“Lajmi i Gëzueshëm”, Liahona, mars 2026.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Lajmi i Gëzueshëm
Për shkak të Shlyerjes së pafundme të Shpëtimtarit, unë e di se do ta shoh miken time përsëri.
Ilustrimi nga Briana Kranz
Si fqinja, Mariza dhe unë u njohëm kur ishim të reja. Ndonëse ishte disa vjet më e madhe, ne u bëmë shumë shoqe dhe ishim shumë të ngushta.
Kur isha 19 vjeçe dhe veçanërisht në nevojë për drejtim, ajo më prezantoi me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit nëpërmjet misionarëve kohëplotë. Dija tashmë pak rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nëpërmjet xhaxhait dhe gjyshes sime. Ata ishin anëtarë pionierë të Kishës në familjen time.
Mariza ishte me mua gjatë gjithë kthimit tim në besim, më ndihmoi të zhvilloja dëshminë time për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij dhe më mbajti përdore çdo herë që kisha nevojë për të.
Mësova prej saj gëzimin e të jetuarit të ungjillit me thjeshtësi e vendosmëri. E admiroja që ishte aq e shoqërueshme, mënyrën e bashkimit të familjarëve e miqve dhe këmbënguljen për të arritur synime materiale dhe shpirtërore. Mësova prej saj se, kur e hasim të vërtetën, ne duhet ta vëmë në veprim atë që mësojmë duke i zbatuar urdhërimet dhe duke i vënë në zbatim mësimet e ungjillit në jetën tonë dhe familjet tona. Që të mbetemi besnikë, ne duhet të jemi guximtarë në dëshminë tonë dhe të përpiqemi shumë që të mbahemi fort tek besimi ynë pavarësisht nga kundërshtimi.
Në vitin 2010, Mariza vdiq në një aksident automobilistik. Ky ishte një çast i trishtueshëm për mua, por e di se nëpërmjet planit të shpëtimit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, unë vërtet do ta shoh atë përsëri. E di se ajo vazhdon atje ku është tani, me të njëjtën sjellje dhe natyrë plot hare që e karakterizonte këtu në tokë.
E di se kjo “gjendje e përkohshme prove” (Alma 12:24) nuk është kaq e gjitha. E di se ne i shohim familjarët dhe miqtë tanë përsëri në anën tjetër të velit. Ne do t’i shohim, do t’i përshëndetim dhe do të jemi së bashku me ta përsëri. Ne do të përjetojmë të njëjtat ndjenja të dashurisë që i patëm për njëri‑tjetrin në tokë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 130:2). Pjesëtarët e familjes sime janë atje. E di se edhe Mariza është atje.
Mariza foli hareshëm me çdo njeri rreth ungjillit këtu në tokë. Jam e sigurt që po bën të njëjtën gjë në botën e shpirtrave (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:57). Ajo po jep mësim rreth Shlyerjes së pafundme të Shpëtimtarit dhe lajmit të mirë se për shkak të Tij dhe nëpërmjet ordinancave të tempullit, ne mund të kthehemi në praninë e Tij dhe të Atit për të jetuar si familje për përjetësinë.