“Thomai: Ecja në Udhëtimin e Besimit”, Liahona, mars 2026.
Ata e Njohën Shpëtimtarin
Thomai: Ecja në Udhëtimin e Besimit
Historia e Thomait na tregon se pyetjet, durimi dhe fitimi i një dëshmie janë pjesë të rritjes së besimit dhe bindjes sonë.
Ilustrimi nga Laura Serra, nuk lejohet kopjimi
Çfarë ju vjen në mendje kur dëgjoni emrin e Thomait, dishepullit të Shpëtimtarit? Shpesh e lidhim emrin e tij me fjalën “dyshuesi” ose “dyshimi”.
Por ka më shumë te Thomai. Në Ungjillin sipas Gjonit, shohim udhëtimin e Thomait drejt besimit që mund t’i përngjasë udhëtimin tonë vetjak: Besimi mund të forcohet me kalimin e kohës teksa besojmë dhe veprojmë për ta rritur besimin tonë.
Është në Rregull të Kemi Pyetje
Jezu Krishti e thirri Thomain të ishte njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve të Tij dhe Thomai e ndoqi Shpëtimtarin përgjatë shërbesës së Tij trevjeçare. Ai pati një dashuri të përkushtuar për Shpëtimtarin. Kur Thomai pati frikë për jetën e Zotit, ai i nxiti Apostujt e tjerë: “Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të” (Gjoni 11:16).
Me gjithë përkushtimin e vet, ai prapëseprapë bëri pyetje. Përpara Gjetsemanit, Jezusi u dha mësim dishepujve të Tij se Ai do të largohej. Thomai e pyeti: “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?”
Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:5–6).
Ashtu si Thomai, ne mund të mos i kuptojmë të gjitha mësimet e Perëndisë apo çdo aspekt të planit të shpëtimit. Por bërja e pyetjeve të drejta mund të zbulojë të vërteta nga Zoti. Është e nevojshme ta rritim besimin tonë.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Nëse keni pyetje – dhe shpresoj që të keni – kërkojini përgjigjet me dëshirën e zjarrtë që të besoni. …
… Pyetjet tuaja të çiltra, të bëra me besim, gjithmonë do të çojnë drejt besimit më të madh dhe drejt më shumë diturie.”
Besimi Kundrejt Frikës
Kur Apostujt dëgjuan se Jezusi ishte ngritur së vdekuri, “atyre iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre” (Lluka 24:11). Periudha e dyshimit të Thomait mund të ketë zgjatur më shumë sesa e të tjerëve, sepse ai nuk ishte i pranishëm kur Zoti i ringjallur fillimisht iu shfaq atyre (shihni te Gjoni 20:24).
Pasi i thanë Thomait se e kishin parë Shpëtimtarin, ai u përgjigj: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj” (Gjoni 20:25).
Mbas tetë ditëve, Zoti u shfaq përsëri dhe e ftoi Thomain të prekte plagët e Tij. Në përgjigje, Thomai shpalli: “Zoti im dhe Perëndia im!” (Gjoni 20:28.) Më pas, Shpëtimtari dha mësim një të vërtetë të rëndësishme: “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar” (Gjoni 20:29).
Përgjigjet vijnë. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Çdo lutje e sinqertë dëgjohet dhe merr përgjigje nga Ati ynë Qiellor, por përgjigjet që marrim mund të mos jenë ajo që presim apo të mos vijnë kur ne duam apo në mënyrën që parashikojmë”.
Bindje që Zgjat
Kur marrim përgjigje nëpërmjet durimit, lutjes dhe zbulesës, ne gjithashtu mund të fitojmë një bindje – një dëshmi. Nëse vazhdojmë ta ushqejmë besimin tonë, ajo dëshmi mund të qëndrojë me ne gjatë gjithë jetës. Siç e dha mësim Presidenti Nelson: “Kur e nderoni me durim kohën e Zotit, juve do t’ju jepet dituria dhe kuptueshmëria që kërkoni. Çdo bekim që Zoti e ka për ju – madje mrekullitë – do të pasojnë. Kjo është çfarë do të bëjë për ju zbulesa vetjake.”
Përvoja e Thomait na tregon se besimi nuk është një vendmbërritje, por një proces. Perëndia e nderon atë proces dhe na bekon teksa qëndrojmë të hapur ndaj udhërrëfimit të Tij dhe kërkojmë dëshminë që na flet paqe në zemrat tona (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:63).