Liahona
Në Punën e Tij
Liahona Mars 2026


“Në Punën e Tij”, Liahona, mars 2026.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Në Punën e Tij

Nuk e dija si t’ia thosha një familjeje se bija e tyre ndërroi jetë derisa Fryma e Shenjtë më ndihmoi.

ilustrim i një polici duke qëndruar te dera e një burri

Ilustrimi nga Briana Kranz

Nëse përvoja më zemërcopëtuese njerëzore është të durojmë humbjen tragjike, të papritur të një njeriu të dashur, unë mendoj se përvoja e dytë më e vështirë mund të ndodhë kur një personel i vijës së parë hedh vështrimin në sytë e një nëne dhe babai e u thotë se fëmija i tyre ka vdekur.

Një mëngjes, u dërgova t’i njoftoja një familjeje se bija e tyre më e vogël në moshë kishte vdekur teksa ngiste makinën nga kolegji për në shtëpi. Atë e kishte zënë gjumi në timon dhe kishte vdekur në çast kur makina e saj kishte dalë jashtë rrugës dhe ishte përplasur me forcë. Ishte mëngjesi i Pashkës.

Kisha frikë nga dhembja që do t’i shkaktoja kësaj familjeje. Në njëfarë mënyre të çuditshme, pothuajse ndieja se, po ta dërrmoja familjen me këtë lajm, do të kisha dhe unë njëfarë përgjegjësie.

I rashë ziles së derës dhe një burrë u afrua. Sytë tanë u puqën nga dritarja që ishte te dera. Ai ngriu, tendosja po i shfaqej në fytyrë. Ai e dinte se prania ime shpjegonte mungesën e bijës së tij. Papritur mora një nxitje shpirtërore:

“Xhejson, harroje veten tënde. Ti je në punën time dhe ke të drejtën e përdorimit të fuqisë sime. Përdore atë. Mirëbesoji asaj. Fryma e Shenjtë do të të udhërrëfejë që t’u sjellësh kuptueshmëri e vendosmëri atyre njerëzve që janë në konflikt e pështjellim.”

Burri e hapi derën me dorën që i dridhej. Vetëbesimi shpirtëror e zëvendësoi druajtjen time teksa u prezantova dhe i kërkova që të hyja brenda. Megjithëse i forcuar prej Shpirtit, zemra më therte thellësisht për të. Doja të merrja pjesë në dhembjen e tij, të vajtoja me të dhe të derdhja lot me të (shihni te Mosia 18:8–9), duke e ndier se bërja e kësaj gjëje mund ta zbuste vuajtjen e tij.

Ecëm nëpër një korridor të shkurtër te një dhomë ku ishin mbledhur bashkëshortja dhe fëmijët e tij. I përkrahur nga Fryma e Shenjtë, ndjeva vetëbesim dhe qartësi në mendje. Iu përgjigja pyetjeve të tyre dhe më pas dhashë dëshminë time se për shkak të Jezu Krishtit, flijimit dhe Ringjalljes së Tij, ata do ta shihnin përsëri bijën e tyre.

Nëpërmjet kësaj përvoje, besimi im te Zoti u kthye në mirëbesim. Shpresova që edhe besimi i tyre të kthehej në mirëbesim.

Plaku Pol B. Pajper, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Ndonjëherë mënyra më e mirë për t’i mirëbesuar Perëndisë është thjesht duke i mirëbesuar Atij”.

Mirëbesimi te Zoti më ka ndihmuar të kem forcë për t’i ndihmuar të tjerët. Gjithashtu e ka forcuar dëshminë time dhe e ka shtruar udhën me mundësi të panumërta për t’u shërbyer të tjerëve për hir të Tij.