“Pikëllimi Im u Kthye në Gëzim”, Liahona, mars 2026.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Pikëllimi Im u Kthye në Gëzim
Një këndvështrim i ri mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit më ndihmoi të shkoj përpara me besim e shpresë.
Ilustrimi nga Briana Kranz
Kur isha 18 vjeç, gjyshi im nga ana e nënës ndërroi jetë. Deri në atë pikë të jetës, nuk kisha humbur askënd që ishte i afërt për mua. E dija se do të ndodhte një ditë, por nuk e prisja që do të ndodhte kaq papritur.
Gjyshi im ishte mirë me shëndet, por befas ai pësoi një goditje në tru. Gjyshja ime me të shpejtë e çoi në spital, por ai ndërroi jetë katër ditë më vonë.
Humbja e dikujt kaq papritur për herë të parë ishte lënduese. Për mua ishte e çuditshme kjo që ndodhi, që gjyshin e kisha të pranishëm në çdo ngjarje të rëndësishme të jetës sime dhe që tani nuk e kisha më.
Pas shërbesës mortore, gjeta një mënyrë për ta nderuar kujtimin e gjyshit tim dhe kohën që patëm së bashku. Atij i pëlqente shumë të rregullonte kamionçinën e vet dhe të bënte projekte të tjera. Në fakt, kur i ra goditja në tru, ai ishte në garazhin e vet duke mbajtur një çelës papagall në njërën dorë plot kallo, duke punuar si zakonisht.
Vendosa që edhe unë të rregulloja makinat. Bërja e kësaj gjëje më ndihmon të ndihem pranë tij. Iu ktheva edhe lutjes dhe shkrimeve të shenjta, ku gjeta paqe për të shkuar përpara me besim e shpresë në mungesë të tij.
“Ka një ringjallje”, – më kujtoi profeti Abinadi, – “prandaj varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin” (Mosia 16:8).
Vdekja e gjyshit tim më ndihmoi të fitoja një këndvështrim që e bëri Shlyerjen e Jezu Krishtit edhe më domethënëse në jetën time. Ashtu siç e nderova gjyshin tim duke rregulluar makinat, unë e kuptova se ne e nderojmë Jezu Krishtin dhe mund të ndihemi pranë Tij kur përpiqemi fort të jetojmë siç jetoi Ai, duke studiuar fjalët e Tij, duke shpërndarë ungjillin e Tij dhe duke bërë “veprat e Atit të [Tij]” (Gjoni 10:37). Bërja e kësaj gjëje i jep kuptim më të thellë Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe e shton mirëbesimin tonë tek Ai.
“Kur ne thërrasim fort nga pikëllimi apo gëzimi, Jezu Krishti na kupton përsosurisht”, – dha mësim Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Ai mund të jetë i pranishëm në çastet kur kemi më shumë nevojë për dhuratat e mëdha të përjetësisë: Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ringjalljen, rivendosjen.”
Jezu Krishti e ka kthyer pikëllimin tim në gëzim. Për shkak të Tij dhe Shlyerjes së Tij, unë e di se do ta shoh gjyshin tim përsëri.