Liahona
Duke Bekuar të Gjitha Familjet e Tokës
Liahona Mars 2026


“Duke Bekuar të Gjitha Familjet e Tokës”, Liahona, mars 2026.

Duke Bekuar të Gjitha Familjet e Tokës

Nëse e ndjekim dhe u tregojmë të tjerëve për planin e Atit tonë Qiellor për familjet, Ai do të jetë me ne, do të na mbështetë dhe do të na bashkohet në udhëtimin tonë për t’u kthyer tek Ai.

ilustrim i Jakobit duke parë një vegim

Jacob’s Dream at Bethel [Ëndrra e Jakobit në Bethel], nga J. Ken Spencer

Kohët e fundit, Motra Uhtdorf dhe unë morëm pjesë në pagëzimin e njërit prej stërnipave tanë. Teksa pamë breza të shumtë duke festuar plot gëzim këtë ngjarje, ne ndiem mirënjohje të thellë ndaj Atit tonë Qiellor për planin e Tij të shpëtimit për fëmijët e Tij. Ne patëm ndjesinë se sa e rëndësishme kanë qenë familja dhe besëlidhjet e shenjta për Të qysh nga fillimi.

Ajo rëndësi mund të shihet në rrëfimin e Dhiatës së Vjetër për Jakobin besnik, i cili ndërmori një udhëtim të gjatë e të mundimshëm për të gjetur një grua, për t’u martuar brenda besëlidhjes dhe për të krijuar një familje. Një mbrëmje, Jakobi u ndal të pushonte për natën, por gjeti vetëm gurë për të vënë kryet e tij. Ai duhet të ketë qenë shumë i lodhur sepse menjëherë e zuri gjumi dhe pa një ëndërr.

Me synimet e tij të denja për martesën në besëlidhje dhe familjen sigurisht në mendje, Jakobi pa “një shkallë të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin në të.

Dhe ja, Zoti ndodhej në majë të saj dhe i tha: ‘Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, babait tënd, dhe Perëndia i Isakut’” (Zanafilla 28:12–13).

Zoti më pas i bëri disa premtime të rëndësishme besëlidhëse Jakobit, premtime që Ai i kishte bërë gjithashtu me atin e Jakobit, Isakun, dhe me gjyshin e tij, Abrahamin, të cilat përfshinin:

  • Premtimet se Jakobi do të bëhej ati i “një kuvend[i] popujsh” (Zanafilla 28:3; shihni edhe vargun 14).

  • Premtimet e tokës për pasardhësit e Jakobit (shihni te Zanafilla 28:4, 13).

  • Premtimet se nëpërmjet Jakobit dhe farës së tij “tërë familjet e tokës do të bekohen” (Zanafilla 28:14; theksimi i shtuar).

Kaq e shenjtë ishte përvoja e Jakobit sa ai shpalli: “Me siguri Zoti është në këtë vend. … Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë, dhe kjo është porta e qiellit” (Zanafilla 28:16–17). Dhe prandaj Jakobi e quajti këtë vend Beth-el, që do të thotë “shtëpia e Perëndisë” (Zanafilla 28:19, poshtëshënimi a në Biblën në anglisht).

Bekimet e premtuara, të dhëna në ëndrrën e Jakobit, kërkonin që Jakobi të bënte disa ngjitje figurative në jetën reale. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme nuk është e vështirë të kuptojmë lidhjen midis ëndrrës së Jakobit, besëlidhjeve të Zotit dhe shtëpisë së Zotit. Tempujt ngjasojnë shumë me shkallën që pa Jakobi. Mësimet, ordinancat dhe besëlidhjet e shtëpisë së Zotit lidhin qiellin dhe tokën. Besëlidhjet mund të krahasohen me shkelëzat në një shkallë që na çojnë më pranë Zotit. Ne, nëpërmjet shërbimit të shenjtë që ofrojmë në tempujt e shenjtë, po bekojmë “tërë familjet e tokës”, të shkuara, të tashme dhe të ardhshme.

“Çfarë Zbulimi!”

Plaku Brus C. Heifën, një anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve, dikur mori një thirrje telefonike nga një redaktor i një reviste kombëtare lajmesh. Redaktori donte të fliste rreth një libri të kohëve të fundit që shqyrtonte historinë e bindjeve fetare rreth parajsës përmes një larmie bindjesh fetare.

“Autorët zbuluan se publiku ndien një uri të përhapur gjerësisht për parajsën dhe familjet në qiell”, – shkroi Plaku Heifën. Por ndërsa shumë njerëz ende besonin në jetën pas vdekjes, dashurinë e përjetshme dhe ribashkimet e familjeve në qiell, “shumica e kishave të krishtera ofrojnë pak përgjigje kundrejt kësaj urie të brendshme”, me një përjashtim: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Në Kishën e rivendosur të Shpëtimtarit, ne kemi tempuj të shenjtë. Ne kemi martesa të përjetshme, me autoritetin vulosës që bekon përtej vdekjes fizike. Ne kemi premtimin e një të ardhmeje të përjetshme me njerëzit tanë të dashur në praninë e Atit dhe të Birit. Nisur nga e gjithë kjo, autorët arritën në përfundimin se koncepti i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për parajsën është më i ploti dhe, unë do të shtoja, më i lumturi.

“Çfarë zbulimi!” vuri në dukje Plaku Heifën. “Shumica e njerëzve sot kanë dëshirë të madhe për familje të përjetshme dhe [ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit] e përmbush atë dëshirë më mirë se çdo grup tjetër i njohur idesh [apo besimesh fetare]. Sa do të doja që e tërë bota të mund të dëgjonte fëmijët [tanë] duke kënduar lajmin e mirë: ‘Familjet mund të jen’ bashk’ përgjithmon’.”

Familjet nuk janë thjesht një përshtatje e volitshme shoqërore. Ato janë modeli i përjetshëm i qiellit. Ato janë “thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”. Siç na ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M.Nelson: “[Zoti] krijoi tokën [kështu] që ne të mund të fitojmë trupa fizikë dhe të formojmë familje. Ai krijoi Kishën e Tij për të ekzaltuar familjet. Ai siguroi tempuj me qëllim që familjet të mund të jenë së bashku përgjithmonë.”

Por interesi ynë te familjet e forta nuk është thjesht rreth fateve të përjetshme. Familja luan një rol thelbësor edhe në lumturinë tonë në vdekshmëri. Ati ynë Qiellor, i cili e di përsosurisht se çfarë sjell lumturi tani dhe në përjetësi, i dërgon fëmijët e Tij në familje, të papërsosura siç mund të jenë ato, dhe na fton të ndërtojmë e të kultivojmë familje të forta. Sigurisht “paaftësia, vdekja ose rrethana të tjera mund të bëjnë të nevojshme përshtatjen [individuale]”. Por asgjë nuk mund të zëvendësojë përgjegjësitë thelbësore, të caktuara në mënyrë hyjnore për bashkëshortin dhe bashkëshorten, për atin dhe nënën.

Kërkimi mbi “familjet biologjike, të lidhura së bashku, me dy prindër” vazhdon të tregojë se familja është e pazëvendësueshme në ruajtjen e “lidhjeve të thella të dashurisë e dhembshurisë”. Ajo është “inkubatori kryesor për individë të qëndrueshëm, të mirëpërshtatur dhe të vetëdijshëm shoqërisht”.

Mbrojtës të Zellshëm të Familjes

Sigurisht nuk duhet të çuditemi që diçka kaq e rëndësishme për planin e Perëndisë, do të përballej me kundërshtim. Satani nuk ka qenë kurrë miqësor ndaj familjes dhe përpjekjet e tij vetëm sa po bëhen më të ngutshme “duke [e] ditur se ka pak kohë” (Zbulesa 12:12). Siç tha Presidenti M. Rasëll Ballard (1928–2023), Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Satani e di se mënyra më e sigurt dhe më e efektshme për ta prishur veprën e Zotit është të zvogëlojë efektshmërinë e familjes dhe të shenjtërisë së shtëpisë”.

Duke e ditur atë që dimë rreth familjes së përjetshme të Perëndisë, planit të Tij për fëmijët e Tij dhe rëndësisë së përjetshme të marrëdhënieve familjare, ne duhet të jemi mes mbrojtësve më të zellshëm në botë për familjen.

Si e bëjmë këtë?

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ofroi këtë këshillë: “Proklamata për familjen është ritheksimi nga ana e Zotit i të vërtetave të ungjillit që na nevojiten për të na mbështetur nëpër sfidat e tanishme që ka familja”.

Në jetën tonë vetjake, ne mund të bëjmë “gjëra të vogla dhe të thjeshta” (Alma 37:6), të cilat i forcojnë marrëdhëniet familjare. Kjo përfshin ndjekjen e parimeve për familjet dhe martesat e suksesshme të përvijuara në proklamatën mbi familjen: “besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese”. Pavarësisht nga gjendja jonë e tanishme familjare, ne mund të tregojmë nëpërmjet veprimeve tona se marrëdhëniet familjare janë përjetësisht të rëndësishme për ne.

Si “qytetarë … të përgjegjshëm” në komunitetet tona, ne mund “të nxisi[m] ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen”.

Ne jemi populli i besëlidhjes së Zotit në ditët e mëvonshme. Ne jemi trashëgimtarë të premtimeve të bëra ndaj Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, premtime që lidhen fuqishëm me familjet. Ato premtime vijnë me thirrjen e shenjtë për të bekuar “tërë familjet e tokës”. Dhe një mënyrë e rëndësishme se si e bëjmë atë, është duke i jetuar, mbrojtur dhe duke ua treguar të tjerëve të vërtetat e përjetshme se “familja shugurohet nga Perëndia” dhe se “ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht”.

“Unë Jam me Ty”

Kur Motra Uhtdorf dhe unë vështrojmë pjesëtarët e familjes sonë të bëjnë besëlidhje të shenjta me Atin tonë të dashur, të përjetshëm Qiellor, zemrat tona mbushen me gëzim e mirënjohje. Ne gëzohemi jo vetëm në fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre, por gjithashtu në prindërit tanë dhe prindërit e tyre. Ne përsiatim me dashuri të thellë se si besëlidhjet e ungjillit na bashkojnë përmes brezave. Është një përvojë jo e ndryshme nga të shikuarit e “një shkall[e] të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin në të” (Zanafilla 28:12).

Bekimet që Zoti ia premtoi Jakobit në ëndrrën e tij, shtrihen tek të gjithë fëmijët e Tij të besëlidhjes, përfshirë ju dhe mua. Ashtu si bëri Zoti për Jakobin, Ai do të na përgjigjet në “ditën e fatkeqësisë s[onë]” (Zanafilla 35:3) nëse e zgjedhim Atë.

“Ja”, – tha Zoti, – “unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, … sepse nuk do të të braktis” (Zanafilla 28:15).

Sikurse Jakobi, ne të gjithë kemi një vend të shkretë për ta kaluar. Nganjëherë bekimet e premtuara duken shumë larg. Kur vijnë probleme ose sfida të rënda, ne mund të vëmë në dyshim dashurinë e Zotit. Madje mund të ndiejmë se Perëndia na ka braktisur. Pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira në dishepullim, ne mund të ndiejmë se nuk po i marrim bekimet për të cilat po shpresonim.

Vëllezër e motra, të dashur miq, shtegu i besëlidhjes është një shteg plot gëzim, edhe pse me raste mund të jetë i njollosur me lot. Nëse e ndieni se disa pjesë të planit të lumturisë nuk po përmbushen në jetën tuaj tani, ju lutemi mirëbesoni se Zoti është i vëmendshëm ndaj jush dhe do t’ju bekojë në kohën e Tij të duhur, sipas urtësisë së Tij.

Besimi te Jezu Krishti dhe te premtimet e Tij na frymëzon që të shohim përpara, jo prapa. Për shkak të Tij, e ardhmja jonë nuk ka nevojë të mbahet e robëruar nga ndonjë gjë që ka ndodhur në të shkuarën ose që po e bllokon pamjen tonë pikërisht tani. Po, ne të gjithë jemi, ose do të jemi, të plagosur në një mënyrë ose një tjetër. Por ne besojmë te Shëruesi i Madh. Ne mirëbesojmë tek Ai, kaq shumë, në fakt, sa i përshëndetim premtimet e Tij, tërësisht “[të] bind[ur]”, për to madje edhe kur janë ende “për së largu” (Hebrenjve 11:13).

“Le të kujtojmë ne të gjithë se, në mënyrën dhe kohën e vetë Zotit, asnjë bekim nuk do t’u ndalohet shenjtorëve të Tij besnikë”, – tha Presidenti Nelson. “Zoti do të gjykojë dhe do të shpërblejë çdo individ sipas dëshirës së zemrës dhe po ashtu veprimeve të tij.”

Unë premtoj se, kur e ndjekim dhe u tregojmë të tjerëve për planin e Atit tonë Qiellor për familjet, Ai do të jetë me ne, do të na mbështetë dhe do të na bashkohet në udhëtimin tonë. Ai kurrë nuk do të na lërë të vetëm, veçanërisht kur sprovat na vijnë neve ose njerëzve tanë të dashur. Ai do të na mbartë, do të na ngrejë lart dhe do të na sjellë drejt tokës së premtuar të një plotësie gëzimi me Të, me Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe me familjet tona përjetësisht.