Liahona
A Mund ta Kuptojë një Shpëtimtar i Përsosur se si Është të Ndeshesh me Vështirësi?
Liahona Mars 2026


“A Mund ta Kuptojë një Shpëtimtar i Përsosur se si Është të Ndeshesh me Vështirësi?”, Liahona, mars 2026.

Nga E Përjavshmja për TRMM‑të

A Mund ta Kuptojë një Shpëtimtar i Përsosur se si Është të Ndeshesh me Vështirësi?

Ngaqë Jezu Krishti është i përsosur, ne nganjëherë harrojmë që Ai e di se si është të ndeshesh me vështirësitë.

ilustrim i Jezu Krishtit

Ilustrimi nga Brandon Gonzales

Prirem të mendoj se jam e përjashtuar nga ndihma hyjnore e Krishtit kur po kaloj një kohë të vështirë. Nganjëherë mendoj se Ai, një Shpëtimtar i pamëkatë dhe i përsosur, kurrë nuk mund ta kuptojë se si është të ndeshesh me vështirësi.

Më kujtohet që ndihesha veçanërisht kështu kur isha misionare. U desh goxha mundim që ta kuptoja se Krishti e di se si është të kalosh një kohë të vështirë.

Si Mund ta Dinte Ai se si Ndihesha Unë?

Mendova se isha në kulmin e misionit tim, po trajnoja një misionare të re, po përgatitesha për një pagëzim dhe ia kisha marrë dorën tërë kësaj gjëje me misionin. Ndihesha shumë e lumtur.

Por nuk e dallova stresin dhe ankthin që po rritej brenda meje.

Isha shtrirë për të fjetur një natë kur filloi të më përpinte sulmi i dytë i panikut që kisha pasur ndonjëherë në tërë jetën time. I pari kishte ndodhur nëntë vjet më parë. Nëntë vjet!

Pse, vetëm pas një periudhe të shkurtër akthi kur isha fëmijë, ai po dilte tani papritur në sipërfaqe?

Me kokëfortësi u përpoqa ta vazhdoja misionin tim si normalisht, duke menduar se mund t’i rregulloja problemet e mia vetjake.

Ndërkohë që ndeshesha me shëndetin tim mendor, dikush më tregoi një ide që i erdhi ndërkohë që lexonte përvojën e Shpëtimtarit në Gjetseman.

Jezusi tha: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje”. Dhe më pas Shpëtimtari u lut: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:38–39).

A e keni ndier ndonjëherë peshën e rëndë të vetë hidhërimit tuaj? A e keni pyetur ndonjëherë Perëndinë: “A ka ndonjë mënyrë tjetër?”

Me gatishmëri të përsosur, bindje të përsosur dhe dashuri të përsosur, Shëlbuesi ynë e pranoi vullnetin e Atit. Ai ishte i përsosur sepse ishte i pamëkatë, por Ai akoma ndiente dhembje, hidhërim dhe vetmi.

Në fund të fundit, Ai zbriti nën gjithçka, që të mund të na ngrinte lart.

Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Jezusi ishte ‘njeri i dhembjeve’ [Isaia 53:3], thonë shkrimet e shenjta. Ai përjetoi trishtim, lodhje, zhgënjim dhe vetmi torturuese. Në këto kohë dhe në të gjitha, dashuria e Jezusit nuk dështon dhe as e Atit të Tij.”

Krishti e Di Saktësisht se si Ndihemi

Dija se Krishti u përball me gjëra të vështira, më kujton se Ai i kupton dhembjen, depresionin, rraskapitjen, zhgënjimin, ankthin e vetminë më shumë se kushdo tjetër.

Ishte Ai që vajtoi në vdekjen e Llazarit (shihni te Gjoni 11:33–36). Dhe ishte Ai që pyeti ndërsa po vdiste në kryq: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Marku 15:34.)

Por Jezu Krishti gjithashtu e njeh gëzimin, dashurinë, dhembshurinë, mëshirën dhe paqen më shumë se kushdo. Sepse Ai është i përkryer. Prandaj Ai e di në mënyrë të përsosur se si ndihemi.

Presidenti Holland dëshmoi: “Një nga ngushëllimet më të mëdha në këtë stinë Pashke është që, ngaqë Jezusi e përshkoi tërësisht i vetëm një shteg kaq të gjatë e të vetmuar, neve nuk na duhet të veprojmë kështu. Udhëtimi i Tij i vetmuar na solli një shoqëri të madhe për pjesën tonë të vogël të atij shtegu – kujdesin e mëshirshëm të Atit tonë në Qiell, shoqërinë e padështueshme të këtij Biri të Dashur, dhuratën e përsosur të Frymës së Shenjtë.”

Duke e kuptuar se Jezu Krishti e kuptonte përsosurisht atë që po ndieja teksa ndeshesha me ankthin, unë më së fundi e lejova Atë të më ndihmonte që të mbartja barrët e mia.

Ankthi im nuk u largua papritmas. Prapëseprapë pata ditë të vështira. Por të qenit pranë Krishtit, më dha sidoqoftë gëzim të qëndrueshëm, sepse e dija se Ai ishte pikërisht atje me mua duke thënë: “E di. E di përsosurisht se si ndihesh.”

Gjatë kësaj përvoje, Krishti u bë njeriu im më i besuar.

Mendoj se nganjëherë priremi të mendojmë se përsosja e Krishtit do të thotë që Ai është tepër larg dhe i paarritshëm, se veprimet e Tij të madhërishme dhe jeta e Tij e mrekullueshme e bëjnë Atë të duket kaq larg prej nesh si qenie të zakonshme, të papërsosura dhe krenare. Por Ai nuk është kurrë më pranë nesh sesa kur po përballemi me betejat tona më të ashpra, hidhërimet tona më të këqija dhe vështirësitë tona më të lemerishme.

Këtë periudhë Pashke, ne mund të kujtojmë se Jezu Krishti e di me saktësi se si është të ndeshesh me vështirësitë, sepse Ai është i përsosur, i vetmi person i cili mund të ndiente dhembjen tonë dhe t’i mbartte barrët tona.

Pra, kur hasni vështirësi, kthehuni tek Ai. Ai kupton në mënyrë të përsosur.