“Jozefi nga Arimatea: Dëshirat e Drejta dhe Mrekullitë e Perëndisë”, Liahona, mars 2026.
Ata e Njohën Shpëtimtarin
Jozefi nga Arimatea: Dëshirat e Drejta dhe Mrekullitë e Perëndisë
Kush ishte Jozefi nga Arimatea dhe çfarë mund të mësojmë nga roli i tij në historinë e Pashkës?
Ilustrimi nga Laura Serra, nuk lejohet kopjimi
Jozefi nga Arimatea luajti një rol të rëndësishëm në historinë e Pashkës, duke e ndihmuar Zotin kur Ai arriti triumfin më të madhërishëm në historinë njerëzore. Kur Jezu Krishti u kryqëzua, Jozefi “me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit” (Marku 15:43). Pasi kaq shumë të tjerë e braktisën Zotin në orën e Tij të dëshpërimit, çfarë e shtyu Jozefin të qëndronte dhe të merrte pjesë në një skenë të tillë kulmore të flijimit të Shpëtimtarit?
Besnikëria e tij mund të duket në kundërshtim me statusin e tij si një këshilltar i pasur i sinedrit, kuvendit judeas të përbërë nga farisenjtë dhe saducenjtë që e dënuan Krishtin me vdekje (shihni te Mateu 27:1, 57). Për më tepër, Jozefi e mbajti të fshehtë faktin që ishte një dishepull i Krishtit “nga druajtja [prej] Judenjve” (Gjoni 19:38).
Gjithsesi, në fund, përkushtimi i tij u shfaq dukshëm. Ai “nuk [e] kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve” të cilët u përpoqën të merrnin jetën e Shpëtimtarit (shihni te Lluka 23:50–51). Dhe pasi vdiq Shpëtimtari, Jozefi e mbështolli trupin e Mësuesit me pëlhura dhe e vendosi në varrin e ri të vetin (shihni te Mateu 27:59–60; Lluka 23:52–53). Kjo ishte përmbushje e profecisë se varri i Krishtit do të ishte me të pasurit (shihni tek Isaia 53:9).
Ai Është Ringjallur
Kur dha varrin e vet për varrosjen e Shpëtimtarit, Jozefi nga Arimatea ndihmoi të përmbushej profecia dhe përgatiti një udhë për dëshminë e mrekullueshme të Ringjalljes së Jezu Krishtit. Në ditën e tretë pas Kryqëzimit, pasuesit e Krishtit e gjetën varrin të zbrazët dhe zëri i një engjëlli shpalli: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” (Mateu 28:6).
“Ringjallja e Jezu Krishtit jep dëshmi për natyrën e Tij hyjnore dhe se Ai i ka mundur të gjitha gjërat”, – dha mësim Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Ringjallja e Tij jep dëshmi se, të lidhur tek Ai me anë të besëlidhjeve, edhe ne mund t’i mundim të gjitha gjërat dhe të bëhemi një. Ringjallja e Tij jep dëshmi se nëpërmjet Tij, pavdekësia dhe jeta e përjetshme janë realitet.”
Jozefi mund të mos e kishte ditur çfarë dha në atë Pashkë të parë përtej dëshirës së tij për të nderuar Jezu Krishtin. Por Zoti i përdori dëshirat e drejta të Jozefit si pjesë të mrekullisë së Tij përfundimtare, që të ishte “fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Korintasve 15:20), i pari që u ngrit së vdekuri.
Ashtu si Jozefi kishte një rol të rëndësishëm për ta luajtur, secili prej nesh mund të jetë një mjet në duart e Atit Qiellor. Plani i Tij është për çdo njeri dhe Ai do të përdorë zotësitë, përvojat dhe rrethanat tona për ta çuar më tej veprën e Tij të madhërishme. Në këtë Pashkë, ne mund ta sjellim ndërmend këtë mesazh dhe ta kërkojmë Jezu Krishtin, duke sakrifikuar atë që mundemi për të ndihmuar që të ndërtojmë mbretërinë e Tij dhe t’i lejojmë mrekullitë e Tij të ndodhin në jetën tonë.