Jezu Krishtit”, Liahona, mars 2026.

Gratë në Besëlidhje

Kujdestarë të Drejtë – Dishepuj të Jezu Krishtit

Tri shëmbëlltyra te Mateu japin shembuj se si ta thellojmë dishepullimin tonë në Jezu Krisht.

ilustrim i shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave

Ten Virgins [Dhjetë Virgjëreshat], nga Jorge Cocco

Të lejuarit e dritës së Jezu Krishtit që të shkëlqejë në dishepullimin tonë, është forma më e lartë e energjisë së përtëritshme, energji nga një burim i cili furnizohet vazhdimisht. Duke sjellë lehtësimin dhe dritën e Krishtit tek të tjerët, ne zbulojmë lehtësimin tonë vetjak tek Ai.

Prandaj jini paqebërës në vetë shtëpinë dhe komunitetin tuaj dhe kur jeni aktivë në internet. Lehtësojeni vuajtjen në vetë lagjen tuaj të banimit.

Synimi i Satanit është që të veprohet mbi ne. Në dallim, plani i Atit për lumturinë na jep mundësinë për të vepruar, për të qenë veprues për mirë, për paqen, për shpresën.

Ne mund t’i kundërpërgjigjemi keqinformimit duke shpërndarë informacion lartësues shpirtërisht, shpresëplotë dhe të saktë, duke u bërë mbrojtës të së vërtetës në vend që të jemi thjesht konsumues të informacionit. Ne mund t’i përgjigjemi negativitetit duke e përmbytur botën me dritën dhe lajmin e mirë të ungjillit të Jezu Krishtit.

Ashtu si profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka shpallur se përgjigjja është gjithmonë Jezu Krishti: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit”.

Presidenti Nelson na ka ftuar që ta bëjmë dishepullimin tonë “përparësinë tonë më të lartë”. Ne e thellojmë dishepullimin tonë kur mësojmë nga Jezu Krishti dhe rreth Tij. Pra, le të eksplorojmë mësimet e Shpëtimtarit.

Dhjetë Virgjëreshat

Mateu 25 përmban tri shëmbëlltyra domethënëse. Së pari, shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave (shihni vargjet 1–13). Pesë ishin të mençura dhe pesë ishin budallaçka. Që të dhjeta ishin në vendndodhjen e duhur, duke pritur dhëndrin dhe secila erdhi me një llambë.

Kur dhëndri, që përfaqësonte Shpëtimtarin, erdhi papritur në mesnatë, pesë prej virgjëreshave nuk kishin vaj të mjaftueshëm për llambat e tyre. Ndoshta menduan se nuk ishte e nevojshme të kishin vaj shtesë. Ose ato mund të mos kenë qenë kujdestare të kujdesshme për vajin që kishin. Ndoshta të shpërqendruara, ato nuk ia dolën të përgatiteshin siç duhej për t’i mbajtur llambat e tyre të ndezura.

Dhe kështu, në përgjigje të kërkesës së tyre për t’u futur në darkën e dasmës, dhëndri tha: “Ju nuk më njihni mua” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 25:11 [te Mateu 25:12 në variantin SHDM të Biblës në anglisht, poshtëshënimi a]). Anasjelltas, kjo nënkupton se nëpërmjet përgatitjes dhe kujdestarisë së mençur të tyre, pesë virgjëreshat e mençura e njohën vërtet Atë.

Vaji i çmueshëm mund të shihet si kthimi i tyre vetjak në besim. Ai i lejoi virgjëreshat e mençura që t’i ndriçonin llambat e tyre dhe të hynin në festën e dasmës me dhëndrin. Vaji nuk mund të ndahej me shoqet e tyre sepse kthimi vetjak në besim është pikërisht i tillë – vetjak. Ne mund dhe duhet ta mbajmë lart dritën e llambave tona për t’i lartësuar, forcuar dhe drejtuar të tjerët te Jezu Krishti, por secili prej nesh është kujdestar i vetes për kthimin në besim.

Siç u shpreh nga Shpëtimtari: “Jini besnikë, gjithmonë duke u lutur, duke i pa[s]ur llam[b]at tuaja të rregulluara e të ndezura dhe vaj me vete, që të mund të jeni gati për ardhjen e Dhëndrit” (Doktrina e Besëlidhje 33:17; theksimi i shtuar).

Talentet

Shëmbëlltyra e dytë e treguar te Mateu 25 është ajo e talentave (shihni vargjet 14–30). Në këtë histori, zotëria, duke qenë se do të udhëtonte larg, u dha talenta tre shërbëtorëve të tij. Një “talent” përfaqëson paratë. Ato mund t’i konsiderojmë edhe si dhurata, aftësi dhe bekime nga Ati ynë Qiellor. Njërit shërbëtor zotëria i dha pesë talenta, një tjetri dy dhe të tretit i dha një talent. Dhe pastaj zotëria u nis për udhëtim.

Kur u kthye, ai zbuloi se shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë pesë talenta dhe dy talenta, kishin qenë shërbëtorë besnikë e të dobishëm dhe i kishin vënë mirë në përdorim talentat, duke e dyfishuar vlerën e tyre. Dhe ngaqë kishin qenë besnikë edhe në aq pak gjë, zotëria u dha më shumë, duke thënë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (vargu 21).

Ndryshe nga ata, shërbëtori me një talent e groposi atë, ndoshta sepse ishte i shpërqendruar dhe i linte gjërat për t’i bërë më vonë. Ose ndoshta i jepte bezdi fakti kur mendonte se nga t’ia fillonte ose kishte frikë se do të dështonte. Ndoshta ai e krahasoi veten me shërbëtorët e tjerë dhe dyshimet e tij e penguan që ta provonte. Ai nuk ishte përgatitur për kthimin e zotërisë, nuk përjetoi gëzimin e kujdestarisë besnike dhe e humbi talentin e tij.

Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave dhe shëmbëlltyra e talentave janë paralele. Që të dyja theksojnë se ne kemi përgjegjësi vetjake për kthimin tonë në besim dhe duhet të përgatitemi për të marrë dhuratën e Zotit për ekzaltimin, dhe që të kemi një kujdestari dhe përgjegjshmëri vetjake për talentat dhe dhuratat që na janë dhënë.

Delet e Bariut të Mirë

Së fundi, Mateu 25 tregon historinë e atyre që kanë “siguri përpara Perëndisë”, të përshkruar si delet e Bariut të Mirë, që gjenden në anën e djathtë të Tij, duke u gëzuar në festën e dasmës me Të dhe të bekuar që të jenë sundues mbi shumë gjëra (shihni vargjet 31–40). Zoti do t’u thotë atyre:

“Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë” (Mateu 25:35–36).

Si dishepuj të Tij, ne përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë dhe plot besnikëri dhe përfitim ushtrojmë kujdestari mbi gjërat me të cilat jemi bekuar. Dhembshuria, dashuria hyjnore, virtyti dhe kujdestaria besnike na kualifikojnë jo vetëm që të jetojmë me Të më vonë, por edhe që të kemi siguri përpara Perëndisë tani. Siç dha mësim Moroni, për ata që janë të mbushur me dashuri hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit, “do të jetë mirë me t[a]” në ditën e fundit. Ata do të jenë si Shpëtimtari, duke e parë Atë ashtu sikurse është Ai dhe duke qenë të mbushur me shpresë dhe të pastruar, madje siç është Ai i pastër. (Shihni te Moroni 7:47–48.) Presidenti Nelson ka shpallur: “Dashuria hyjnore dhe virtyti e hapin udhën për të pasur siguri përpara Perëndisë”.

ilustrim i një burri duke mbajtur një qengj

Shepherd—Variation IV [Bariu – Varianti IV], nga Jorge Cocco

Dishepujt e Jezu Krishtit kujdesen për njerëzit në nevojë.

Që të tria këto shëmbëlltyra na mësojnë kujdestari për kthimin tonë vetjak në besim; për dhuratat, talentet dhe mjetet me të cilat jemi bekuar; dhe për fqinjët tanë që janë të uritur, të pastrehë, të lënduar e të lodhur.

Ato na mësojnë se si dishepujt e Krishtit duhet të përgatiten për kohët e vështira që do të paraprijnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Këto janë kohët në të cilat jetojmë! Ne duhet t’i mbajmë llambat tona të kthimit në besim të ndriçuara fort, ta lejojmë dritën tonë të shkëlqejë, t’i përdorim dhe zgjerojmë talentet tona dhe të kujdesemi për njerëzit nevojtarë. Kjo është të qenit të zotëruar nga dashuria hyjnore, dashuria e pastër të Krishtit.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 127.

  2. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 121.

  3. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se ne kemi një “përgjegjësi … individuale për ta mbajtur ndezur llambën tonë të dëshmisë dhe për të [siguruar] një furnizim të mjaftueshëm … vaji [të] kthimit në besim. Vaji i çmuar [merr]et pikë pas pike – ‘rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30), me durim dhe këmbëngulje. Nuk ka asnjë rrugë më të lehtë; nuk është e mundur një përgatitje e beftë në minutën e fundit” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 109).

  4. Rasëll M. Nelson, “Siguri në Praninë e Perëndisë”, Liahona, maj 2025, f. 127.

  5. Rasëll M. Nelson, “Siguri në Praninë e Perëndisë”, f. 128.