Pashka Judease dhe Pashka e Krishterë
Shihni se si disa elemente të Pashkës judease mund të na drejtojnë drejt flijimit shlyes të Jezu Krishtit dhe besëlidhjeve tona me Perëndinë.
Pashka judease kremton çlirimin që Zoti i bëri popullit të Izraelit nga plaga e fundit shkatërruese në Egjipt. Nëpërmjet Moisiut, Zoti u tha atyre të kryenin vepra të caktuara, me qëllim që engjëlli shkatërrues të kalonte mbi ta dhe të mos i prekte të parëlindurit e tyre. Më pas, Zoti i çliroi nga robëria dhe i dërgoi drejt tokës së premtuar. (Shihni tek Eksodi 12.)
Elementet e ndryshme të Pashkës judease përfaqësojnë flijimin shlyes të Jezu Krishtit për mëkatet tona, si dhe besëlidhjet tona me Perëndinë.
Qengji
Një qengj mashkull njëvjeçar pa të meta.
Atë e vrisnin dhe më pas e piqnin në zjarr, të plotë – pa kocka të thyera dhe me kokën, këmbët dhe pjesët e brendshme të ngrënshme të pashkëputura. Ai duhej të hahej gjatë natës së Pashkës judease, pa ngelur asgjë në mëngjes. Nëse diçka ngelej, ajo duhej të digjej.
Kuptimi i mundshëm: Jezu Krishti si një flijim i pamëkatë për mëkatet; ëmbëlsia e ardhjes tek Ai e krahasuar me hidhësinë e mëkatit; përkushtimi tërësor i Krishtit ndaj misionit të Tij; përkushtimi i kërkuar ndaj atyre që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë.
Gjaku mbi Arkitraun dhe Shtalkat
Hisopi (një bimë më vonë e përdorur në pastrimet rituale) zhytej në enën e gjakut të qengjit dhe më pas gjaku vendosej mbi arkitraun dhe shtalkat e derës.
Kuptimi i mundshëm: Një shenjë që i identifikon njerëzit e besëlidhjes së Perëndisë; pastrimi nëpërmjet gjakut të Jezu Krishtit, i cili u derdh për të shlyer për mëkatet tona.
Buka pa Maja
Buka e bërë pa maja apo tharm tjetër, ka shumë të ngjarë e bërë nga grurë i zi, elbi ose melekuqja në Egjiptin e lashtë. Majaja e bën bukën të butë por edhe më delikate për t’u prishur. Gjithashtu, brumit me maja i duhet kohë që të vijë, prandaj kërkon më shumë kohë për t’u bërë.
Ajo hahej për shtatë ditë. Majaja (të cilën e lidhnin me korruptimin) duhej të hiqej nga çdo shtëpi gjatë kësaj kohe (shihni tek Eksodi 12:19).
Kuptimi i mundshëm: Pastërti; nxitim për t’u arratisur nga robëria; Krishti si Buka e Jetës (shihni te 1 Korintasve 5:7).
Barishte të Hidhura
Përfshinin lakra uji, rrepka, radhiqe, rrika dhe ndoshta barishte të tjera me shije të hidhur.
Ato haheshin së bashku me qengjin.
Kuptimi i mundshëm: Hidhësia e skllavërisë dhe robërisë në Egjipt; hidhësia e skllavërisë prej mëkatit; hidhësia e vuajtjes së Krishtit për mëkatet tona.
Brezi në Ijë; Këmbët të Mbathura; Bastuni në Dorë; Qëndrimi në Këmbë Gjatë Ngrënies
Kuptimi i mundshëm: Gatishmëria për një largim me nxitim prej robërisë; dëshira për liri prej mëkatit.