“Një Udhëzues i Dhiatës së Vjetër për të Përqafuar Identitetin Hyjnor”, Liahona, mars 2026.
Nga E Përjavshmja për TRMM‑të
Një Udhëzues i Dhiatës së Vjetër për të Përqafuar Identitetin Hyjnor
Njerëzit në Dhiatën e Vjetër mund të jenë ndeshur me disa prej të njëjtave pyetje që ju dhe unë mund t’i kemi sot.
In the Beginning Was the Word [Në Fillim Ishte Fjala], nga Eva Timothy, mund të kopjohet vetëm për përdorim nga Kisha
Do të gënjeja po t’ju thosha se kurrë nuk e kam vënë në pikëpyetje rolin tim në planin e Perëndisë.
Me këtë natyrë të papërsosur që kam, si vallë mund të zë vend në planin e Tij të përsosur? Si mund të jem e denjë për mundësitë e dyta që m’i jep Ati Qiellor herë pas here? Si mund të më jepet mirëbesim që ta shpërndaj dashurinë e Tij tek të tjerët kur nganjëherë e kam të vështirë ta ndiej vetë atë?
Nëse kjo vorbull zymtie ju duket e njohur, nuk jeni vetëm.
Një nga taktikat më të mëdha të kundërshtarit është që të sulmojë të kuptuarit tonë për identitetin hyjnor. Plaku Brajën K. Tejlor, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Kjo luftë e madhe mbi identitetin hyjnor tërbohet egërsisht teksa arsenali në shumëfishim i Satanit ka si qëllim ta shkatërrojë besimin tonë dhe njohurinë tonë për marrëdhënien tonë me Perëndinë”.
Për fat të mirë, Ati Qiellor u ka dhënë mësim dhe vazhdon t’u japë mësim fëmijëve të Tij rreth vlerës së tyre. Që nga fillimi fare, njerëzit në shkrimet e shenjta mund të jenë ndeshur me disa prej të njëjtave pyetje që ju dhe unë mund t’i kemi sot.
Ndërsa e studioni Dhiatën e Vjetër këtë vit, do të mësoni rreth vetë identitetit tuaj hyjnor duke i zbatuar në jetën tuaj vetjake përvojat e njerëzve në shkrimet e shenjta. Dhe ndoshta do të gjeni përgjigjet ndaj një pyetjeje shumë të rëndësishme përgjatë udhës:
Kush jam unë?
Unë Jam …
E Mirëbesuar me Kujdestari të Shenjtë
Adami dhe Eva shënojnë pikërisht fillimin e nevojës së njerëzimit për të kuptuar identitetin hyjnor. Ati Qiellor i krijoi ata sipas vetë shëmbëlltyrës së Tij, u dha atyre kujdestari mbi tokën dhe gjithë krijesat në të dhe i urdhëroi të shumoheshin dhe të mbushnin tokën (shihni te Moisiu 2:26–28).
Si pasardhës të Adamit dhe të Evës, ju mund t’i zbatoni te vetja këto parime të njëjta të identitetit. Ju jeni fëmijë i mirëfilltë shpirtëror i Perëndisë me përgjegjësi hyjnore për të vepruar si kujdestar i urtë dhe për të ngritur një familje të përjetshme.
Kur Adami dhe Eva e hëngrën frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe së ligës, ata u nxorën jashtë nga Kopshti i Edenit. Ndonëse u përjashtuan nga prania e Atit Qiellor, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht, Ai siguroi një Shpëtimtar për t’i ndihmuar që të mposhtnin si vdekjen fizike ashtu edhe shpirtërore nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Si me Adamin dhe Evën, vlera juaj është “e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10).
Unë Jam …
Një Fëmijë i Besëlidhjes së Abrahamit
Historia e Abrahamit lidhet drejtpërsëdrejti me identitetin hyjnor. Zoti bëri një premtim për pasojën e përjetshme të Abrahamit:
“Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim.
Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës” (Zanafilla 12:2–3).
Pas shumë vitesh pritjeje me besim, Abrahami dhe Sara u bekuan me lindjen e birit të tyre, Isakut. Më pas, Perëndia e urdhëroi Abrahamin për ta flijuar Isakun si “një ngjashmëri e Perëndisë dhe e të Vetëmlindurit të tij” (Jakobi [LiM] 4:5). Kur Abrahami tregoi se ishte i gatshëm ta bënte një flijim të tillë, ai u ndal nga një engjëll i Zotit.
Ne lexojmë:
“Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke,
unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij.
Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim” (Zanafilla 22:16–18).
Kjo histori e fuqishme na mëson se të gjithë ata që bëjnë dhe mbajnë besëlidhje me Atin Qiellor, mund të kenë të drejtën për bekimet e premtuara ndaj pasardhësve të Abrahamit. Si fëmijë i besëlidhjes, ju mund të merrni bekimet e premtuara në besëlidhjen e Abrahamit duke u kapur fort te premtimet që i bëni me Zotin, nëpërmjet besëlidhjeve të pagëzimit dhe në tempull.
Unë Jam …
Një Dishepull i Ripërtërirë i Zotit
Agari, shërbëtorja e Sarës dhe nëna e Ishmaelit, na mëson për aftësinë tonë mbresëlënëse për ripërtëritje. Pas lindjes së Isakut, birit të Abrahamit dhe Sarës, Agari dhe Ishmaeli u dëbuan në shkretëtirë (shihni te Zanafilla 21:9–14).
Duke parë dëshpërimin dhe përgjërimet plot zell për jetën e Ishmaelit, Zoti dërgoi një engjëll për ta ngushëlluar atë: “Mos ki frikë, se Perëndia ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ndodhet. Çohu, çoje djaloshin dhe mbaje fort me dorën tënde, sepse unë do të bëj prej tij një komb të madh” (Zanafilla 21:17–18).
Edhe kur Agari u ndje tërësisht e vetme në shkretëtirë, Ati Qiellor nuk e braktisi atë. Ajo u mbrojt dhe u shpërblye për besimin dhe zellin e saj.
Sikurse Agari, ju mund të ndiheni se po endeni në shkretëtirë të vetëm. Por ju keni vlerë të madhe për Atin tuaj Qiellor. Mund të endeni në shkretëtirë për një periudhë, por Ai nuk ju ka harruar. Ai po ju përgatit që të bëni gjëra të mëdha për ndërtimin e mbretërisë së Tij.
Unë Jam …
Duart e Perëndisë në Tokë
Moisiu u thirr nëpërmjet Atit Qiellor që t’i çlironte izraelitët nga robëria në Egjipt. Ai kreu një seri mrekullish të fuqishme që çuan drejt largimit të tyre më së fundmi (shihni tek Eksodi 7; 14).
Megjithëse i suksesshëm në thirrjen e tij, Moisiu nuk ishte gjithmonë vetëbesues në aftësinë e tij për të bërë atë që i kërkoi Ati Qiellor. Kur Moisiu shprehu ndjenjat e veta të papërshtatshmërisë, Zoti u përgjigj: “Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal” (Eksodi 3:12).
Moisiu e përqafoi identitetin e tij si një fëmijë i Perëndisë dhe e përdori fuqinë e Atit Qiellor për të kryer mrekullitë e Tij. Sikurse Moisiu, ju mund ta përdorni fuqinë për të bërë veprën e Perëndisë kur përqafoni marrëdhënien tuaj të përjetshme me Atin Qiellor.
Unë Jam …
Pra, kush jeni ju?
Tani është koha që ju ta zbuloni përgjigjen për veten tuaj.
Shqyrtojini shkrimet e shenjta për përgjigje ndaj pyetjeve tuaja dhe do t’i gjeni ato. Ati Qiellor dëshiron që ju të kuptoni me saktësi se kush jeni, me qëllim që të mund ta doni veten tuaj ashtu siç ju do Ai.
Njohuria për identitetin tuaj të përjetshëm hyjnor është shumë pranë jush, prandaj çfarë po prisni?