Liahona
Identiteti Hyjnor: E Vërteta e Ungjillit që Ma Ndryshoi Jetën
Liahona Mars 2026


“Identiteti Hyjnor: E Vërteta e Ungjillit që Ma Ndryshoi Jetën”, Liahona, mars 2026.

Nga E Përjavshmja për TRMM‑të

Identiteti Hyjnor: E Vërteta e Ungjillit që Ma Ndryshoi Jetën

Perëndia ju njeh tërësisht dhe e di se çfarë është më e mira për ju.

ilustrim i maleve

Po lutesha dëshpërimisht që të kuptoja gjendjen time. Thirrja ime e misionit kishte ardhur pas vonesave të mëdha dhe unë u tmerrova: Misioni Alpin gjermanishtfolës.

Vendi im.

Çfarë?

Nuk doja të shërbeja në vendin tim. Kisha pritur që të shkoja diku tjetër sikurse shumë prej shoqeve të mia. Ky lajm më bëri të ndihem sikur Ati Qiellor nuk më shihte të aftë për t’i shërbyer Atij.

Por kur e bëra këtë lutje të dëshpëruar, duke i kërkuar Atij a donte t’ia dinte për mua dhe nëse kjo thirrje misioni ishte një gabim, ndjeva të më largohej një barrë fizike nga supet. E ndjeva Shpirtin të më siguronte se Perëndia më njeh tërësisht dhe e di se çfarë është më e mira për mua.

Në atë çast Shpirti më pohoi se jam fëmijë i Perëndisë.

Ky ishte njëri nga rastet e para që e ndjeva vërtet fuqinë e identitetit tim hyjnor.

Një e Vërtetë Më se e Rëndësishme

Një e vërtetë jetëndryshuese e ungjillit të Jezu Krishtit është se jemi fëmijë të prindërve qiellorë.

Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për “dhuratë[n] gjithëpërfshirëse të së vërtetës së përjetshme që përforcon aftësinë tonë për të pranuar gjithçka tjetër që Ati ynë dëshiron të na dhurojë – dhuratën jetike të njohurisë e cila, kur pranohet plotësisht dhe merret thellë në shpirt, i vë në kontekst gëzimet dhe vështirësitë e jetës, si dhe pyetjet për të cilat nuk kemi përgjigje: Dhurata është që ne jemi vërtet fëmijë të Perëndisë”.

Që nga ajo përvojë me thirrjen time në mision, e kam ndier të vërtetën e këtyre fjalëve. Nuk e kam harruar kurrë se sa e qetë dhe e fuqizuar u ndjeva kur kuptova se Perëndia më njeh dhe më do.

Përqendrimi tek Identiteti Im

Pavarësisht nga kjo e vërtetë, bota përreth meje bën pak që të më kujtojë për rrënjët e mia hyjnore. E kam kuptuar se duhet të jem e qëllimshme rreth të kujtuarit të identitetit tim hyjnor dhe fuqisë që vjen prej tij.

Për mua kjo përfshin gjërat si përsiatja e mrekullive të trupit tim dhe asaj që më lejon ai të bëj dhe të përjetoj çdo ditë.

Gjithashtu, ndihem e lidhur me Krijuesin tim kur jam në qetësinë e natyrës. Të parit e bukurisë së maleve ose perëndimeve të diellit më kujton se Perëndia nuk kishte pse ta zbukuronte tokën. Por Ai dhe Jezu Krishti e bënë këtë gjë për ne, sepse Ata duan që ne të gëzojmë mrekullitë e kësaj bote dhe të kujtojmë dashurinë e Tyre (shihni te Moisiu 6:63).

Dhe lutja ndaj Atit Qiellor çdo ditë, duke e lejuar Atë të dijë se si ndihem dhe duke kuptuar se Ai dëshiron të dëgjojë dhe të flasë me mua, më ndihmon për ta thelluar lidhjen time hyjnore me Të. Lutja më sjell ndërmend se nuk jam vetëm dhe se Ai po më udhërrëfen, edhe nëse ajo që dëshiroj, nuk po ndodh tani. Mirëbesoj se Ai, një Atë i dashur, e di se kur është koha e duhur që bekime të caktuara të vijnë në jetën time.

Dhurata e Vdekshmërisë

Misioni im nuk ishte siç e prisja, por pata përvoja që më ndihmuan të kuptoj përse Ati Qiellor dëshironte që unë të isha në zonën e vendit tim. Shpërndarja e së vërtetës të identitetit hyjnor me ata që nuk e kishin ditur kurrë atë më parë, më mbushi me gëzim.

As nuk mund ta përfytyroj jetën pa e ditur se kush jam vërtet; do të ndihesha e zbrazët dhe e humbur.

Kur marr parasysh qëllimin e jetës sime, më jep shpresë tejet të madhe fakti që e di se vdekshmëria është veçse një pjesëz e vogël e planit të Atit Qiellor për mua. Unë bëj, mësoj dhe bëhem më shumë sesa jam tani për shkak të dhuratës hyjnore të jetës që Ai më ka dhënë si fëmija i Tij. Sa mirënjohëse jam që Ai ofroi Birin e Tij të dashur si Shpëtimtarin tim dhe që Ai më lejon të zgjedh të hyj në vdekshmëri për t’u bërë si Ai dhe për t’u kthyer në shtëpi!

Çfarëdo që bota të hedhë drejt jush, shpresoj që gjithmonë ta mbani mend se kush jeni në të vërtetë. Kjo e vërtetë do t’ju japë fuqinë për t’u përballur me gjithçka që vjen drejt jush.

Ashtu si Perëndia më dëgjoi në çastin tim të dëshpërimit, unë e di se Ai gjithmonë ju dëgjon dhe ju do edhe ju.

Autorja jeton në Lishtal, Zvicër.