Liahona
20 Ide për Periudhën Tuaj të Pashkës
Liahona Mars 2026


“20 Ide për Periudhën Tuaj të Pashkës”, Liahona, mars 2026.

20 Ide për Periudhën Tuaj të Pashkës

Nga traditat e mirënjohura tek ato të reja ka shumë mënyra për të krijuar tradita të qendërzuara te Krishti.

artikuj të ndryshëm që kanë lidhje me Pashkën

Ilustrimet nga Christina McMaster

Gjatë fjalimit të tij në konferencën e përgjithshme të prillit 2023, Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pyeti: “Si i japim formë mësimdhënies dhe kremtimit të Ringjalljes së Jezu Krishtit, historisë së Pashkës, me të njëjtin drejtpeshim, të njëjtën plotësi dhe traditë të pasur fetare që i kushtojmë lindjes së Jezu Krishtit, historisë së Krishtlindjes?”

Anëtarët në tërë botën tani po përqendrohen më shumë te periudha e Pashkës. Këtu janë disa veprimtari të thjeshta, të shëndetshme për ta pasuruar e zgjeruar Pashkën – dhe adhurimin e Shpëtimtarit – për individët, grupet dhe bashkësitë.

Ide për Individët dhe Familjet

  1. Krijoni një zinxhir letre me shkrime të shenjta ose citime të qendërzuara te Krishti dhe reflektoni për njërin çdo mëngjes në muajin përpara Pashkës.

  2. Sendet mund të simbolizojnë aspekte të ndryshme të ngjarjeve të Pashkës në shkrimet e shenjta. Për shembull, disa njerëz ngrenë balona plot ngjyra për të kujtuar ngritjen e Krishtit nga varri. Kërkoni sende që ju kujtojnë Shpëtimtarin gjatë periudhës së festës.

  3. Bërja e kartolinave për Pashkën mund të jetë një mënyrë krijuese për të shpërndarë dritën e Krishtit. Merreni parasysh që t’ua jepni këto krijime miqve ose fqinjëve të cilëve u jepni shërbesë.

  4. Pasuesit e Krishtit përdorën erëza me erë të këndshme për ta nderuar Atë gjatë varrimit të Tij (shihni te Gjoni 19:39–40). Përdorimi i erëzave në gjellët tuaja të Pashkës mund t’i shpjerë mendimet tuaja drejt atij çasti të shenjtë.

  5. Krishti jetoi duke u shërbyer të tjerëve dhe ne mund ta kujtojmë Atë në këtë Pashkë duke bërë të njëjtën gjë. Bëjeni çdo pjesëtar të familjes që të zgjedhë një emër dhe ta kalojë Javën e Shenjtë duke i shërbyer fshehurazi atij personi.

  6. Disa njerëz përdorin degët e ullirit dhe vajin e ullirit si një kujtues për paqen dhe flijimin shlyes të Krishtit. Anëtarët e Kishës mund të marrin parasysh t’i ndërthurin këto elemente në zbukurimet ose vaktet e ushqimit për të pasqyruar paqen që ofron Shpëtimtari.

  7. Disa tema nga Pashka janë më solemne dhe gjetja e kohës gjatë Javës së Shenjtë për studim e reflektim në qetësi është një mënyrë për t’i kujtuar ato aspekte.

  8. Pashka është një kremtim i mirënjohjes për gjithçka që bëri Jezu Krishti për ne. Gjeni kohë gjatë gjithë periudhës për ta mbushur një mur ose një afishe me gjëra që tregojnë se si jeni mirënjohës për Shpëtimtarin.

  9. Në disa pjesë të botës, Pashka kremtohet në kohën e përtëritjes së natyrës, prandaj ajo periudhë vetë shërben si një kujtues pamor i Ringjalljes së Krishtit. Kërkoni hapësirë për të ecur në natyrë dhe për ta vlerësuar këtë simbolizëm.

  10. Mishi i qengjit është një ushqim tradicional i Pashkës duke simbolizuar Jezu Krishtin si Qengji i Perëndisë, që përmbush paralajmërimin e Pashkës judease për çlirimin nëpërmjet flijimit (shihni tek Eksodi 12; Gjoni 1:29). Përdorimi i mishit të qengjit është një mënyrë se si familjet mund ta kujtojnë rolin e Shpëtimtarit në çlirimin tonë nga mëkati nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

kamera, nota muzikore dhe artikuj të tjerë

Ide për Lagjet dhe Kunjet

  1. Agjërimi dhe lutja janë mjete të fuqishme për t’u lidhur me Krishtin. Merreni parasysh të planifikoni një agjërim si lagje gjatë Javës së Shenjtë për një kauzë që është e rëndësishme për komunitetin vendor.

  2. Gjatë Krishtlindjes, njerëzit kënaqen kur bëjnë dramatizimin e skenës së Lindjes së Krishtit. Për respekt, ne nuk bëjmë dramatizime të ngjarjeve nga Pashka, por lagjet mund të bëjnë takime shpirtërore që theksojnë mësimet e Shpëtimtarit gjatë Javës së Shenjtë, dhe të diskutojnë domethënien e atyre skenave.

  3. Për shkak të Ringjalljes së Krishtit, Pashka është një kohë e ripërtëritjes. Organizimi i një grupi për të pastruar shtëpinë ose kopshtin e dikujt mund të jetë një kujtues i dobishëm i asaj teme.

  4. Në disa zona të botës, ndizen zjarre bubulakë gjatë kohës së Pashkës për të simbolizuar dritën që mposht errësirën. Ndezja e një zjarri ose qiriri mund të përfaqësojë Shpëtimtarin si Drita e Botës, i cili e mposhti vdekjen dhe mëkatin.

  5. Si pjesë e një mësimi, thoni tekstin e disa himneve të Pashkës. Diskutojeni doktrinën dhe dëshminë në çdo strofë.

  6. Ftojini anëtarët që të paraqesin vepra arti ose fotografi që pasqyrojnë tema të Pashkës.

  7. Jezusi ka shumë emra dhe tituj dhe secili prej tyre zbulon diçka të ndryshme rreth karakterit të Tij. Mbledhja së bashku si lagje që të bëni një paraqitje arti rreth tyre, mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për t’u përqendruar tek aspekte të ndryshme të Krishtit për Pashkën.

  8. Merrni parasysh krijimin e një tradite për adhurim nëpërmjet muzikës, përdorimit të shkrimit të shenjtë dhe këngës për të medituar mbi flijimin dhe dashurinë e Shpëtimtarit. Një lagje ose kunj mund të mblidhet për të mësuar e kënduar himne Pashke dhe për të lexuar shkrime të shenjta që lidhen me Pashkën.

  9. Nëpërmjet Jezu Krishtit, familjet mund të jenë të përjetshme. Planifikimi i një veprimtarie të historisë familjare ose një udhëtimi për në tempull mund t’i kujtojë anëtarët për këtë parim gjatë Pashkës.

  10. Vizatimi me shkumësa është një veprimtari zbavitëse për të gjitha moshat dhe një ngjarje ndërfetare e artit me shkumësa për Pashkën mund të jetë një mënyrë krijuese për të shpërndarë dhe marrë dëshmi për Krishtin.